Monedha e perandorit Tit ndërron datën e shpërthimit të vullkanit apokaliptik të Vezuvit

Shekuj me radhë është besuar që kataklizmi respektivisht shpërthimi i vullkanit në Vezuv afër Napolit, i cili i kishte zhdukur nga faqja e dheut qytetet e famshme Pompei (lat. Pompeii), Herkulaneum (lat. Herculaneum) dhe Stabie (lat. Stabiae) kishte ndodhur më 24 gusht të vitit 79 të erës sonë.

Ky shpërthim kishte qenë aq i befasishëm dhe aq i furishëm saqë për një kohë shumë të shkurtër i kishte mbuluar së pari me gaze helmuese e pastaj me hi e pluhur vullkanik Pompejet dhe vendbanimet e afërta Herkulanumin e Stabien duke i zënë banorët e kafshët e këtyre dy vendbanimeve në pozita nga më të ndryshmet (në gjumë, duke ngrënë, duke bërë seks, në rrugë në tentim të ikjes nga rreziku e të ngjashme) dhe duke i mbytur dhe karbonizuar ata, shkruan Naser Ferri, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Ndërkaq sipas një monedhe të gjetur kohëve të fundit gjatë gërmimeve arkeologjike në Pompei e të publikuar nga Teresa Giove, Rosaria Ciardello, dhe Renata Cantilena kjo datë ndryshon.

Deri më tash lidhur me datën e shpërthimit të vullkanit arkeologët e historianët janë mbështetur në të dhënat nga shkrimet e autorit antik Plinit të Ri (Gaius Plinius Caecilius Secundus, 61 ose 62 – 112) i cili në shkrimet e veta (Lett. VI, 16) kishte shënuar se shpërthimi i Vezuvit paska ndodhur “nonum kal.

Septembres”, respektivisht 9 ditë para kalendave (dita e parë e çdo muaji, sipas kalendarit romak) ose të fillimit të muajit shtator, gjegjësisht më 24 gusht me ç’rast kishte vdekur xhaxhai i tij Plini Plak (Gaius Plinius Secundus, 23 ose 24 – 79 të erës sonë), i cili kishte qenë oficer i lartë dhe komandant i flotës luftarake perandorake (Classis Praetoria) të ushtrisë romake në Misenum afër Napolit (Classis Misenensis, e cila mbronte Mesdheun, për dallim nga Classis Ravennatis, me seli në Ravena në veri të bregdetit Adriatik, e cila e kishte për detyrë mbrojtjen e detit Adriatik). (b.an)