Ndërroi jetë Georg Ratzinger, vëllai i Papës së nderit

Prelati i moshuar bavarez ndodhej në Regensburg, qytet ku jetoi e ku, pak ditë më parë, u takua me vëllain. Ishin shuguruar meshtarë së bashku.

R. SH. – Vatikan

Georg Ratzinger, vëllai i madh i Papës së nderit, mbylli sytë në moshën 96 vjeçare. Lëngonte në Regensburg, qytet ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Me vdekjen e  tij, Joseph Ratzinger, që më 18 qershorin e kaluar përballoi udhëtimin e vështirë në avion për ta parë edhe një herë vëllain  në orët e fundme, humbet anëtarin e vetëm të familjes, ende gjallë. Të shuguruar meshtarë në të njëjtën ditë, njëri muzikant e mjeshtër i një kori të famshëm, me emrin tingëllues “Kori i Harabelave”, sepse i përbërë nga zëra të bardhë fëmijësh të mitur – tjetri, teolog, ipeshkëv, kardinal e Papë – qenë gjithnjë shumë të bashkuar.

Meshtar e muzikant i lindur

I lindur në Pleiskirchen të Bavarisë, më 15 janar 1924, Georg Ratzinger  kishte nisur t’i binte organos në kishën famullitare që kur ishte 11 vjeç. Në vitin 1935 hyri në seminarin e vogël të Traunstein, por më 1942 u rekrutua në Reichsarbeitsdienst e më pas edhe në Wermacht, në Forcat e Armatosura Gjermane, të cilat luftuan edhe në Itali. Më 1947, së bashku  me vëllain Joseph, hyri në seminarin e Herzogliches Georgianum, në Munih të Bavarisë. Më 29 qershor 1951 të dy vëllezërit u shuguruan meshtarë në Katedralen e Freising-ës, nga kardinali von Faulhaber. Pasi u emërua mjeshtër i Kapelës në Traunstein, për 30 vjet me radhë, nga viti 1964, deri më 1994, qe drejtor i korit të Katedrales së Regensburgut, kori i famshëm “Regensburger Domspatzen”.

Shëtiti në vende të ndryshme të botës, duke dhënë një mori koncertesh  dhe drejtoi shumë regjistrime radiofonike në Deutsche Grammophon, Ars Musici e në qendra të tjera diskografike, me prodhime kushtuar Bach, Mozart, Mendelssohn e autorë të tjerë me famë botërore.

Dy vëllezër të lidhur ngushtësisht

Dy vëllezërit ishin të lidhur ngushtësisht aq, sa Benedikti XVI shkruan:

“Që në fillim të jetës sime, im vëlla ishte për mua jo vetëm shok, por edhe prijës i besueshëm. Për mua ishte pikë orientimi e mbështetjeje me qartësinë e me vendosmërinë në marrjen e vendimeve. Më tregoi gjithnjë rrugën, në të cilën duhet të ecja, edhe në situata tejet e të vështira”.

“Im vëlla e unë – pati thënë Georg Ratzinger 11 vjet më parë gjatë një insterviste – ishim të dy ministrantë, ndihmonim të dy në meshë. Shumë shpejt e patëm të qartë se jeta jonë do të vihej në shërbim të Kishës”.

E, më pas, pati kujtuar fëmijërinë:

“Në Tittmoning Joseph mori krezmimin nga kardinali Michael Faulhaber, kryeipeshkvi i madh i Munihut, që i pati lënë mbresa të mëdha, aq sa pati pohuar se do të dëshironte të bëhej edhe ai vetë kardinal. Por vetëm pak ditë më pas, duke vërejtur bojaxhiun, që lyente muret e shtëpisë sonë,  pohoi se kishte ndërruar mendim e se do të bëhej bojaxhi”.

Të lidhur ngushtësisht edhe nga muzika

George pati folur edhe për muzikën, që i lidhte ngushtësisht:

“Në shtëpinë tonë të gjithë e donin muzikën. Babai kishte një çeste e i binte shpesh në orët e mbrëmjes. Këndonim të gjithë së bashku. Për ne kjo ishte ngjarje e madhe. Në Marktl mbi Inn, pastaj, ishte një bandë muzikore, që më joshte shumë. Mendoja se muzika është një nga gjërat më të bukura, që ka krijuar Zoti. Edhe im vëlla e ka dashur gjithnjë shumë muzikën”.

Pas vendimit të kardinajve, ishte Dora e Zotit

George Ratzinger, njeri i sinqertë, me sjellje pak diplomatike, nuk e fshehu kurrë se nuk u gëzua aq shumë, kur e mori vesh se i vëllai qe zgjedhur Papë, në prill 2005:

 “Duhet ta pranoj se nuk e prisja – pati thënë- e mbeta paksa i zhgënjyer… Duke pasur parasysh impenjimet e shumta, kuptova se marrëdhëniet tona  nuk do të ishin më aq të shpeshta. Sidoqoftë, pas vendimit njerëzor që morën kardinajtë, ishte Dora e Zotit, e kësaj Dore duhet t’i themi gjithnjë po!”.

Më 2011, i intervistuar nga një revistë gjermane, Georg Ratzinger pati thënë:

“Nëse nuk do të ketë mundësi ta kryejë detyrën në këndvështrimin fizik, im vëlla duhet të marrë guximin të japë dorëheqjen”.

E ishte pikërisht ai që e mori i pari lajmin e dorëheqjes së vëllait nga papnia:

“Mosha e bën të vetën – pati thënë – im Vëlla dëshiron pakëz qetësi në pleqëri”.

Por ai vetë, pa marrë parasysh ligështinë e këmbëve e të syve, shtegtoi disa herë drejt Romës, ku kaloi shumë kohë në Manastirin Mater Ecclesia, në shoqëri me Benediktin, sot në zi për këtë humbje të madhe!