Na intereson më shumë se politika, ajo që meritojmë si popull, jo për mëshirë por për vokacion perëndimor

“…neve si qytetarë na intereson më shumë se Edi Ramës dhe Lulëzim Bashës që Angela Merkel, Emmanuel Macron, Donald Tusk, etj. të na njohin “meritat”, sido dhe sado të jenë. Që ata të mos analizojnë dhe kontrollojnë me lupë nëse meritat e Tiranës politike dhe qeveritare janë vërtetë të tilla edhe për tregun politik të Brukselit, Berlinit, Parisit, Vjenës, Amsterdamit…”

Nga Xhevat MUSTAFA

Hapja e negociatave të pranimit në BE ishte e vazhdon të jetë një nga sfidat më të forta për politikën shqiptare në përgjithësi, e veçanërisht për qeveritë Rama 1 dhe 2. Kuptohet, për kryeministrin përbën edhe një sfidë personale. Aryeja apo llogaria është e thjeshtë . Kapërcimi i saj i mundëson të pasurojë CV- e tij politike dhe qeverisëse me një sukses jo të vogël. Njëkohësisht këtë ai mund ta përdorë gjatë edhe si argument të fortë për t’ia njohur e pranuar edhe si meritë eskluzive personale dhe ekipore, sidomos në zgjedhjet lokale më 2019 dhe ato parlamentare më 2021. Apo për ta shfrytëzuar në vend e në botë si argument se gjatë qeverisjes së tij Shqipëria nuk pati “hope” apo “suksese” vetëm në fushat e kanabizimit dhe trafikut të drograve; të ortakërisë së politikës dhe qeverisjes me krimin shumëformësh; të pastrimit të miliardave prej tyre në projekte të mëdha në ndërtim apo kulla, infrastrukturë , turizëm, shendetsi…Në të kundërt, kryeministri dhe stafet e tij dështimin në këtë fushatë, pra mos- hapjen e negociatave në fund të qershorit, larg qoftë jo edhe në fund të dhjetorit 2018, nuk e njeh dhe pranon si humbje personale, ekipore, “rilindase”, por më së shumti si keqdashje nga disa qarqe politike të së djathtës në BE. Apo, edhe si rrjedhojë e punës minuese, disktetituese apo baltosëse kundër qeverisë Rama nga opozita …Por, duket e kuptohet se vetëlavdërimet për suksese dhe merita, sidomos në fushën e reformave në drejtësi e në luftën kundër kriminalitetit dhe informalitetit, nuk po i japin Edi Ramës kartën dhe kënaqësinë që pret, duke i shkaktuar atij nervozizëm të pafshehshëm. Merren me mend shkaku apo arsyeja. BE-ja, kryesisht Gjemania, Franca, Holanda…, edhe pse për diplomaci apo kortezi, i pranojnë disa suksese allashqiptare në këto drejtime, kanë informacion të bollshëm, nga Tirana e nga burime në vendet e tyre, se Shqipëria është akoma shumë larg standarteve dhe ka akoma disa detyrime apo “detyra shtëpie” për të kryer, për të marrë me gjysmë zemre dhe zëri, Ok për hapjen e negociatave. Njëkohësisht edhe se politikanët dhe qeveritarët e Tiranës, sipas një tradite apo zakoni të vjetër, i fryjnë si tullumbace sukseset e tyre të vogla e të pakta, për t’ua shitur atyre si merita të mëdha. Edhe në takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel, më 25 prill 2018; edhe gjatë vizitës në Francë dhe takimit me presidentin Emmanuel Macron, më 15 maj 2018; edhe në Samitin e Sofjes, më 17-18 maj 2018, kryeministri ynë Edi Rama, e përsëriti me dhe pa takt kërkesën e tij se Shqipërisë nuk i duhet vonuar më hapja e negociatave, sepse ai dhe qeveria e tij kanë merita të padisktueshme, se Shqipëria e tij ka bërë “progres befasues”, e tj.etj. Shkurt e shqip, ai u tha, jo vetëm si lypës, por edhe pa e përmbajtur tonin kërcënues, liderëve të vendeve kryesore të BE-së ” Na njihni meritat dhe progresin!”. Në nëntekst kuptohej edhe mesazhi bajat: ” Na hapni derën, se përndryshe lidhemi me Rusinë e Putinit dhe me Turqinë e Erdoganit. Pse jo, edhe me Konferencën e Vendeve Islamike, Kinën…”

Kuptohet se neve si qytetarë na intereson më shumë se Edi Ramës dhe Lulëzim Bashës që Angela Merkel, Emmanuel Macron, Donald Tusk, e tj. të na njohin “meritat”, sido dhe sado të jenë. Që ata të mos analizojnë dhe kontrollojnë me lupë nëse meritat e Tiranës politike dhe qeveritare janë vërtetë të tilla edhe për tregun politik të Brukselit, Berlinit, Parisit, Vjenës, Amsterdamit…Neve na leverdis që ata të binden dhe ndiejnë keqardhje e mëshirë se duke e zgjatur së tepërmi aktin e hapjes së negociatave përkthehet në shqip tejzgjatje e mbetjes në “ferr” e qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë.

