Ndihma e RAF-it britanik për Greqinë dhe “stepja” e shqiptarëve përballë historisë

Ndoshta të gjithë e dimë, grekët po se po, por edhe ne shqiptarët gjithashtu. Por ndërsa mësonim historinë tonë, ky fakt thuajse nuk është përmendur fare në kurrikulat mësimore gjatë monizmit, e madje edhe sot e kësaj dite, pakkush kujtohet t’a vërë në dukje si një fakt të rëndësishëm historik edhe në botimet voluminoze më të detajuara e ciklet e dossier-eve më të trajtuara në mediat shqiptare.

Bëhet fjalë për rolin e Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF) në fushatën për mbrojtjen e Greqisë ndaj sulmit italian, apo më mirë të themi, gjatë Luftës Italo-Greke në vjeshtë 1940-pranverë 1941, para se gjermanët me një aksion “blitz” të rifusnin në lojë sërish italianët e ta ndanin territorin grek mes tyre, duke shpërblyer disi edhe aleatin tjetër të tyre Bullgarinë, me ca territore në verilindje të Greqisë. RAF-i do të rihynte sërish në lojë në vitin 1943 e sidomos në vitin 1944, por kjo është një histori tjetër.
Për t’u rikthyer sërish tek fushata italo-greke, e cila paradoksalisht u zhvillua në kufinjtë shqiptaro-grekë dhe që sot e kësaj dite akoma ngre kokë si një copëz historie që ndikon çuditërisht në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve, ia vlen të paraqisim për publikun disa foto që ilustrojnë aktivitetin shumë evident të skuadroneve të RAF-it britanik në ndihmë të ushtrisë greke, e cila operonte më së shumti në terren, ku shënuan një përparim spektakolar duke u futur thellë në tokën shqiptare.

Arkivat britanike e posaçërisht “Muzeu Perandorak i Luftës”, tashmë prej kohësh na japin një ide më të qartë të prezencës, rolit dhe kapaciteteve të Flotës Luftarake Britanike gjatë asaj periudhe, duke na bërë të besojmë edhe më fort se, edhe pse vetë grekët sigurisht se duhet të vijojnë të ndjehen krenarë me rezistencën ndaj italianëve dhe mirënjohës ndaj britanikëve, na mbetet ne shqiptarëve t’a vëmë në dukje më fort këtë fakt shumë të rëndësishëm historik, për të bërë krahasimin me pamundësinë që Shqipëria pati për t’i bërë ballë Italisë fare e vetme, e vogël, e pamundur, e varfër dhe e lënë në baltë nga ata që më vonë do të njiheshin si “Aleatët Antifashistë”.

Shqiptarët nuk patën mundësinë të kishin baza të RAF-it, apo qoftë edhe një ndihmë sado modeste në momentin që Italia i sulmoi ata pabesisht në vitin 1939, pasi kishin marrë të njejtën përgjigje refuzuese nga monarku shqiptar, siç do të merrnin edhe nga qeveria greke më shumë se një vit më vonë. Dhe ky është një tjetër paradoks që lidhet ndoshta me harresën kolektive historike të shqiptarëve, të cilët  pavarësisht asaj çka ndodhi më vonë, duhet t’i theksojnë më fort disa aspekte e rrethana historike që ngrenë peshë në vlerësimin sa më objektiv të historisë.

Për të kaluar në një rrafsh më konkret, na ndihmon diçitura e një fotoje shumë domethënëse, e cila mendja ta  do se njihet shumë mirë nga të gjithë grekët, me pamje nga ceremonia mortore e tetarit britanik, John Merifield, anëtar i Skuadronit  30 të RAF-it britanik, i pari dëshmor i Flotës Ajrore Mbretërore (RAF) në fushatën për mbrojtjen e Greqisë nga sulmi italian. Ai u vra gjatë ofensivës së parë të RAF-it më 6 nëntor 1940, kur skuadroni i tyre u sulmua nga skuadronet ajrore italiane, ndërsa RAF-i kishte ndërmarrë një inkursion mbi Vlorë, në territorin shqiptar.

Në një foto tjetër, shihen anëtarët e një avioni të Skuadronit 30 të RAF-it, të cilët bëjnë gati pajimet luftarake dhe nisen Eleusis, pranë Athinës, për të kryer misionin e tyre të bombardimit e goditur objektivat ushtarake italiane në Shqipëri. Po ashtu, në një tjetër foto, na shfaqet Komandanti i RAF-it për Greqinë, J H D’Albiac, në tavolinën e tij të punës në selinë e RAF-it në Athinë, në “Grande Bretagne Hotel” e kështu me radhë. Koleksioni në fjalë, posedon një sërë fotosh me cilësi shumë të mirë e që mbartin sigurisht vlera të rralla dokumentare, duke pasuruar kësisoj edhe vetë historinë tonë e jo vetëm atë të fqinjëve tanë.

Diçiturat:
Foto 1: Kortezhi funebër që përcjell arkëmortin e tetarit britanik, John Merifield, duke kaluar në një rrugë të Athinës  për të shkuar në Kishën Anglikane të kryeqytetit grek, ku i jepet dhe lamtumira e fundit. Merifield, një anëtar i Skuadronit  30 të RAF-it britanik, ishte dhe i pari dëshmor i Flotës Ajrore Mbretërore (RAF) në fushatën për mbrojtjen e Greqisë nga sulmi italian. Ai u vra gjatë ofensivës së parë të RAF-it më 6 nëntor 1940, kur skuadroni i tyre u sulmua nga skuadronet ajrore italiane, ndërsa RAF-i kishte ndërmarrë një inkursion mbi Vlorë, në territorin shqiptar.

Foto 2: Pilotët e Skuadronit 80 të RAF-it britanik, duke pushuar ndanë një avioni të tipit “Hawker Hurricane Mark I, V7599 ‘YK-Q’”, në Eleusis pranë Athinës.

Foto 3: Anëtarët e një avioni të Skuadronit 30 të RAF-it, bëjnë gati pajimet luftarake dhe nisen për në bordin e “Bristol Blenheim Mark I, K7095 ‘VT-G’”, në Eleusis, pranë Athinës, për t’u nisur me mision për të goditur objektivat ushtarake italiane në Shqipëri.

Foto 4: Dy avionë të tipit “Bristol Blenheim Mark I” ndërmarrin fluturimin për llogari të Skuadronit 30 të RAF-it nga baza e Eleusis, pranë Athinës, për të nisur bombardimet mbi territorin shqiptar të pushtuar nga italianët. Të dy avionët mbajnë predha dhe municion luftarak të jashtëm.

Foto 5: Drejtuesi i skaudronit 33 të RAF-it, Thomas St John “Pat” Pattle, dhe adjutanti i tij, Lejtnanti George Rumsey, duke pozuar para një “Hawker Hurricane” në Larissa, në provincën e Thesalisë, në Greqinë veriore, ku gjendej dhe një tjetër bazëe RAF-it britanik që ndërmerrte aksione kundër italianëve në territorin shqiptar.
Foto 6: Komandanti i RAF-it për Greqinë, J H D’Albiac, në tavolinën e tij të punës në selinë e RAF-it në Athinë, në “Grande Bretagne Hotel”.  /Shqiptarja/Armand Plaka