Muaji i Ramazanit, koha për të dëgjuar shpirtin

Fillimisht, do të ishte shumë mire që të lexoheshin edhe njëherë artikujt e shkruar për muajin e Ramazanit, për ta vlerësuar sa më shumë këtë muaj të bekuar. Veçanërisht “Traktati i Ramazanit” i Bediuzaman Said Nursiut do të ishte mire që të të lexohej duke u studiuar dhe diskutuar bashkarisht.

Agjërimi gjatë muajit të bekuar të Ramazanit është një ndër adhurimet më të rëndësishme. Së bashku me namazin, zekati përmendet më së shumti, në tridhjetë e kusur ajete të ndryshme të Kuranit, mirëpo – siç e dini – për agjërimin janë caktuar faqe të tëra të Librit të Madhërishëm. Madje agjërimi shumë here është përmendur edhe si një adhurim dëmshpërblyes për mëkate që mund të jenë kryer. Ka mëkate për të cilat është menduar se duhet agjëruar 60 ditë, 10, e ndonjëherë tri ditë. Dhe kjo do të thotë se ai është faktori më i rëndësishëm për t’i shlyer e për t’i shkrirë ato mëkate është agjërimi, duke luajtur kësisoj rolin e një elementi pastrues dhe lartësues për qenien njerëzore.

Agjërimi i sinqertë

Agjërimi gjatë Ramazanit, duke qenë se është një detyrë e kryer drejtpërsëdrejti ndaj Allahut (xh.sh.), është një adhurim që duhet të kryhet me një vetëdije të forte robërimi. Ndaj ajo ka, pa dyshim, një varg urtësish dhe arsyesh pse është i këtillë. Sepse janë posaçërisht këto lloj adhurimesh që tregojnë pikërisht atë pjekuri të shpirtit që do të shikojë Allahu te besimtarët, që tregon pikërisht atë pjekuri që tregon edhe se cila është cilësia e parajsës e lumturisë së përjetshme që meriton kjo lloj pjekurie shpirtërore. E thënë me një gjuhë më të thjeshtë, këto mund të quhen ndryshe edhe adhurime të caktuara për ta bërë njeriun të denjë për të qëndruar pranë Allahut, duke u kthyer në meritues të lumturisë së përjetshme.

Prandaj, edhe pse te to mund të vërehen një varg dobish të kësibotshme, një varg urtësish, që edhe pse mund të duken sit ë dukshem, ato kanë sa e sa ndikimi dhe rezultate akoma edhe më të thella. Domethënë këto e shndërrojnë njeriun nga një qenie profane në një qenie që meriton përjetësinë. Pikërisht atë njeri që e ka të vështirë që ta shohë Allahun (xh.xh.), i cili është shtatëdhjetëmijë perde larg Allahut, ngrihet drejt lartësish metafizike prej nga mund të shihet vetë Allahu. Njeriut, që nuk zotëron dot pasuri sa për të kërkuar kënaqësinë e Allahut, sado që të jape në këmbim, i jep atij pëlqimin hyjnor. Andaj edhe, kur e trajtojmë, Ramazanin duhet ta shohim sit ë tillë. Me një fjalë kemi të bëjmë me një mundësi dhe mirësi shumë të rëndësishme të Allahut që i është dhënë njeriut për të merituar Xhenetin dhe për t’i falur atij pjekurinë e nevojshme për të dëshmuar bukurinë e Allahut (xh.xh.)

Vetëm se agjërimi duhet mbajtur ashtu siç është caktuar prej Allahut të Madhërishëm, pikërisht sipas domethënies që Ai i ka dhënë të agjëruarit. Dhe, që besimtari të mund të marrë rezultatin e synuar prej muajit të Ramazanit dhe që të mos i thonë: “Të të vijë turp!”, njeriu nuk duhet ta privojë veten vetëm nga të ngrënët dhe të pirët, por duhet t’u qëndrojë larg edhe gjërave të shëmtuara siç është të merresh me gjëra të kota, të pakuptimta, dhe aq më pak me gënjeshtra apo përgojime, të cilat bëjnë pjesë ndër mëkatet më të rrezikshme. Ai duhet të distancohet prej gjërave të panevojshme, t’u qëndrojë larg fjalëve të tepërta, duke e hapur dhe mbyllur gojën veçse për gjëra të hairit. Dhe, me ato fjalë që i kemi përsëritur kaq e kaq here: ta zbukurojë gjuhën me bashkëbisedimin e përshpirtshëm për më të Dashurin e shpirtrave. Poashtu duhet t’i ketë nën kontroll edhe sytë. Të mos shohë nga e ndaluara, t’i shikojë me kujdes gjërat që sheh, t’i interpretojë drejt, duke nxjerrë domethëniet më të thella nga çdo gjë.

