Mihail Gorbaçov, paradokset e liderit të fundit sovjetik dhe Amerika

Në tetor 1985 një përfaqësues i partisë komuniste nga Kazakistani ngjitet në podiumin e sesionit të Komitetit Qendror të PKBS dhe fillon lavdet ndaj sekretarit të ri të përgjithshëm të partisë.

Anëtarët e Komitetit Qendror i përgjigjen lavdërimit me duartrokitje të forta. Sekretari i Përgjithshëm, i cili e konsideron një sjellje të tillë relike të papranueshme të kultit stalinist, ndërpret folësin dhe i kërkon të ndalojë lavdërimet. Në këtë moment anëtarët e Komitetit Qendror ngrihen në këmbë me duartrokitje edhe më të stuhishme për sekretarin e Përgjithshëm. Ky episod zbulon të panjohura nga portreti i udhëheqësit të fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov i përshkruar me detaje në biografinë emocionuese të William Taubman me titull “Gorbachev. His Life and Times».

Individi dhe sistemi

Mikhail Gorbaçov nuk kishte pretenduar deri tani një biografi të madhe, ndryshe nga protagonistët e tjerë të përfundimit të Luftës së Ftohtë si Ronald Reagan, Helmut Kohl, Francois Mitterrand, Margaret Thatcher. Të gjithë janë subjekte të biografëve të shkëlqyera që kanë hedhur dritë mbi personalitetin dhe rolin e tyre në politikën e kohës.

Bazuar në orë të gjata intervistash dhe dëshmish të bashkëpunëtorëve të ngushtë apo kundërshtarëve të tij, William Taubman tregon rrjedhën politike të një të riu sovjetik me origjine nga Stavropoli, në jug të Rusisë që e nisi si traktorist në moshën 18 vjeç, një vit më vonë u pranua  në Universitetin e Moskës, u diplomua në moshën 24-vjeçare për shkenca juridike dhe u ngjit me shpejtësi në hierarkinë partiake lokale. Në moshën 40 vjeçare ai u bë anëtar i Komitetit Qendror të PKBS dhe u projektua për postin e lartë të  sekretarit të përgjithshëm të partisë, të cilin e mori në vitin 1985, në moshën 54 vjeçare.

“Produkt dhe antiprodukt i sistemit sovjetik,” siç e përshkruan ai veten apo “një gabim gjenetik i sistemit”, siç e quan bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Andrei Gkratsof, Gorbaçovi ishte me siguri një paradoks. Taubman e përshkruan si një “qen të punës”, të shkathët dhe metodik, simpatik në marrëdhëniet publike, narcist dhe  socialist idealist në të njëjtën kohë.

Kuptimi i Gorbaçovit

Megjithatë, “është e vështirë të kuptohet Gorbaçovi”. Kontradiktat e karakterit, aspiratave dhe politikës së Mihail Gorbaçov ngrihen në formën e pyetjeve – synonte reformimin apo shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ishte modest apo mendjemadh, kishte një plan apo marshoi verbërisht?

Gorbaçov besonte se një rrugë progresive e reformave ishte e mundur dhe kur kjo dështoi ai vendosi të largohej edhe pse çmimi ishte humbja e pushtetit nga Partia Komuniste. Dallohej nga vetëbesimi dhe idealizonte veten si  një burrë shteti të pakrahasueshëm. Nuk ishte ndonjë një mendje strategjike, por një takticien i shkëlqyer.

Virtytet dhe dobësitë kanë kontribuar në mënyrë të barabartë në dështimin e tij përfundimtar. Përfaqësuesi i një elite të mbyllur, ai  ishte mjeshtër në qasjen e tij ndaj udhëheqësve perëndimorë, simpatik për opinionin publik perëndimor, por i paaftë por për të kontrolluar forcat që u krijuan me demokratizimin fillestar të shoqërisë sovjetike.  Ai zëvendësoi një “lojë “të vjetër politike me të cilën u rrit, me një të re që nuk e mësoi kurrë.

Në dritën e një botë rrënjësisht të ndryshme me më pak armë  bërthamore dhe demokraci më të madhe, çelësi për të interpretuar Mikhail Gorbaçov nuk janë  rrethanat, por fjalët.

Në një kuptim të dramës së lashtë greke udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik ishte, më shumë se çdo gjë tjetër, ishte një “hero tragjik”./Respublica/Dita/