Në Ceuta të Spanjës, imigrantët afrikanë hedhin hapin e parë drejt Europës

Spanja tashmë ja ka kaluar Italisë si vendi kryesor që pret imigrantët, të cilët duan të shkojnë në Europë. Enklavat e imigrantëve Ceuta dhe Melilla në Spanjë, ndodhen pikërisht matanë skajit më verior të Marokut dhe i kanë tërhequr imigrantët për shekuj me radhë. Këtë vit ka patur një rritje të numrit të imigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin, ndërsa disa mijëra të tjerë flenë nëpër pyje, në anën marokene të kufirit, në pritje të një shansi për të kaluar në anën tjetër. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell ishte në Ceuta, prej nga na njeh me dilemën që përballen autoritetet spanjolle, ndërsa në shtetet e tjera europiane shtohet presioni për çështjen e imigrantëve:

Nga pika më veriore e Afrikës, Europa duket shumë pranë, një copë toke spanjolle, që prej kohësh ka qenë si magnet për imigrantët.

Ky është skaji më i largët i Europës: kufiri prej 8 kilometrash mes Bashkimit Europian dhe Afrikës. Përmes kufirit, apo duke kapërcyer gardhin me tela, imigrantët fillojnë të ëndërrojnë për një jetë të re në Europë.

Mëngjesin e 26 korrikut të këtij viti, 600 imigrantë mësynë gardhin me thirrjet “fitore”, duke hyrë në Ceuta. Kjo ishte një prej disa “çarjeve” më masive të kufirit në muajt e fundit.

Alfonso Cruzado punon për Rojen Civile të Spanjës, me detyrën për të siguruar kufirin. Ai thotë se sulmi i korrikut ishte shembulli më i fundit i rritjes së dhunës kufitare.

“Ata përdorën vegla të ndryshme të mprehta, gërshërë, çekiçë…Hynë me forcë, duke hedhur sodë kaustike, acid dhe shpërthyes artizanalë, për të mos na lejuar ne të afroheshim,”- thotë Alfonso.

Megjithë presionet e mëdha në kufi, qeveria spanjolle do ta heqë gardhin me tela, ngaqë shpesh ai u shkakton plagë të tmerrshme imigrantëve dhe do ta zëvendësojë atë me sensorë inteligjentë.

Fatima Mohamed Dos Santos është përfaqësuese e Ceutës në Partinë opozitare të Popullit, në Senatin e Spanjës. Ajo do që gardhi me gjemba të qëndrojë:

“Është si të bësh reklamë se gardhi është i depërtueshëm. Shumica e imigrantëve vijnë këtu për arsye ekonomike. Trafikantët e njerëzve e shfrytëzojnë mesazhin e kërkimit të një jete më të mirë,”- tha ajo.

Është një mesazh që e nxiti Mamadou Camara-s të largohet me mijëra milje larg shtëpisë, nga kryeqyteti Conakry i Guinesë, për të shkuar në Ceuta. Ky udhëtim i mori atij dy vjet, njërin prej të cilëve ai jetoi në pyll, në Marok. Ai ishte njëri prej 600 imigrantëve të korrikut.

Për të arritur në Ceuta, vetëm Zoti mund ta dijë se si vihet. Me dëshirën e tij unë munda të vij këtu”- thotë Mamadou.

Camara e kalon pjesën më të madhe të ditës në qendrën e imigrantëve të

San Antonios. Atje ofrohen mësime të spanjishtes, lojëra dhe kompjutera, një shans për të komunikuar me internet me familjen e tij. Shumica e imigrantëve këtu janë adoleshtnë, të cilët kanë ardhur vetëm.

“Në momentin që ata vijnë këtu, mund të flenë në një shtrat normal, situata është ndryshe. Por për ta ky nuk është momenti për të pushuar, janë në pritje për të hyrë në brendësi të kontinentit. Zakonisht ata kalojnë momente të vështira gjatë pritjes, kanë stres, apo bien edhe në depresion.”- thotë koordinatorja Maite Perez.

Ceuta është hapi përfundimtar në udhëtimin e imigrantëve drejt Europës. Spanja ka ngritur një kamp për strehimin e imigrantëve, që shpesh është i mbushur në dyfishin e kapacitetit.

Imigrantët duhet të presin radhën, nganjëherë për një vit, ose më tepër, që të hyjnë në brendësi të Spanjës. …Koha për të reflektuar për udhëtimin traumatik që i ka sjellë ata deri këtu, për të menduar për shpresat dhe të papriturat e një ardhmeje të panjohur.

VOA