Po, një besimtar duhet t’i mbajë edhe veshët larg prej bisedave të cekëta, të zhytura në ndotësi dhe mëkate të ulëta, duke i hapur ata veçse drejt bisedave rreth bushtit të Kuranit, apo rreth fjalësh të tjera të bukura. Dhe, ashtu siç vë gojën dhe organet e brendshme të trupit të agjërojnë – e thënë me fjalë të tjera – t’u qëndrojë larg gjërave problematike, ashtu siç e ka privuar trupin nga të ngrënët dhe të pirët – madje jo vetëm nga gjërat problematike, por ai nuk duhet t’i qaset asgjëje që qëndron brenda qerthullit të së padobishmes, duke i pare edhe ato si mëkate e gjëra të ulëta që ia poshtërojnë shpirtin. Kësisoj, siç thonë edhe të parët tanë, t’i vërë të gjithë gjymtyrët dhe shqisat në agjërim, duke ia falur kënaqësinë e agjërimit si trupit, ashtu edhe shpirtit.

Nga ana tjetër, nëse ka diçka që është më e rëndësishmja tek agjërimi, ai është sinqeriteti. Robi, teksa agjëron, duhet të jetë përherë i kapluar nga sinqeriteti për atë që po bën, domethënë, duke e parë atë si një dhuratë që ia ka falur Allahu i Madhërishëm (xh.xh.) dhe duke mos përfshirë në të asnjë synim tjetër, pos pëlqimit të Zotit. Madje, edhe më tej, ai  duhet të mendojë vazhdimisht se “unë nuk agjërova dot ashtu siç duhej, s’e kryeva dot siç duhej dhe nuk e shfrytëzova dot siç duhet këtë muaj të bekuar. Sepse, në të kundërt, kryerja e gjithçkaje vetëm për të rënë në sytë e të tjerëve, apo përpjekja për t’ua bërë të ditur të tjerëve se “ke agjëruar kështu apo ashtu”, apo “se unë e mbaj agjërimin kështu e ashtu. Sepse mendjemadhësia dhe hipokrizia duke thënë se “unë çohem natën e bëj këtë apo atë”, duke treguar se gjoja adhurimet e tua janë më të thella, sepse të gjitha këto janë pengesa të sinqeritetit, çka e bëjnë agjërimin një barrë si ajo që përshkruhet në hadithin profetik: “Ka sa e sa njerëz që agjërojnë, që të ndenjurit pa ngrënë dhe pa pirë nuk do t’u japë kurrfarë dobie veç urisë dhe etjes.

Prandaj, krahas agjërimit njeriu duhet të lidhet fort pas Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Sepse marrja e agjërimit prej Tij nga ana juaj dhe përpjekja për të përfituar diçka jashtë kënaqësisë së Tij bie ndesh edhe me urtësinë e Tij. Sepse Allahu (xh.sh.) na thotë kësisoj: “Agjërimi nuk mund të mbahet vetëmse për të fituar pëlqimin Tij, andaj edhe jam vetëm Unë që mund ta jap shpërblimin e tij.”

Tani, çdo adhurim mund të ketë një sere dobish, urtësish dhe arsyesh të urdhërimit përsa i përket jetës së kësaj bote. Për shembull, zekati është si një urë, e cila shndërrohet në një element lidhës mes klasës së të skamurve me shtresën e kamur të shoqërisë. Bie fjala, njeriu shkon në haxh, por haxhi është edhe një kongres i mbarë myslimanëve në të njëjtën kohë; edhe atje mund të ketë disa gjëra të bukura që i përkasin kësaj bote… Mirëpo agjërimi nuk ka asnjë aspekt të këtillë eksplicit, por ai i përket vetëmse Allahut (xh.xh.). Shpërblimi i tij është falja e mëkateve. Profeti ynë i dashur na thotë se, “Kush agjëron gjatë muajit të Ramazanit, duke i besuar shpërblimit dhe duke e pritur atë vetëmse prej Allahut (xh.sh.), atij i fallen të gjitha mëkatet e shkuara.” Po, nëse njeriut, me çdo agjërim të muajit të Ramazanit i falen të gjitha mëkatet e vitit të shkuar, atëherë ai shkon pranë Allahut i pastruar nga çdo mëkat që mund të ketë kryer. Dhe një njeri i këtillë po që ka dale i fituar, sepse e ka përdorur siç duhet kohën përgjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Andaj, ky njeri nuk mund të rrëzohet asnjëherë, as këtu, as në botën e varrit, e as në ditën e gjykimit… Po të doni, mund ta shihni edhe si njeri që nuk do të pësojë asnjëherë humbje në vlerat e tija njerëzore.

