Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri: Më kanë futur pajisje përgjimi në zyrë!

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri denoncon në prokurori se i kanë vendosur pajisje përgjimi në zyrë. Pajisja e përgjimit është gjendur afër printerit të zyrës së tij. Ndaj ai ka shkuar në Prokurori për të bërë denoncim. Ky është skandal shtetëror. Kur përgjohet ministri i Brendshëm merret me mend si përgjohen të tjerët! Nuk dihet se cilat janë dyshimet e ministrit për personat që mund të kenë vendosur pajisjen. Ndërkohë që, prokuroria nuk ka dhënë asnjë detaj për pistat e hetimit.

Në padinë e Ministrisë së Brendshme kërkohet që të gjenden personat që i kanë vendosur në zyrë ministrit Tahiri aparat përgjimi. Mësohet se, aparatura e përgjimit është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore për ekzaminim. Dyshimet e para janë se personi që i ka vendosur pajisjen e përgjimit në zyrë ministrit Tahiri është punonjës i Ministrisë së Brendshme. Verifikimi i pretendimit të ministrit ka bërë që të gjithë në Ministrinë e Brendshme të jenë në panik. Verifikimet kanë nisur që nga stafi i ngushtë i ministrit, e deri të punonjësit e godinës që Ministrisë së Brendshme. Por veç çështjes se kush e ka vendosur aparaturën personalisht, një tjetër pikëpyetje është se për llogari të kujt janë kryer përgjimet dhe kush i disponon ato tashmë. Nga ana tjetër, a janë përdorur përgjimet për shantazh ndaj ministrit të Brendshëm?

Sipas ligjit shqiptar, përgjimi mund të kryhet vetëm nga prokuroria me urdhër gjykate. Gjithashtu, edhe Shërbimi Informativ Shtetëror ka të drejtë të kryejë përgjime. Por në të gjitha rastet, janë dy institucione që kanë dijeni për procesin e përgjimeve. Në rastin e ministrit Tahiri duket qartë që kemi të bëjmë më përgjime të paligjshme. Çështja është se nga kush është kryer dhe për llogari të kujt? Denoncimi i ministrit vjen në kohën, kur vetë Ministria e Brendshme është akuzuar nga opozita se ka kryer përgjime të paligjshme me një pajisje të misionit italian Interforcë. Edhe për këto akuza ka hetim nga prokuroria.  A mos denoncimi për përgjimin e Tahirit është mënyrë për të larguar vëmendjen nga përgjimi i dyshuar i vetë Policisë? Detajet e pakta që kanë dalë deri tani tregojnë se kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të panjohura në vend. Një skandal që duket se do të ketë jo pak zhurmë dhe përplasje politike. Interesant është fakti se padia e Tahirit është paralajmëruar disa ditë më parë nga ish-Kryeministri Sali Berisha. Në një status në Facebook, më 20 maj 2016, Berisha deklaronte se, ministri Tahiri ka gjetur një pajisje përgjimi afër “grirëses së letrave”. Berisha bënte dhe diversion politik mes aleatëve qeverisës. Ja çfarë shkruante Berisha në datën 20 maj. “Në zyrën e Saje qorrit gjendet një çimkë! Të dashur miq, parmbrëmë, në zyrën e Saje qorrit, konkretisht në anën e pasme të grirëses së letrave gjendet një goxha çimkë! Kjo e ka tmerruar Saje qorrin, i cili ka dyshim kryesor:1- zëvendësministrin e LSI dhe 2-njërin nga asistentët e tij. Por njerëzit afër tij flasin edhe për dy burime të tjera më të mundshme, njeri i huaj kurse burimi tjetër është intim!”,- është shprehur Sali Berisha.

