Migjeni, britma e thekshme e nji shpirti t’sëmbuem prej ligshtimit dhe dhimbjes

Nga Albert Vataj

Migjeni ishte, dhe ka mujt me met atëditë e sod, tash e përgjithmonë, britma ma e thekshme e nji shpirti t’sëmbuem prej ligshtimit, e nji kurmi t’drobitun prej dhimbet. Anipse ka kalue kaq shumë vite, qysh prej kur shkrepi kjo rrfe shgjetare ndër qiejt e mrrylun të të atëhershmes, zani që plazmoi në eter si një kushtrim kumbon papra, tash e gjithëherë. Jo të gjithë munden me mbet “përdhunshëm”, siç ka mujt me met vetëm ai, në gjinin e visareve, e me u përkund në prehnin e përjetësisë, si jeta prej nga ne marrim mëkimin e kungimit, nervin e vetëtimës, turrin e stuhisë, thellësinë e të pambarimtes, e bekimin e ten’Zot, t’gjithëfuqishmit, atij etern e atij tokësor. Kurrkush tjetër nuk ka mujt me mbetun në letërsinë shqipe njaq i fuqishëm, vërshues, kushtrues e panikndjellës, shkundullitës, si Migjeni, si vargu i tij, e shkulmi i zashëm i brendisë së nji shtati t’lënguem prej smundjes e thelbit të nji shpirti, t’krisun prej idhnimit.

Megjithë se regjimet nuk reshtën së anatemumi, kryeveprën e tij, zani buçitës i këtij krahnori t’gufum prej revoltës, si atmot e tash, ka diçka me than, ka nji za me lshu ndër kohna t’zatetuna përnën thundrën e nënshtrimit, ka nji dhimb me kumtue ndër vullnete t’ndrydhuna.

Ai asht krejtkund ti mundesh me lshue shikimin, gjithkah ku hapi jot çapit n’trotuare t’lvorume, njatypari ku nji dor e përvujshem shtrihet me lyp, por qi ma tepërn nep, shkul përdhunshëm tançka ka n’vedi dhe e lshon dorzan t’njomes së pamujtun qi shpirti i shterrun i ikanakëve lshon me përbuzje e turfullim. Ai, e jo vetëm ai, por edhe të tjerë qi thundra e kohës së absurdit i ka lshue n’trazim si në t’vetmen gajle për me dëshmu t’jetuemin. Ata, këmbejnë bukën jo veç me punë, përkushtim e zemërthymje por edhe tue dhan kreninë, tue shet erz e nder. E qe besa krejtkjo zoritje e klithmë, thonjt në fyt i’a ngul t’tashmes që hiqet zvarrë si një agoni q’i s’ka vorr qi e xen.

Migjeni ishte dhe mbeti një nga kolonat vertebrale të letërsisë së viteve ’30, një nga shpërthimet më të befasishme të kohës, një nga tundimet më zemëratëse të forcës për të ngritur krye, për me kërku ndër ne një grusht t’paligjshëm për me i ra mu n’zemër malit që s’bzan. Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30 dhe një lajmës i të kenit i gjithmonshëm, sa kushtrues aq edhe i dhimbshëm, sa i lëndum aq dhe kurajshëm. Plagë, ishte dhe meti në kurmin e drobitun hekash e në shtatin çjerrun përpjekjesh. Ai si kurrkush tjetër, gjithë landën jetësore që barti i’a nënshtroi një këndi me të pamëdyshtë të ri shikimi, atij ekzistencial, të njëmëndtë. Fati i njeriut në botë, lumnia e fatkobi i tij, kjo ishte tematika zotëruese në krijimtarinë e Migjenit, kjo ishte hea e breznive, kafshata e idhët e mrumun me lot e gjak. Larg çdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik, të cilin munet me e shkel çdo këmbë.

Historia, e bashkë me të, kujtesa jonë kolektive, pak e sëmbueme prej pushtetesh, dogmash e demagogjishë, ka dëshmu se kush duhet me met, edhe jo vetëm me met, por me e pa ndërsa rrin e rritet përplot hir dhe madhështi në panteonin e vlerave dhe kumteve. Për me e pa e çmu si një dishepull të një urdhnese t’shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë. Ajo vepër, ai za gjimues, metet ndër dëshirime t’tona, ndër njata vullnesa, t’njituna njaq nalt sa me e ndi dorën e plotkivetshme e hirin e shenjtnum thirrun prej tharmit të tokës e qiellit.

Vitet deng me vërshim, e kanda jonë, punon me themel, duke ken e pamëshirshme dhe ngulmuese. Përmes lojës së saj të evoluimit, historia, në dukje-absurde e paradoksale, e ka ba dhe e ban masmiri të sajen, duke gozhdu në panoramën e habisë, brezat që vijnë, me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj. E si për me dasht me sfidu garrametjet e kacarritjet e përbaltjeve, në fundin e mbram ajo e vendos në vendin e vet, kungimin e forcës për të jetu njeriun brenda nesh, tan brezat e tana kohnave, përkundër soj-soj sunduesish e tiranish. Koha asht gjykatësja ma e rreptë dhe njikohësisht ma e pamëshirshme, ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i hup larg si byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. Kanda dhe vlera, amshti i përjetësisë e forca e ngulmimit në çdo zemër e nji bukurie të ashpër por kumtuese, nga qielli na bien në prehër edhe pas 100 vitesh.

Asht ai emër, ai za, ai kushtim që vijnë e rivijnë te sekush prej nesh, për të dëshmu, për të kremtu, për të ysht e me zgju prej thellë, ndër ne, vullnesën njerëzore, me e shkundullit prej hutimit e harrimit, me e trand prej kllapisë e dyshimit, e me e gjujt ku zani mundet me cek me tehun ma t’mreht të klithmës, e me e shpu tejpërtej njat kurm qi na tërheq rrqan në rrugën e hiçit.

Po atë forcë, të cilës i duhet dhan krahë sa herë që qiejt kërkojnë fluturimin e saj, i duhet dhan këmbë t’forta e kivet, sa her i duhet me mposht mitin antik të Sizifit, i duhet dhan zemër e zjarr sa her koha prêt me padurim ngulmin e asaj hazdisje. E qe besa, i duhet dhanë tançka Migjeni i madhe dha në ato pak vite të zorshme jetë, në atmot të hoveve të mëdha, ndryshimeve të potershme e shumëçkasë tjetër që thepiste shtegun përnga kalonte kalvari i të përditshmes së asokohëshme e të tashmes, domosdo.