Ramazani dhe vendosja e frerëve ndaj egos

Një tjetër çështje shumë e rëndësishme është edhe edukimi i egos përmes agjërimit, siç thuhet edhe në Traktatin e Ramazanit të Bediuzaman Said Nursiut. Një njeri që agjëron, me këtë adhurim të tijin, thotë: “T’ia tërheq edhe pak këta frerët kësaj egos sime, ta drejtoj edhe pak drejt Allahut (xh.sh.). Ta mësoj atë të flasë pak, të hajë pak dhe të flejë pak. Të përpiqem që të fitoj ato aftësi, virtyte dhe grade që fitohen përmes shkaktimit të vuajtjeve vetes në rrugëtimin e lartësimit shpirtëror dhe ta shoh agjërimin gjatë muajit të Ramazanit edhe si një stinë të mësimit të vetes me të jetuarit me pak e duke u marrë vetëm se me ato punë që janë më të dobishmet për shpirtit. Sepse thelbi i kësaj të fundit është pakësimi me sa të mundësh i të ngrënit dhe i të pirit, madje aq sa të mos hash më shumë se disa kafshata bukë dhe disa gllënjka ujë në ditë, me pak fjalë, të hash vetëm aq pak sa të mos vdesësh dhe kjo të zgjasë plot dyzet ditë. Dhe, nëse nuk do që të mjaftohesh me kaq, atëherë mund të vazhdosh me dyzetditëshin e parë, me dyzetditëshin e dytë, e kështu me radhë.

Të gjitha këto janë gjëra që bëhen për t’i rikthyer shpirtit njëfarësoj fuqinë e tij. Nëse kjo nuk bëhet për të fituar pëlqimin hyjnor, nëse synim nuk është kënaqësia e Allahut, atëherë i gjithë ai mundim e ato vështirësi do të jenë fare të padobishme. Njeriu mund të jetë i krijuar për të arritur disa gjëra të jashtëzakonshme; mund të shohë se është metafizika që i jep formë fizikës, aq sa me një shikim të mund t’i vërë flakën sobës atje tej. Mirëpo asgjë syresh nuk bart ndofarë vlere tek Allahu (xh.sh.). Po, frenimi dhe kufizimi i egos përmes agjërimit është një dinamikë shumë e rëndësishme. Prandaj edhe njerëzit e Allahut i kanë pasur kufizuar vazhdimisht egot e tyre, duke ngrënë dhe duke pirë vetëm sa për të mbetur gjallë, duke i ruajtur dhe duke i mbajtur shpirtrat e tyre në formë. Po ashtu, edhe përftimi i forcës dhe fuqisë që bëjnë jogit duke ndenjur të etur dhe të uritur, apo ajo që u bëjnë mistikët egove të tyre duke u shkaktuar vuajtje dhe tortura nga më të ndryshmet vetes, janë ndodhi që e kanë treguar se e lartësojnë njëfarësoj shpirtin njerëzor. Mirëpo, as jogit, as këta lloj mistikësh, nuk do të përfitojnë dot kurrgjë në emër të amshimit të tyre. Sepse të ndenjurit të uritur dhe të etur, apo kufizimi në maksimum i tyre, kanë vlerë vetëmse kur bëhen për të përfituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.). Dhe kënaqësia e Allahut fitohet vetëm kur adhurimet që kryen i kryen vetëmse për hir të Allahut (xh.xh.). Ja pra, ku del, se agjërimi gjatë muajit të Ramazanit bart potencialin për t’u dhënë njerëzve pikërisht ato arritje që njerëzit e Zotit i kanë fituar përmes kufizimit të egos së tyre, duke ngrënë dhe duke pirë vetëm sa për të mbetur gjallë. Sepse edhe Ramazani është po ashtu një kufizim i egos.

Me rastin e agjërimit të Ramazanit të bëhet e mundur edhe që të jetosh njëfarësoj i çliruar dhe i pavarur nga të gjitha zakonet e përftuara, veset apo varësitë e ndryshme që mund t’i kesh krijuar vetes. Sepse, kur e mësojmë egon me uri dhe me etje, do ta kemi më të lehtë që t’u bëjmë ballë atyre nëse në një tjetër kohë do të mbeteshim të kushtëzuar për të mos pirë ujë, apo për të ngrënë ushqim.Të vjetrit thoshin kështu: “Braktisja e zakonit të shkatërron: Braktisja e zakoneve (të krijuara) dhe e varësive është prej faktorëve që të çojnë drejt shkatërrimit.” Ti mësohesh me të ngrënë e me të pirë, apo duke ngrënë e duke pirë disa gjëra të caktuara. Mirëpo myslimani – siç është shprehur vazhdimisht nëpër vende të ndryshme – duhet ta mësojë veten asisoj që të mund të mbijetojë edhe në kushtet më të vështira, si të ishte një komando. Ja, kjo është ajo që na meson muaji i Ramazanit.

