Mur në kufirin Mal i Zi-Shqipëri? – Kreu i opozitës malazeze hedh propozimin

Kreu i opozitës në Mal të zi, Nebojsa Medojevic, deklaroi së fundmi se, Mali i Zi duhet të ndërtojë një mur në kufi me Shqipërinë dhe me të “ashtuquajturën” Kosovë.

Medojevic është një politikan populist, që ndjek linjën e Beogradit dhe është në krye të partisë për ndryshim, parti e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet presidenciale  të vitit të kaluar.

Kjo deklaratë e tij nxiti reagime të ashpra brenda vendit. Kreu i opozitës është detyruar të sqarojë fjalët e tij, por pa u tërhequr nga ideja e ngritjes së një muri në kufirin mes dy vendeve.

“Deklarata ime sinjalizon se muri është një nga zgjidhjet e mundshme për t`u përballur me bandat në Mal të Zi dhe dy vendet fqinje. Ky mur nuk duhet ndërtuar për shkak të njerëzve, shqiptarëve apo malazezëve, por për të na mbrojtur ne nga mafia malazeze dhe shqiptare, që e kanë kthyer kufirin në një El Dorado, me trafikun e drogës, armëve, cigareve, refugjatëve dhe çdo gjëje tjetër që mund të shitet në tregun e zi. Muri do të jetë për mbrojtje nga mafia, dhe jo nga njerëzit”-nënvizon ai.

Madje, kreu i opozitës ka vendosur në dispozicion të publikut edhe një hartë të trafiqeve të ndryshme në rajon, ku Shqipëria duket se dominon. Medojevic ka kërkuar edhe rikthimin e ushtrisë në kufi për këtë qëllim.

Roel Korkuti / SCAN