Mirësitë e mrekullibërësit Shna Ndou dhe vullnesa e besimit që shndërron Kishën e Sebastës, Laç në vend të shenjtë pelegrinazhi

Vendosur në faqemalin shkëmbor të Sebastes mbi Laç të Kurbinit, kisha e Shën Ndoit për gjatë 13 të martave me radhë deri në mbërritjen e 13 Qershorit, ditën e përkujtimit të Shenjtit do të ishte “Shtëpia pritëse” e një milion pelegrinëve –vizitorë. Celebrimi i meshave të shenjta, bashkimi i të gjithëve në lutje e adhurim, fjalët përshëndetëse mes njerëzve “Shna’ Ndoi ju ndihmoftë!”, përshkrimi i shenjave të ndryshëm në gurë dhe mure, prekjet drithëruese të trupit dhe syve të Shenjtit, ndezja e qirinjve, vizitat tek shpella e Shën Vlashit për të kulmuar me meshën tradicionale të kremtuar me këtë rast… janë të gjitha këto “misioni” i çdo pelegrini-vizitorë.
Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe ateistë, të gjithë bashkë në lutje dhe adhurim duke pohuar në vazhdimësi gjithshmërinë dhe përjetësinë e mesazhit hyjnor. Po kush është figura e Shenjtit-simbol, i cili do të bëhej kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh duke u dhënë atyre kurajën për të përballuar vështirësitë e jetës e sfiduar mbrapshtësitë?
Shna’ Ndou i Padovës u lind në Lisbonë në ditën e pesëmbëdhjetë të Gushtit 1195. Kjo ditë përkonte me festën e ngjitjes në qiell të virgjëreshës Mari-nënës së Juzu Krishtit. Maria Tereza Tavera, pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, lindjen e fëmijës që mori emrin Ferdinand e vlerësoi si një dhuratë të virgjëreshës dhe që në vogli e edukoi atë me kultin e saj. Që në moshë të njomë, gjatë lutjeve i premtonte asaj virgjërinë për të mbetur adhurues i saj i përhershëm. Ai do të rritej mes librave dhe lutjeve , i cili në qendër të shpirtit do të mbante fort dashurinë për Jezu Krishtin dhe nënën e tij. Formimi i brendshëm i tij mbështetej në parime të shenjta; përvujtëria, dlirësia dhe mëshira që ishin edhe mësimet kryesore të Jezuit për ndjekësit e Tij. Djaloshi i zellshëm u formua në shkollën e Shën Agostinit duke studiuar veprat e tij, por edhe vëllimet e Biblës, komentet e etërve të kishë mbi to’, veprat bashkëkohore enciklopedike. Prej këtu Ferdinandi do të shkonte në abcinë e Shën Kryqit të Koimbres-kryeqytet i at’hershëm i Portugalisë, qyteti universitar më i famshëm i saj, vend ku do të bënte përparime të shpejta në përsosmërinë dhe studimin e fesë në të cilën arrti majat më të larta.
Kronikat e abacisë thonë se “…Ferdinandi ishte një njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të mëdha letrare e i kurorëzuar me merita të lavdishme”. Pas afro një dekade e njohjes, me përkrahjen e Shën Franceskut të Asizit vendos e hyn në Urdhrin e Fretërve minorë, ndërron emrin në Anton (Ndue) dhe niset për në Marok, atje ku ishin vrarë pesë martirë me misionin për të përhapur mësimet e Ungjillit. Prej këtej shkon në Siçili duke nisur veprimtarinë baritore të Tij që u zhvillua në shumë qytete të Italisë. Këtu shpalosi gjithë përgatitjen e Tij fetare e intelektuale, ku iu dha titulli “Baba i shkencës”, siç e quajti kardinali francez Mentfort.
Predikimet e Tij janë shoqëruar shpesh me mrekulli të atilla duke krijuar tek njerëzit thjesht adhurim e besim të jashtëzakonshëm. Vetë Shën Francesku, krijuesi i urdhrit të ri të kishës do të vlerësonte atë si “ Më të diturin e bijve të tij” duke e dërguar më mision në Francë me 1224 pas herezisë së përhapur atje kundër krishterimit. Edhe këtu Ai do të shpaloste dijen, përkushtimin, talentin e tij të spikatur duke u konsideruar si një nga bamirësit e saj më të mëdhenj, një apostull e çlirues i jashtëzakonshëm.
Predikimet e tij më pas në javën e Pashkës në kryeqytetin papnor ku mijëra pelegrinë do të shpërthenin në entuziazëm do të bënin që vetë Papa Gregori i IX ta quante atë “Arka e gjallë e Biblës”. Veprimtaria e tij fetare do të rrokte gjithë Italinë. Pasi themeloi kuvendin në Venezo, do të kryente një mrekulli të rrallë një nga kryeveprat e Tij.