Madje kushedi se ç’dhurata mund të jetë duke u falur Ramazani të qashtërve që ngarendin sa këtu atje për të edukuar brezin e ri. Sepse, të bësh syfyr dhe iftar në rrugën e shërbimit ndaj njerëzve, ata, që ndoshta u duhet të udhëtojnë me kilometra nga njëri vend në tjetrin, megjithëse janë duke agjëruar, kushedi se ç’fryte sa për mijëra vite do të jenë duke përfituar.

T’i vësh frerët egos sate do të thotë njëherazi edhe që të qëndrosh në vigjilencë të plotë ndaj fatkeqësive dhe të këqijave që mund t’u vijnë fesë apo popullit tënd. Do të thotë të kryesh detyrat e kauzës që i ke besuar. Me pak fjalë, do të thotë që të vësh në pah cilësinë e “të dedikuarit”. Çdo hap që hedh njeriu i dedikuar për hir të arritjes së qëllimit dhe synimeve të tij, çdo hap i hedhur do t’i falë atij shpërblimet e të qenit në krye të detyrës për të mbrojtur fenë tënde. Lëre pastaj nëse ky shpërblim do të jepet përmes begatisë së muajit të Ramazanit!.. A mund ta përfitojë dot çdokush një shpërblim të këtillë? Po, të gjithë mund të përfitojnë prej këtij shpërblimi, disa sipas sinqeritetit në zemrën e tyre, disa sipas thellësisë së nijetit e disa të tjerë sipas shkallës së afërsisë me Allahun (xh.sh.). Në hadithin profetik tregohet një horizont atje tej që duhet arritur. Ajo është gjendja e atij që e fiton shpërblimin të plotë, mirëpo edhe pse jo çdokush mund të shpërblehet njësoj me atë, gjithsecili do të përfitojë sadopak prej të njëjtit fryt.

Muaji i Ramazanit ka edhe një anë tjetër, atë të vëllazërimit dhe të miqësisë. Njeriu fillon të mendojë përmes agjërimit: “Kushedi në ç’gjendje duhet të jenë ata që nuk gjejnë dot asgjë për të ngrënë, apo për të pirë.” Do ta kuptoni më mirë gjendjen e tyre kur jeni vetë të uritur dhe kjo ju bën që t’ju zgjohet fort ndjenja e bujarisë. Kësisoj populli e ka ushtruar aq shumë këtë lloj sjelljeje, sa që e ka shndërruar atë në zakon; asisoj që të gjitha ato të mira, kontribute, zekate dhe sadaka, i bëjnë me rehatinë më të madhe të shpirtit me të ardhur muaji i bekuar i Ramazanit, pa pritur që t’u zgjohet ndjenja e bujarisë. Ja pra, siç e shihni, ata japin sadaka, ngrenë ngrehina përmes gurëve të sadakasë. Ndërsa tani, në vend të atyre gurëve, ngrenë çadra të sadakasë dhe thonë: “Këtu janë mbushur sofrat e qerasjes së Allahut (xh.sh.), kush të dojë të vijë të marrë, pa pagesë!” E ndoshta është pikërisht vetë Allahu (xh.sh.) që ua zgjon këto ndjenja bujarie, këto ndjenja bamirësie. Por ndoshta është edhe vetë populli që e ka kthyer atë në zakon, duke e praktikuar vazhdimisht, pa e ndërprerë asnjëherë.

Njeriu që i vlerëson siç duhet të gjitha këto, begatinë e muajit të Ramazanit dhe të gjitha mundësitë e pakapshme në asnjë periudhë tjetër të vitit, që vijnë me të, nuk i bie kokës me grushte kur kalon Ramazani. Sepse ai njeri fiton një pozitë të veçantë, atë është e vështirë ta rrëzosh, duke u shndërruar në një njeri që nuk i gjen dot asnjë anë për ta share. Ai e ka vlerësuar siç duhet muajin e Ramazanit dhe kështu ka merituar faljen e Allahut (xh.sh.)… Njërin nga dy gëzimet e ka shijuar çdo ditë në sofrën e iftarit.. ndërsa tjetrin do ta shijojë kur të shkojë pranë Zotit të tij.