Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, aktori i mirënjohur, Robert Ndrenika, dhe projekti i Teatrit të Ri

Nga Ben Andoni

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vazhdon të këmbëngulë se në vendndodhjen aktuale të Teatrit Kombëtar nuk do të ndërtohet Kullë. Artistët vazhdojnë të jenë të konfuzuar prej përçarjes që ndih paditurinë për situatën e tyre, por edhe të gjithë atë që u kanë fryrë. Ndërsa dita-ditës del se kakofonia e zërave ka filluar prej moskuptimit të drejtë se çfarë do të ndodhë realisht në të ardhmen me vendndodhjen e Teatrit, por edhe idenë e një teatri të ri. Vetë Ministres së Kulturës i shkau një moment argumenti, kur e përmendi Bingon në hapësirën e Teatrit, fakt që në fakt ishte firmuar nga eprori i saj, asokohe Ministër i Kulturës. Artistët, vetë, në ato vite të dëshpëruara ishin gati që të bënin gjithçka për ekzistencën e tyre.

Pa u futur në lojë planet e të ardhmes, pra projekti i Teatrit të Ri, që fatkeqësisht mungon dhe ajo se çfarë realisht do të ndodhë me hapësirën e Teatrit Kombëtar, ka vend vetëm për hamendësime. Ndërkohë Ligji është në fillesa dhe ka ende kohë që artistët të përfaqësohen si duhet, por jo me shumë zëra si deri më tani, por me autoritete të qarta dhe me kulturë të mirë menaxheriale dhe juridike. Fatkeqësisht, kjo mungon prej sensit të protagonizmit të shumë prej individëve, ashtu si mungon transparenca e duhur kundrejt tyre.

Në një vështrim larg kësaj përplasje, që është shumë më e pabarabartë sesa më 1999, artistët sërish janë të përçarë me njëri-tjetrin. Më shumë sesa për vlerat artistike dhe të ardhmen e teatrit në vetë komunitetin, prej të cilit ka koncepte të ndryshme. Aplikimi për drejtorin e ri do t’i japë dhe më shumë karburant zjarrit të kësaj përçarje, sepse energjia më e madhe do të shkojë në filtrimin e emrave të eprorit të ri që do të drejtojë politikën teatrore në kushte të reja dhe që kuptohet se do t’i duhet paterica e MK-së.

Po “Turbina”? Ajo ka gjasa të fillojë shpejt dhe artistët do kenë një strehë, që nuk i përmbush aq shumë pritshmëritë e tyre. Aman, shteti ndërkohë do ketë mundësi të lajë duart, pasi u dhuroi një shtëpi. Sesi do të jetë performanca e këtij institucioni të ri, le ta lemë në dorë të kohës.

Dhe, sa i përket ish-Laboratorit të Hidraulikës, ish-Institutit të Studimeve të Hidrocentraleve, subjekteve mbi të cilën u konceptua “Turbina” e  që sot nuk kujtohet njeri, ato (simbolikisht) janë humbësit e vërtetë. Sistemi i sotëm që i degjeneroi deri në gërmadha dhe që e përshfaq ndryshimin duke na treguar fundin e paralajmëruar të tyre. Mbase modelimet që bëheshin atyre mund të ishin të vjetra (ato mund të rinovoheshin relativisht), mbase struktura e Akademisë nuk i mbante dot me të ardhurat e saj, e Universiteti i la në atë gjendje që i la kur i kishte nën autoritetin e vet, duke mos bërë fare zhurmë tani që po i ndërrojnë destinacion, por fatkeqësia është se Shqipërisë i mungojnë tashmë institucione jetike. Dhe, ti nuk mund të bësh një zgjidhje për artistët duke i vënë kyçin institucioneve që ndihmuan për vendin. Është kaq e thjeshtë edhe e hidhur. Nëse gjërat nuk do bëheshin spontanisht, siç bëhen këtu, edhe për artistët do kishte kohë për zgjidhje, kurse Universitetit do ta mbante si duhet në ombrellën e tij institucionin, me punimet e të cilit justifikon shumë në ekzistencën e tij morale dhe intelektuale. (Javanews)