Naim Frashëri, zjarri i flakërimit të përmallshëm mëmëdhetar

Nga Albert Vataj

Rilindasi ynë i madh, Naim Frashëri, shndriti si një yll i përmallshëm në qiellin e munguar të mëmëdheut. Pena dhe zemra e tij, flakatare i ndezën ëndrrat. Prush, përpushi në gjakun që vërshoi. Iku duke mbetur këtu mish e shpirt.
“Në mes tuaj kam qëndruar/E jam duke përvëluar,/Që t`u ap pakëzë dritë,/ Natënë t`ua bënj ditë./ Do të tretem, të kullohem,/ Të digjem, të përvëlohem,/ Që t`u ndrinj mir` e të shihni,/ Njëri-tjatërin të njihni./ Për ju do të rri të tretem, /Asnjë çikë të mos mbetem, /Të digjem e të qanj me lot,/ Se dëshirën s`e duronj dot./ Unë zjarrit nuk i druhem/ Dhe kurrë s`dua të shuhem,/ Po të digjem me dëshirë,/ Sa të munt t`u ndrinj më mirë… Janë këto “Fjalët e Qiririt” të Naimit. Eshtë ky një kushtim i mallshëm kushtrimi. Janë këto vargje të një zemre që digjet prej zjarrit të truallit. Këto mendime janë ata që gurrojnë prej shpirti që përpushet në hojet e një hovi të zëshëm kraharori që buçet.
E shpërthen ajo zemër e Naimit, gurron ai shpirt i mëmëdhetarit, e hymnizon me kaq ëmbëlsi e kaq dëshirimi, me kaq jehonë e kaq mall, e i’a nis këngës, e kungon të shenjtën e shtrenjtë të gjakut që i vlon e syrit që i’a shterr mungimi i magjepsjes të asaj bukurie që i ka mbetur larg e i’a zhurit ëndrrën.
O malet e Shqipërisë e ju, o lisat e gjatë,
fushat e gjera me lule q`u kam ndër mend dit `natë,
ju, bregore bukuroshe, e ju, lumenjt` e kulluar,
çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar,
do të këndoj bagëtinë që mbani ju e ushqeni
o vendëthit e bekuar ju mendjen ma dëfreni.
Ky mall për atdheun zë fill e merr jetë në këto vargje. Ky prush e përcjellë varg pas vargu e strofë pas strofe krejt poemën epike “Bagëti e Bujqësi” një prej himneve më të vetvetishme të historisë së kungimit shqip të fjalës dhe amës. Larg vendlindjes që e përkundi me ninulla epesh e legjendash, larg maleve dhe fushave që e frymojnë në çdo pore dhe e ngjethin në çdo kujtim, larg netëve të magjishme dhe mëngjeseve plot zhurma jetësore që e përshkojnë në kurmin që i’a zhurit mungimi.