NASA vë në dispozicion stacionin hapësinor për udhëtime private

NASA njoftoi të premten se do t’u vendosë në dispozicion kompanive private pjesë të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor që ta përdorin atë për një sërë qëllimesh, përfshirë misionet private të astronautëve.

Agjencia e hapësirës ka hezituar ta bëjë këtë në të shkuarën, por kostoja e operimit të stacionit hapësinor, që është një nga shpenzimet më të mëdha të agjencisë, llogaritet aktualisht nga 3 në 4 miliardë dollarë në vit, ose më shumë se 8 milionë dollarë në ditë.

Drejtuesit e NASA-s e ka bërë të qartë se agjencia dëshiron që t’ia kalojë sektorit privat kontrollin e stacionit hapësinor dhe rajonin e saj në hapësirë, orbitën e ulët të Tokës.

Duke e bërë këtë NASA mund të ketë më shumë fonde për të ndjekur misionet e saj më ambicioze, siç është ndërtimi i një stacioni të ri hapësinor rreth Hënës dhe dërgimi i astronautëve në sipërfaqen hënore.

Në fund të vitit 2018-s, agjencia përzgjodhi 12 kompani për të studiuar rritjen potenciale të një ekonomie në orbitën e ulët të tokës dhe si të stimulonte më mirë kërkesën për fluturime hapësinore me njerëz.

Por udhëtimi drej hapësirës kushton. Misionet private të astronautëve do të kufizohen në dy fluturime në vit, ose rreth 12 astronautë në vit dhe pritet të kenë një kosto të konsiderueshme.

VOA