Monsinjor Luçjan Avgustini, famullitari i Shkodrës, prifti shqiptar që mrekulloi botën në Paris

Një ndër episodet që ka bërë krenar çdo shqiptar është ai i marshimit të paqes që u mbajt në Paris pas sulmeve terroriste, ku delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Kryeministri Rama, u paraqit me mesazhin më të paqtë dhe me një ndër vlerat më të rëndësishme të kombit tonë, atë të bashkëjetesës fetare.

Kështu, të kapur krah për krah, katër përfaqësues të komuniteteve fetare dhanë mesazhin se feja e paqja janë gjithnjë pranë njëra tjetrës, “si trupi e hija” di të thonin në Shkodër gjatë atyre ditëve, ku trupi është feja e hija, paqja që vjen prej saj.

Por pak kohë pas këtij manifestimi, përfaqësuesi i Ipeshkvinjve Shqiptarë u nda nga kjo jetë. Ai është Monsinjor Luçjan Avgustini, famullitari i Shkodrës e më pas, Ipeshkëv i Sapës.

Minsinjor Luçjani në takim me Papa Françeskun

Imzot Luçjan Avgustini lindi në Ferizaj të Kosovës, më 23 gusht 1963, prej prindërve Gjini dhe Roza. Lind në një familje të madhe me 10 fëmijë. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga ipeshkvi i atëhershëm i Shkup-Prizrenit, Imzot Smiljan Franjo Čekada, më 5 shtator 1963. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në komunitetin kishtar të “Engjëllit Rojës”.

Luçjani i vogël ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani ipeshkvin e Kosovës. Pas shkollimit tetëvjeçar, së bashku me Dodë Gjergjin u dërguan për seminarin e Suboticës  “Paulinum”, ku përfunduan gjimnazin klasik. Studimet filozofike e teologjike i kreu pranë Fakultetit filozofik – teologjik në Zagreb.

Më 15 gusht 1989 shugurohet meshtar nga ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizrenit, Imzot Nikë Prela, i cili gjatë Meshës së shugurimit tregoi se po e shuguronte për “Shqipërinë martire!”.  Më 10 shtator 1989 dom Luçjan Avgustini caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, ku  punoi posaçërisht rreth botimeve liturgjike, por edhe  si ndihmës a sekretar personal i ipeshkvit Imzot Nikë Prela.

Prifti ri dom Luçjani ishte i zellshëm në misionin e veprimtarinë e tij meshtarake. Shpesh, të dielave e festave ndihmonte famullitarin e fshatit Stubllë, dom Rrok Gjonlleshaj, sot kryeipeshkëv i Tivarit. Qe pra një meshtar plot zell, entuziazëm, dashurii e përzemërsi, apo si do ta quanin më pas, një prift shembullor.

Pas kontributit të çmueshëm për botimin e “Mesharit Romak”, më (1992), botimit të Biblës së plotë në gjuhën shqipe, botuar për herë të parë nga Kisha Katolike (1994), fryte këto të punës e të mendjes së meshtarit të paharrueshëm dom Simon Filipajt, fushëveprimi meshtarak i dom Luçjanit rritej e pasurohej me eksperiencë.

E kështu, ipeshkvi i vendit e emëroi dom Luçjan Avgustinin Drejtor të parë të Caritasit të Kosovës, më vonë, më 15 prill 1993, edhe famullitar të komunitetit kishtar të Ferizajit, ku shërbeu me zell e përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Në këtë periudhë, Shqipëria tashmë ishte liruar nga regjimi i diktaturës komuniste, pra po bënte hapat e parë në liri e demokraci. Pas persekutimit e vrasjes së pjesës dërmues të klerit, në Kishën shqiptare ndjehej mungesa e klerit dhe e strukturave kishtare, prandaj Dom Luçjan Avgustini bashkë me Don Dodë Gjergjin shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për të ndihmuar Kishën Katolike në Shqipëri.

Më 27 tetor 1994 dom Luçjan Avgustini u lirua nga detyrat në dioqezës së Shkup-Prizren, për të shërbyer si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në kryeipeshkvinë e Shkodrës, nën udhëheqjen e imzot Frano Illisë. Aty, së pari qe ndihmësfamullitar, ndërsa më 14 korrik 1995 qe emëruar famullitar i Katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër.

Monsinjor Luçjani me ish Presidentin, Z. Bujar Nishani

Puna e veprimtaria meshtarake e misionare qe e paskajshme.

Më 24 maj 1997 Papa Shën  Gjon Pali  II e emëroi “Kapelan të tij”, me titullin e nderit  “Monsinjor”. Ipeshkvi i Sapës, Imzot Luçjan Augustini, edhe pse i ri në moshë, por me një përvojë meshtarake të fortë,  u emërua nga Papa Benedikti XVI ipeshkëv të Sapës, në Shqipëri, duke zëvendësuar imzot Dodë Gjergjin, i cili qe emëruar ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Luçjan Avgustini, ishte njeri i Zotit, i përshpirtshëm, punëtor i palodhur, njeri i përzemërt dhe i thjeshtë, komunikues me njerëz, besimtarë, qytetarë, përherë i gatshëm për të dëgjuar popullin, këshilluar, udhëzuar, për t’u thënë një fjalë të mirë ngushëllimi e inkurajimi, për t’ua dëshmuar bukurinë e forcën e fesë, begatinë e dashurisë së krishterë.

Para dy vjetësh, pasnjë sëmundje të rëndë, imzot Luçjan Avgustini ndërroi jetë, më 22 maj 2016, në selinë ipeshkëvnore të dioqezës së Sapës, të cilën e drejtoi deri në frymëmarrjen e fundit, duke shërbyer me dashuri e përkushtim.

Andreas Dushi/konica.al