Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një takim me Presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanovic

Në kuadër të vizitës në Mal te Zi, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, zhvilloi, të premten një takim me Presidentin e Malit të Zi, z. Milo Gjukanovic.

“Shqipëria vlerëson kontributin e Presidentit Djukanovic në rrugëtimin euro-atlantik të Malit të Zi, çka njëkohësisht përfaqëson edhe kontribut për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Vizita në Podgoricë është moment i rëndësishëm për të dhënë një mesazh të përbashkët për domosdoshmërinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”– u shpreh Cakaj.

Kryediplomati shqiptar vlerësoi arritjet në rrafshin e bashkëpunimit dypalësh me Malin e Zi si një model për forcimin e ndërveprimit rajonal dhe u ndal mbi rolin thelbësor të shqiptarëve në vendin fqinj, duke i konsideruar ata si përcaktues në përparimin euro-atlantik të Malit të Zi.

Theks të veçantë gjatë vizitës së tij Ministri në Detyrë, Cakaj vuri edhe në thellimin e marrëdhënieve tregtare të cilat do të kenë një vëmendje të posaçme në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, sikundër dhe zbatimi i angazhimeve të ndërmarra në kuadër të zhvillimit ekonomik të brezit ndërkufitar.

Z. Gent Cakaj u takua edhe me Nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegun ku u vlerësuan marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë si “marrëdhënie të shkëlqyeshme, pa çështje të hapura, por gjithmonë me mundësi të përmirësimit”.

Në takimin e hapur dhe miqësor nënkryetari i Kuvendit e njoftoi ministrin Cakaj me skenën politike të Malit të Zi, para së gjithash lidhur me rastin e bojkotit të dytë të opozitës, i bindur se vendi i vetëm për zhvillimin e dialogu politik është pikërisht Kuvendi.

“Konfliktet e brendshme politike që i jetojmë sot në të dy shtetet janë sfida të demokracisë, por gjithnjë japin një shpresë së do të zgjidhen në të mirën e qytetarëve. Ne si shqiptarë në Malin e Zi tentojmë që mos të krijojmë probleme të tepërta që do të rëndonin pozicionet edhe ashtu diametralisht të kundërta të pozitës dhe opozitës, gjithmonë të përkushtuar maksimalisht për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi. Por, gjithsesi jemi të angazhuar plotësisht për forcimin e institucioneve shtetërore,” tha zoti Nimanbegu.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme tëShqipërisë, Gent Cakaj vlerësoi lart pozitën e Malit të Zi si lider rajonal në integrimet në BE dhe shprehu bindjen se nga Mali i Zi do të kenë përkrahje për integrimet e vonuara të Shqipërisë. Sa u përket marrëdhënieve ekonomike vlerësuan se, ndonëse të mira, ato mund të avancohen edhe më shumë e një prej faktorëve që do të ndihmojnë në këtë drejtim janë edhe pikat e reja kufitare, por edhe bashkëpunimi përmes fondeve IPA.

Lidhur me pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi, bashkëbiseduesit ndërruan mendimet e veta për rolin proaktiv, e madje edhe si obligim kushtetues të Shqipërisë në këtë drejtim.

Ministri në Detyrë uroi nënkryetarin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e para në komunën e Tuzit duke shprehur bindjen e vet se rezultatet nuk do të mungojnë as më vonë drejt përparimit të komunës së Tuzit në një komunë të zhvilluar.

U shqyrtuan edhe çështjet e bashkëpunimit të Shqipërisë me Malin e Zi e veçanërisht me shqiptarët në planin e arsimit, kulturës etj.

Në fund, bashkëbiseduesit u pajtuan se takimet e tilla të të gjitha niveleve të Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi janë shumë frytdhënëse dhe inkurajuese edhe për shqiptarët e Malit të Zi.

VOA