Monika Kryemadhi: Edi Rama do ta paguajë, zemrat e shqiptarëve s’i shpon dot as plumbi

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar një ditë pas protestës së opozitës, duke paralajmëruar Ramën se do ta paguajë për dhunën.

“Nuk do të dija se çfarë do të bënin ambasadorët dhe punonjësit e ambasadave nëse fëmijët e tyre do të helmoheshin me gaz, dakord me protestuesit, po ato banorë? U lodhëm! Boll u tallën me shqiptarët, kanë 30 vite që bëjnë eksperimente me shqiptarët. Nuk duam që të na i zgjidhin ata hallet, do t’i zgjidhim vetë, me gaz, pa gaz!

Ai që do ta paguajë të gjithë këtë është Edi Rama, se nuk i fal njeri jetën e fëmijëve të vetë, nuk i fal njeri as lotët dhe nuk i fal njeri as këtë dhunë që bën. Nuk është qëllimi ynë të pushtojmë godinat e atij, qëllimi ynë është që të ndërgjegjësohet vetë ai që nuk mund të rrijë më, që i ka të gjithë njerëzit kundra.

Dil bëhu rrobaqepës Edi Rama! Kthehu në zanatin që ke qejf!

Ai e di shumë mirë kur organizohet LSI-ja për të, prandaj i them…

Çfarë do të thotë ky mesazh i koduar?

E di ai, e lexon ai dhe e dëgjon ai. Të ketë kujdes Edi Rama se nuk ka më as fishekzjarre, as shashka dhe as molotov, por ka zemra shqiptarësh që nuk ka plumb që i shpon dot.

Prandaj është policia e shtetit, prandaj i paguajnë taksat shqiptarët, le ta përballojë protestën, mjafton Edi Rama dëmet e festivalit të ngjyrave, apo festivaleve të tij apo të koreve edhe të projekteve të Bashkisë që vjedhin paratë e shqiptarëve, janë shumë më shumë kosto për shtetin shqiptar dhe për taksapaguesit shqiptar se sa protesta e shqiptarëve, që çfarë po kërkojnë? Bukë për fëmijët e tyre, po kërkojnë punë, po kërkojnë taksa të ulëta dhe po kërkojnë t’ju kthehen fëmijët e tyre në shtëpi”, shkruan Kryemadhi në reagimin e saj.