Një grua fisnike në Ferrara, bashkëshortja e princit Obizzi akuzohej për tradhti bashkëshortore nga i shoqi që nuk donte të njihte as fëmijën e tij. Gruaja kërkon ndihmën e At’ Antonit. Ai që i besonte asaj pasi i dëgjoi të dy, mori fëmijën në krah, ngriti sytë nga qielli dhe tha: -”N’emër të fëmijës hyjnor të përgjërohem o vogëlush të thuash publikisht me fjalë të qarta e pozitive se cili është autori i ditëve të tua. At’here fëmija edhe pse ishte në shpërgenj u kthye nga i ati duke thënë këto fjalë: -”Je babai im” . Kjo mrekulli u pasqyrua në një basoreliev të lartë të Lombardos, pranë varrit të Shenjtit. At’ Antoni do të vazhdonte me përkushtim shërbesat në Francë, Bolonjë, Milano, Verona e Mantova, por qyteti i jetës dhe fundit të saj do të ishte Padova, atje ku do të mbyllte sytë në atë 13 Qershor të 1231 ku do të ishte vetëm 36 vjeç duke mos ju trembur asnjë pushteti tokësor.
Këto pak penelata-pasqyrë e figurës së Shenjtit, emrin e të cilit do ta mbante kisha e njohur tashmë botërisht në malin e Sebastes në Laç të Kurbinit, ngritur në vitin 1300, shembur në vitin 1971 nga sistemi diktatorial për t’u rindërtuar ashtu e bukur me ndryshimin e sistemit pas viteve nëntëdhjetë…
… E të gjithë marrin rrugën për atje, tek Ai, shpresëplotë, plot besim. Edhe këtu në kishën e Shën Ndoit njerëzit mbajnë në kujtesë shumë mrekulli. Të sëmurët kanë gjetur shërim. Në familje të tëra është shënuar paqja dhe dashuria ndaj edhe vijën këtu për t’u lutur pavarësisht besimeve që u përkasin. Ja këtu pranë kam Majlindën, Irisin, Henrikun Jetonin, Eltonin, Klodianën, Vilmën. U përkasin besimeve të ndryshme fetare po Shën Ndoi për ta’ është i të gjithëve. Në bisedë me ta’ mëson se nga 20 Marsi deri 13 qershor, pra në harkun kohor të 13 të martave, çdo besimtar duhet të bëjë së paku tre të marta.
Bashkia e Kurbinit kishte marrë të gjitha masat infrastrukturore që pelegrinët-vizitorë, gjithcka ta kalonin gëzueshëm e nën një atmosferë festive. -Tradita jonë e mikpritjes ka qenë e kahershme dhe në veçse po e pasurojmë atë më tej-thotë Artur Bardhi, Kryetari i Bashkisë Kurbin. Është në detyrimin tonë krijimi i të gjitha kushteve mikpritëse. Gëzim Dika , Zv/Kryetari i Bashkisë, Pashk Kaci-Drejtori i Kabinetit kanë qenë gjithnjë në lëvizje, në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e institucioneve të bashkisë në përmbushje të të gjitha detyrimeve përkatëse. Shërbimet shëndetësore, furnizimi me ujë të pijshëm përgjatë 24-orëve , ndriçimi i qytetit e ambienteve deri tek vendi i peligrinazhit, qenia në gatishmëri e zjarrfikësve, aktivitetet e ndryshme , koncerti i madh festiv, organizuar në Pallatin e Kulturës… gjithçka Ok,-thotë Rudolf Toma, Drejtor i Shërbimeve Publike.
Sipas Shefit të Komisariatit të Policisë në Kurbin z. Ermal Lila, që nga e marta e parë e pelegrinazhit e deri me 13 Qershor efektivat e policisë kanë qenë në gatishmëri e shërbim eficent në sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, por edhe të mbajtjes nën kontroll të qarkullimit në segmentin që të çon në kishën e Shën Ndoit. Një shërbim i denjë që vërtet ia vlen të vlerësohet.
Edhe efektivat e policisë bashkiake sikurse na pohon z Mhill Luli kanë qenë në gatishmëri e shërbim efikas pa njohur orar…  Shi, lutje, adhurime e festë në Shën Ndoi. Dita përmbyllëse, 13 Qershori në të vërtetë ishte një festë e madhe, simbol shprese dhe qëndrese njëkohësisht. Themi kështu pasi edhe në kohën kur kisha u rrënua, e tërë gurët përreth u lëmuan nga duart, lotët e puthjet e qindra-mijëra pelegrinëve që ashtu “tinëz” preknin vendin e shenjtë, forcë uniteti me sfond –frymën hyjnore. Të gjithë në këtë vend marrin e japin me njëri-tjetrin. Gjejnë e marrin me vete Shën Ndoin dhe jo vetëm këtë “ Njeri të madh të zotit” , por bashkë me të edhe Shtjefën Gjeçovin, Mati Prenushin, Klement Mirjan, Robert Ashtën, Zef Pëllumbin, personalitete me famë kombëtare të cilët me përkushtim shërbyen në këtë vend të shenjtë.
Marrim e japim mes njëri-tjetrin gjithçka të mirë që gëlon në këtë tokë të papërsëritshme…