Megjithatë , në vetvete e jo për të na e marrë vesh Brukseli, Berlini, Parisi, Amsterdami…, mund të shtrojmë pyetjen: Cilat i pandeh, llogarit, reklamon apo propagandon si merita Edi Rama?

– Reforma në drejtësi, Vettingu, “rritja ekonomike”, kapja e disa tonelatave drogëra dhe e disa “peshqve”…- mund të përgjigjen flakë për flakë kryeministri, ERTV-ja, disa “avoketër mbrojtës”, “bojaxhinj” apo fasadaxhinj të tij.

Por, është shumë domethënëse dhe kundërvënëse ndaj propagandës qeveritare se më 16 maj 2018, kur sapo ishte kthyer nga Parisi, ku ishte raskapitur t’i mbushte mendjen presidentit francez Macron për “merita” dhe “progres befasues” të Shqipërisë, kryeministri ynë u prit në Tiranë nga një sondazh i KE-së. Sipas rezultateve të tij, qytetarët e Shqipërisë ishin shprehur se “ndjeheshin më të pakënaqurit e më të palumturit dhe se kanë cilësinë apo standartin më të ulët të jetesës në Evropë”.

Edi Rama, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Ditmir Bushati, Agron Ahmetaj… e kanë bërë gjoksin gropë duke u mburrur për Vettingun dhe përgjithësisht për reformën në drejtësi. Por, nëse bëhet një analizë e thellë, e pastër, e ndershme, e paanshme, pra jo allashqiptarshe, do të dalin shumë fakte që shprehin apo përcjellin mesazhin se reforma në drejtësi, me ato që janë bërë dhe nuk janë bërë, në të vërtetë nuk është në nivelin që e reklamojnë qeveria dhe propagandistët e saj, shqiptarë e ndërkombëtarë. Për “frytet” e deritanishme ajo nuk mund të cilësohet dhe pranohet si e suksesshme, e besueshme dhe e përjetueshme. Eshtë fare e thjeshtë dhe e shpjegueshme pse kjo bindje është masive, tek shumica e qytetarëve. Sepse nuk ka suksese në ekonomi, në reforma, pa u dukur dhe shprehur në nivelin e jetesës, në mirëqenien e përditshme e të përvitshme të shumicës së qytetarëve, mbijetesa e të cilëve varet nga rrogat, pensionet dhe nga qesharakja “mbeshtetje sociale”. Dihet mirë se ka rreth 4 vjet që këto janë “harruar” të rriten në fillimvit apo nga 1 prilli, qoftë edhe si rimbursim të inflacionit, rritjes së çmimeve e të taksave. De facto, tek ne kanë qenë dhe janë të tria shumë larg, deri në dhjetë herë më të ulta, se sa në shumicën e vendeve të BE-së , të cilave guxojmë t’u mbushim mendjen se e meritojmë të jemi bashkë me ata. Do të ishte më e këshillueshme, më e ndershme, më e pranueshme në qoftë se Edi Rama dhe Ditmir Bushati të ishin më të sinqertë në kërkesën e tyre për hapjen e negociatave në fund të qershorit 2018. Duke e vlerësuar si publicist e si skrupuloz në kulturën e të shkruarit në përgjithësi dhe sidomos për drejtshkrimin, gjykoj se Edi Rama nuk ka nevojë për redaktor e korrektor, për t’i dhënë mend se si mund ta formulojë më mirë kërkesën e tij për Brukselin. Për mua personalisht dhe subjektivisht, kërkesa e tyre dhe e jona si popull e si vend, do të fitonte më shumë e më lehtë zemra dhe pikë ndërkomëtare mbështetjeje në qoftë se do të shprehej përafërsisht në këtë formë, edhe me pak humor: “Na njihni “furgonin” me merita e meritëza, por mos na e kqyrni maunen me mosarritje, dështime, vonesa, skandale, turpe në vend e nëpër botë, sidomos me trafiqet e drograve, bandat e krimeve, vargun e gjatë të koncensioneve, tenderave…As mos e kujtoni pendimin e zhgënjimin tuaj nga mëshira dhe zemërgjërësia e treguar shumë vite më parë me Greqinë , Bullgarinë , Rumaninë , Kroacinë, Slovakinë ..Ashtu si me këta, tregoni keqardhje dhe mëshirë edhe për ne, domethënë për qytetarët shqiptarë, të cilët edhe sipas sondazheve të juaja dalin se janë më të pakënaqurit, më palumturit, më të varfërit në Evropë !”