Ish-Kryeministri: “Xhelili i bashkisë duket lule në krahasim me histerikun e ministrisë”

Ish-kryeministri Sali Berisha reaguar dje pas denoncimit të ministrit Tahiri në prokurori për pajisjen e përgjimit. Ai thotë se nga pajisja janë fshirë. “Saje qorri dërgoi sot (dje) në prokurori pasi për 1 jave rresht fshiu dhe manipuloi të gjithë videot e regjistruara në “Çimkën” që i kishin vendosur në zyrë. Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të kontraktojë për ekspertizë kompaninë më të fuqishme të fushës për të rikuperuar të gjithë pamjet e regjistruara në zyrën e Saje qorrit, të cilat do t’u provojnë shqiptarëve serinë e skandaleve në zyrën e tij, disa prej të cilave, sipas oficerit dixhital janë aq të fëlliqura saqë Xhelili i bashkisë duket lule në krahasim me histerikun e ministrisë!”,- shprehet Berisha.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani: Na kanë përgjuar të gjithëve!

Presidenti Bujar Nishani thotë se janë përgjuar të gjithë. Duke folur në një intervistë për Çim Pekën, Nishani është shprehur se denoncimi i Tahirit për përgjimin, është një tentativë për të shmangur thelbin e debatit. “Unë ende nuk mund të them se është një skandal, por informacionet konfirmojnë futjen e një pajisje që ka të gjitha parametrat për të kryer përgjime të sofistifikuar.

Deklarata e Tahirit për përgjimin është tentativë për të shmangur thelbin e debatit”, ka thënë Nishani. “Pajisja siç është shprehur shefi i SHISH përbën cenim të sigurisë kombëtare. Ajo pajisje duhet të hyjë në Shqipëri vetëm sipas procedurave. Ajo aparaturë është futur pa u deklaruar, pa u marrë leje dhe pa u përcaktuar. Për çfarëdo që është përdorur ajo duhet të dorëzohet në Prokurori por kjo nuk po ndodh”. Nishani tha më tej se, “ne e kemi të konfirmuar ligjërisht që ajo aparaturë është përdorur në mënyrë të paligjshme. Unë si komandant i Forcave të Armatosur pres që Prokuroria të nxjerrë fajtorët për shkeljen e ligjit”. Ndërkohë, Nishani do të padisë për shpifje në Gjykatën e Lartë deputetin socialist Alfred Peza për deklaratat e tij se presidenti ka qenë një nga anëtarët e grupeve enveriste të “Shkollës së Bashkuar”.

Duke folur për herë të parë për këtë nismë, Nishani shpjegoi se: “Ka pasur një akuzë nga deputeti që pretendon se në ngjarjet e Shkollës së Bashkuar unë paskam qenë në krahun e enveristëve. Në ato ngjarje unë kam qenë pedagog në Shkollën e Enveristëve, jo vetëm që kam qenë neutral por kam qenë aktiv në kundërshtim me enveristët që më përndoqën në vitin 1997. Kjo është një akuzë që nuk i takon integriteti të deputetit dhe që bëhet për të dëmtuar presidentin e Republikës. Unë nuk jam avokat i Pezës. Mesa di unë z. Peza ka qenë në detyrë në Shkollën e Bashkuar”. Nishani është shprehur mjaft i skandalizuar edhe për deklaratat e kryebashkiakut Veliaj që e akuzon atë si “hajdut pronash”. “Sa i takon Veliajt që ajo që ka thënë ai, nuk mund të imagjinohet. Përderisa është bërë një akuzë e tillë shqiptarët nuk mund të kenë kurrë një president që vjedh prona. Gjithsekush duhet të marrë përgjegjësitë. Nëse gjykata do të shikojë provat dhe do verifikojë që unë kam vjedhur unë nuk mund të jem më president. Por nëse dikush bën akuza të tilla monstruoze, duhet të mbajë përgjegjësi ligjore”, ka deklaruar Nishani. Ai sakaq ka këmbëngulur se hetimi ndërkombëtar për këndin e lojërave tek Parku i Liqenit në Tiranë do të bëhet patjetër, në të kundërt Konventa Europiane ku bën pjesë Shqipëria nuk do të ekzistojë për vendin tonë. Nishani tha se për ndërtimin e këndit të lojërave janë shkelur të paktën dy prej kolonave të Konventës ku bën pjesë Shqipëria. “Kemi një realitet të dhimbshëm të tendencës për të marrë vlerë dhe neve duhet t’i përshtatemi realitetit. Nuk është ironi e kryeministrit, është injorancë. Injoranca nuk ka bri. Ne kemi probleme me formimin e përgjithshëm që marrin vendimmarrje.