NE GJURMET E SHQIPERISE SE HERSHME/ Rrugëtimi përmes gjurmëve të Via Egnatia dhe të urave romake

Zgjimi i turizmit në rrugëtimin e lashtë, sfidë për banorët dhe strukturat vendore

Përgjatë rrugës së re dhe gjurmëve të vjetra të rrugës antike Egnatia, dëshira për të zbuluar të paktët elementë antikë, të ndjek në fshatrat pranë rrugës, në ato pak gurë, në një qemer ure, në legjendat e banorëve, që nuk mungojnë të tregojnë për atë që dikur ka qenë rrugëtimi më i rëndësishëm i karvanëve për shumë shekuj.

Duke ndjekur tabelat e vendosura përgjatë rrugëve disa vite më parë, shpesh ngatërrohesh për shkak të largësisë nga vetë monumenti. Të vendosura shumë larg dhe pa elementë të tjerë orientimi, tabelat e monumenteve janë larg realitetit dhe nuk i shërbejnë shumë vizitorit shqiptar pa llogaritur atë të huaj.

Ndërsa pritej që segmenti i Egnatia të kthehej në një destinacion turistik, duket se mungesa e shërbimeve përgjatë, e mjeteve ndihmëse dhe mungesa e fragmenteve të dukshme të rrugës në pjesën më të madhe të saj, kanë bërë që edhe pas dy vjetësh pas projektit të Via Egnatia, turistët të jenë të paktë.

Gjurmët janë shprehje e rëndësishme e kësaj rruge ndërsa urat, lidhja me të kaluarën. Disa prej urave i përkasin periudhës romake, ndërsa disa të tjera periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës. Urat kryesore përgjatë “Via Egnatia” në qarkun e Elbasanit janë: Ura e Topçiasit, Ura e Keçit, Ura e Kasharajt, Ura e Fatishtës, Ura e Çopanajt, Ura e Haxhi Beqarit etj. Tre të parat janë ndërtuar gjatë periudhës romake dhe antikitetit të vonë.

Ura e Fatishës në Peqin  ruhet e plotë në pjesën e poshtme dhe e dëmtuar në pjesën e sipërme të saj. Gjithashtu në anën lindore ka pësuar një çarje. Ura është rreth tre metra e gjerë. Lartësia e qemerit prej guri kap lartësinë 0,56 metra. Qemeri është i ndërtuar me gurë të gdhendur të lidhur me llaç. Fasolo mendon se ura është ndërtuar në periudhën romake.  Mbi gjurmët e urës romake gjatë periudhës otomane është ndërtuar një urë e re.

Ura e Çopanajt gjendet mbi përroin me të njëjtin emër. Ajo ruhet në gjendje të mirë, duke u nisur nga fakti se rreth viteve 30-të të shekullit të kaluar mbi të është ndërtuar një urë moderne, përmasat e së cilës janë rreth 3.17 metra. Ura është e ndërtuar me gurë të gdhendur në formë katërkëndëshi, të lidhur me llaç gëlqereje. Qemeri i urës kap lartësinë 0,53 metra dhe është i ndërtuar me tulla romake të lidhura me njera-tjetrën me llaç. Studiuesit mendojnë se ura është ndërtuar në fillim të shek. II pas Krishtit, gjatë viteve të sundimit të perandorit Trajan.

Pa mbërritur në Elbasan gjendet “Ura e Jagodinës”. Në Jagodinë janë zbuluar mbetjet e një ure, e cila i përket periudhës romake. Ura ka qenë e gjerë 4,5 metra dhe ka një hark me orientim verilindje-jugperëndim. Këmba jugore e urës është e dëmtuar, ndërsa ajo veriore ruhet në gjendje të mirë. Harku përbëhet nga 15 rreshta tullash të cilat janë lidhur me njëra-tjetrën me llaç gëlqereje. Pjesa tjetër e urës është e ndërtuar me gurë të punuar në faqet e jashtme, ndërsa në brendësi është mbushur me gurë lumi të lidhur me llaç të bollshëm. Pjesa e brendshme e harkut është suvatuar me një shtresë llaçi.

Ndërsa vijmë në Elbasan përgjatë Shkumbinit në formën e një harku janë këmbët urës që mendohet se ka qenë edhe më e gjata ndër urat e rrugës Egnatia. E njohur si ura e Topçiasit, e cila gjendet pranë Elbasanit. Gjatësia e urës arrinte deri në 450 metra. Ura përbëhej nga 15 pilastra të vendosura në largësi rreth 10 metra nga njëra-tjetra. Pilastrat kanë formë pesëkëndëshe të zgjatur me majën e drejtuar kundër rrjedhës së lumit. Për ndërtimin e tyre janë përdorur blloqe gurësh katërkëndorë, të cilët lidhen ndërmjet tyre me llaç si dhe me ganxha hekuri të plumbosura.

Më tej pasi kemi kaluar Shushicën në anën tjetër të lumit Shkumbin shfaqet “Ura e Keçit” e vendosur në anën e djathtë të derdhjes së përroit të Gostimës në lumin Shkumbin. Konstruksioni i urës ka qenë me katër qemerë, që kishin hapësira drite rreth 14 metra. Harqet e qemerëve janë realizuar me tulla. Ura ka qenë e gjatë rreth 95 metra dhe daton në shek. II-III pas Krishtit.

Në Mirakë daton “Ura e Haxhi Beqarit” e cila shërbente për të lidhur fshatin Mirakë me zonën e Polisit. Ura i përket shek. II-III pas Krishtit. Qemerët e urës janë ndërtuar me tulla rreth 70 cm të trasha, ndërsa muret e faqeve të dukshme të murit jugor janë realizuar sipas teknikës opus incertum, e cila konsiston në një rresht gurësh të çrregullt dhe dy rreshta tullash. Ura e Haxhi Beqarit është shkatërruar nga gotët në vitin 479.

Pak tabela përgjatë fragmenteve të kalldrëmeve janë ftesa e vetme për të përshkuar si shumë shekuj më parë rrugën që lidh lindjen me perëndimin. Banorët janë ende në pritje të turistëve por kultura e shërbimeve thuajse nuk ekziston. Turizmi për këto zona mbetet një ëndërr e largët. konica.al