Duhet të kemi parasysh se ndërsa qeveritarët dhe liderët tanë u flasin për merita të shumta e të padiskutueshme, liderët e vendeve dhe institucioneve kryesore të BE-së nuk befasohen dhe çuditen. Ata kanë informacione të bollshme, të hershme e të freskëta për gjithçka ka ndodhur dhe ndodh, sipas skenareve të vjetër e të rinj, në Shqipërinë e djeshme e të sotme, duke filluar, të paktën, nga 12 dhjetori 1990. Kuptohet se janë të mirinformuar se shifrat dhe faktet e qeverive të Tiranës, se përpjekjet e tyre për të reklamuar sa më shumë suksese, fitore, arritje, rritje, përmirësime…, nuk mund të merren as si të vërtetë e as të besueshëm. Biles, atyre që janë mbi të pesëdhjetat, u kujtojnë serialin apo malin e “fitorjeve” të Enver Hoxhës, deri sa u gremis në ferr. Prandaj, disa prej tyre mund të thonë me vete apo me njëri-tjetrin: Mos na hani kohë shumë për të na mbushur mendjen me meritat e juaja, se i njohim shumë mirë si janë në të vërtetë!” Disa të tjerë mund të ndiehen edhe të fyer me të drejtë. Në këto kushte edhe mund të thonë: More, për çfarë na pandehin neve këta qeveritarët dhe politikanët e Shqipërisë? Miopë apo naivë? Merret me mend gjithashtu se ata kanë informacion të bollshëm për faktin se “Rilindja”, sidomos në mandatin e parë, u fali mandate dhe pushtete deputeti, ministri, zv.ministri, kryebashkiaku, prefekti, drejtori të përgjithshëm,..njerëzve me dosje, me të kaluar, lidhje dhe pasuri kriminale. Merret me mend se ata, jo vetëm nga gazetarja kurajoze Ambrozia Meta, më 18 maj 2018, e dinë dhe e kuptojnë shumë mirë përse Edi Rama e ka shumë të vështirë të gjejë në gjirin e madh e të pasur të PS-së dy vetë pa asnjë lidhje ose përfolje me trafiqet e drograve dhe me krimin e formave të tjera, për ministër të brendshëm, të drejtësisë …

Neve si qytetarë na intereson që Merkel e Macron “të marramenden e mashtrohen”, si jo pak shqiptarë, nga “meritat” dhe “lotët e krokodilit” të Edi Ramës, Gramoz Ruçit, Ditmir Bushatit, Taulant Ballës, Lulëzim Bashës, Monika Kryemadhit…, për popullin e tyre. Në të vërtetë, në thellësi, liderët e BE-së nuk mund të mashtrohen, sepse nuk janë as naivë e as pa përvojë në raportet me politikanët dhe qeveritarët e lartë të vendeve të ish Lindjes Socialiste në përgjithësi e të Shqipërisë, në rreth 25 vjet. Nëse do t’ ua japin këtë iluzion dhe kënaqësi qeveritarëve të Tiranës, nëse mund ta bëjnë këtë lëshim dhe të na i hapin negociatat në fund të qershorit 2018, do t’i bëjnë këto, për arsyen se ndiejnë sinqerisht keqardhje e mëshirë për “ferrin” që po përjetojnë shumica e qytetarëve të Shqipërisë. Me siguri, mendojnë edhe një avantazh tjetër, që do të ketë hapja e negociatave. Kështu BE- ja do të ketë mundësi t’i ndihmojë shumë më tepër qytetarët hallemëdhenj të Shqipërisë për t’u vënë frerë pangopshmërisë, paskrupullsisë , papërgjegjshmërisë, mashtrimeve, abuzimeve me ligjin dhe jetët e njerëzve, pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe qeveritarëve të të gjitha niveleve në Shqipëri. Pasi të jetë arritur kjo “mrekulli”, mund të vijë edhe dita që të flitet seriozisht dhe sinqerisht për merita nga politikanët dhe qeveritarët e Tiranës.