Në gjysmën e dhjetorit paralajmërohet të formohet “Ushtria e Kosovës”

Tre ligjet përfundimtare që e mundësojnë transformimin e FSK-së në “ushtri” pritet të kalojnë në parlament javën e dytë të dhjetorit. Por Aleksandër Vuçiq thotë se “kjo ngadalë po e dërgon rajonin në katastrofë”.

    Tre ligjet që e mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por pa iu ndërruar emri, përfundimisht pritet të marrin dritën jeshile nga parlamenti i Kosovës gjatë këtij viti. Burime brenda qeverisë së Kosovës i thanë DW-së se në javën e dytë të dhjetorit (apo me 14 dhjetor) ligjet pritet të votohen në lexim të dytë në parlament, pastaj, ato do të nënshkruhen nga Presidenti i vendit në mënyrë që ato të jenë të plotfuqishme. Komisionet për Buxhet dhe Financa dhe komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, i kaloi të premten tre projektligjet për transformimin e FSK-së, në ushtri mbrojtëse me kompetenca të plota. Të gjithë anëtarët e komisioneve, pa praninë e deputetëve serb, njëzëri dhe me votë unanime proceduan për në kryesi të kuvendit tre ligjet.

Lumir Abdixhiku, kryetar i komisionit për buxhet dhe financa, tha se tash për tash, vetëm 0.7 për qind e GDP-së, alokohet për mbrojtje, ndërsa, për ta rritur këtë buxhet që është i ulët, duhet ulur shpenzimet publike. “Ne kemi ngritur këtë çështje në komision që vitin e ardhshëm t’i shtohet buxheti ushtrisë së Kosovës. Në situatën e tanishme, FSK-së i ndahen 60 milionë euro në vit, siç është ndarë deri më tani. Pra nuk do të ketë rritje buxhetore, përkundër transformimit. Unë kam kërkuar që të ketë një rritje buxhetore sepse me proporcionin e tanishëm vetëm 0.7 për qind e GDP shkon për mbrojtje, kjo përqindje është shumë më e ulët sesa e vendeve në rajon”, thotë Lumir Abdixhiku.

Njohja e ndërkombëtarëve për transformimin

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, me procesin e afërt të transformimit të FSK-së në ushtri, po vënë në dijeni udhëheqësit e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë. Kryetari i kuvendit Kadri Veseli, takoi komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, me të cilin siç thotë ‘ka diskutuar për bashkëpunimin që do ta ketë forca e NATO-s me FSK-në”, por, nuk dha detaje tjera. “Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat që do të marrë Kuvendi i Kosovës në muajin dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, thotë Kadri Veseli, i cituar në një komunikatë të shkurtër nga zyra e tij.

Burim Ramadan (gemeinfrei)

Në një kohë që udhëheqësit e institucioneve të Kosovës tashmë po e bëjnë të qartë se para vitit të ri, Kosova do ta ketë ushtrinë e saj mbrojtëse, reagimet nga Beogradi zyrtar janë më të ashpra. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuëiq, tha të premten se “Serbia nuk mund ta lejojë krijimin e ushtrisë së Kosovës”. “Janë disa gjëra, të cilat thjesht nuk mund t’i lejojmë lidhur me Kosovën. Dikush dëshiron ta rrëmbejë Mitrovicën veriore dhe me këtë rast bëhen sikur nuk kuptojnë se çfarë po bëhet. Është dhe deklarata e Kadri Veselit se Ushtria e Kosovës do të formohet deri në gjysmën e dhjetorit. Kjo situatë ngadalë, por sigurisht na dërgon në katastrofë, citon gazeta “blic” e Beogradit, Aleksandër Vuçiqin. “I lusim njerëzit në Evropë dhe në botë të kuptojnë, (edhe pse e di se i kanë problemet e veta), çfarë problemesh do të krijohen nëse dikush nuk merret me këto çështje. Këtë e them pa fije humori dhe shumë i brengosur, por jo i frikësuar”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Presidenti serb nuk e pranon ushtrinë e Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës edhe me ligjet e reja parashihet të jetë forcë shumetnike, por, kreu i shtetit serb Vuçiq, nuk do që t’i shoh serbët e Kosovës pjesë të FSK-së, sidomos tash, kur kjo forcë po i shton kapacitetet e saj. Këtë e tha vet Vuçiq në një konferencë për medie ne fillim të nëntorit, kur u votuan në lexim të parë ligjet e transformimit të FSK-së. “Unë edhe një herë u bëj thirrje serbëve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e FSK-së. U bëj thirrje të hapur dhe publike serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse atë ushtri po e formojnë, për asgjë tjetër, por vetëm që ata serbë t’i shfrytëzojnë që një ditë të qëllojnë mbi serbët e tjerë”, pati deklaruar presidenti serb.

Serbien PK Präsident Aleksandar Vucic (picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic)

Që nga nisma e hapur e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që FSK-në ta shndërrojnë në ushtri, më shumë se 70 pjesëtarë të komunitetit serb që kanë qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kanë braktisur këtë trupë, siç thuhet “për shkak të presioneve të shumta të raportuara ndaj tyre”.  Sidoqoftë, transformimi i FSK-së në ushtri të mirëfilltë edhe pas miratimit të ligjeve në kuvend do të zgjasë të paktën 10 vjet, derisa kjo trupë të arrijë kapacitetet e plota dhe të njihet nga të gjitha vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pati thënë në një intervistë për DW, Burim Ramadani zëvendësministër i FSK-së. “FSK që nga momenti kur ligjet hyjnë në fuqi ka misionin ushtarak dhe mbrojtës. Ky institucion me emër të njëjtë, por me mandat të ri do të ketë një periudhë 10 vjeçare ku do të arrijë përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale, respektivisht do të kalojë një fazë të tranzicionit në mënyrë që doktrina, lidershipi, sistemi i armatimit të jenë të bazuara në standardet e plota amerikane dhe të NATO-s. E gjithë kjo në mënyrë që t’i përmbushë nevojat që i parashohin ligjet për FSK-në”, thotë Burim Ramadani.

NATO-ja tashmë në një përgjigje për DW, pati deklaruar se e mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me mandatin aktual, duke shtuar se “nëse Forca e Sigurisë së Kosovës duhet të zhvillohet, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të vet në Kosovë”.