Ndeshja Serbi-Shqipëri, historia e dronit dhe e flamurit ”Autokton”, në dokumentarin “Triumph”

Lorik Cana dhe de Biasi në dokumentarin për dronin dhe ndeshjen Serbi-Shqipëri

Edhe tre ditë mbushen plotë tri vite nga ndeshja e parë e mbajtur mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kryeqytetin serb Beograd. Nuk ka shqiptar që atë ditë nuk e ndjeu veten krenar me atë që ndodhi midis fushës së madhe të futbollit në Beograd. Aty u lëshua droni me flamurin ‘”Autokton”, ku shfaqej harta e Shqipërisë së Madhe, bashkë me dy figura të shquara të kombit shqiptar, si ai i Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit.

Çfarë ndodhi në Beograd nuk ishte aspak e hijshme, duke pasur parasysh sjelljet e vrazhda të tifozëve serbë të cilët edhe eskaluan duke u futur në fushë e duke sulmuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Por ajo që ndodhi skaliti një histori të re midis këtyre dy kombeve. E krejt kjo histori erdhi si inspirim për shumë artisë. Disa bënë këngë e tashmë disa kanë bërë edhe film dokumentar. Një film, i cili nuk pretendon të mbetet brenda kufijve shqipfolës. Një film, i cili do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Varshavë, festival ky i cili mbahet në datat 19-20 dhe 21 tetor. Është “Triumph”, apo “Triumf”.

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama “Triumph” do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që për KultPlus, i ka shpalosur njëri nga regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkëregjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqisnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, tha fillimisht për KultPlus, Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregojë historitë që ngërthen në vete ky dokumentar.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në histori, siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e po ashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pohoi Jonuzi.

Ky projekt fillimisht u titullua “Beteja në Ballkan”, por pas kualifikimit, historia e rriti këtë parashikim. Kësisoj “Triumph” ishte ajo që, sipas Kreshnik Jonuzit e përfaqësonte më së miri këtë dokumentar, pasi këtë e ndjeu secili lojtar dhe pikërisht ky ishte drejtimi i tyre kryesor, pra për të triumfuar.

Në “Triumph” bëjnë pjesë personazhe si; Lorik Cana, Gianni De Biasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha e disa të tjerë.

Ky projekt, sipas Kreshnik Jonuzit ishte një rrugë e gjatë dhe ende nuk është përfunduar e tëra. “Ende nuk e kemi përfunduar. E kemi nisur procesin ditën kur droni ka parakaluar në Beograd. Kemi xhiruar përgjatë 2015-2016 dhe më pas e kemi edituar filmin deri këtë vit. Tani jemi në fazën kur po angazhohemi për të drejtat e autorit dhe po e çojmë dokumentarin në festivale. Shkuarja në Varshave shpresoj që do të na ndihmojë”, theksoi për KultPlus Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregojë se për në Festivalin e Filmit në Varshavë, fillimisht kanë aplikuar dhe para disa muajsh janë pyetur nëse duan ta kishin premierën botërore atje. Kreshnik Jonuzi tha se, kjo ftesë i ka nderuara dhe se mezi presin që ta shfaqin filmin e tyre premierë botërore në Varshavë.

Krejt në fund të këtij rrëfimi, Kreshniku tregoi se këtë film dokumentar e kanë bërë me buxhet shumë të ulët dhe kanë pasur ndihmë nga donacionet e komuniteteve në Amerikë. Ai tha se Lorik Cana ka qenë një ndihmë shumë e madhe për filmin që nga dita e parë e deri më sot. /Sarandë Selimi/