Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dekoron Atasheun Ushtarak amerikan: SHBA, partneri kryesor strategjik

Mirënjohje dhe falenderim për atasheun ushtarak amerikan, Kapiten i Rangut të Dytë Sam G. Wartell, dhe kontributin e tij në rritjen e mëtejshme të nivelit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, ai përfundoi mandatin dy vjeçar në vendin tonë, për t’ia lënë stafetën Kapiteni të Rangut Dytë, James Hilton. Vlerësim maksimal, për rolin e pazëvendësueshëm të partnerin tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes dhe veçanërisht në modernizimin e Forcave të Armatosura.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka nderoi sot me “Medaljen e Mirënjohjes”, Atasheun Ushtarak Amerikan në largim, Kapiten i Rangut të Dytë Sam G. Wartell, i cili përfundoi mandatin e tij dy vjeçar. Në ceremoninë e posaçme ku merrte pjesë Ambasadorin i SHBA në Tiranë, Donald Lu, ministrja Xhaçka i uroi mirëseardhjen Atasheut të ri Ushtarak, Kapiten i Rangut Dytë James Hilton.

Ministrja e Mbrojtjes vlerësoi kontributin dy vjeçar të kapiten Wartell, në rritjen e mëtejshme të nivelit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnerin kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes, Ministrja Xhaçka nënvizoi faktin se këto marrëdhënie tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të FA, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO”, tha Ministrja e Mbrojtjes.