Mid’hat Frashëri për Lidhjen e Prizrenit: Nga ajo ditë fillon shpresa e një shpëtimi

Dashnor Kaloçi

Para pak muajsh u mbushën plot 140 vjet nga dita kur më 10 qershor të vitit 1878 u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila në historinë e Shqipërisë është konsideruar si një nga ngjarjet më madhore të kombit tonë. Gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, përkujtimi i kësaj ngjarje bëhej si një ngjarje e zakontë historike dhe vetëm në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të kësaj Lidhje, ajo ngjarje u përkujtua me një bujë të madhe duke vënë në funksionim të gjithë propagandën shtetërore.

Pas viteve ’90-të, kur shumë nga ngjarjet e historisë së Shqipërisë filluan të rishikoheshin me të gjitha anët pozitive dhe negative të tyre, edhe për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit pati mjaft debate dhe kontestime të ndryshme si për rrethanat historike në të cilat u mbajt ajo, roli i Turqisë, zbatimi i vendimeve të Lidhjes, pjesëmarrja a po jo në atë mbledhje të Abdyl Frashërit dhe shumë e shumë faktorë të tjerë.

Lidhur me këtë ngjarje historike, në këtë shkrim po botojmë një artikull të djalit të Abdyl Frashërit, Mi’that Frashërit, njërit prej personaliteteve më në zë të letrave shqipe dhe gjithashtu të periudhës së Luftës Antifashiste(1939-1944), të cilën ai e pati botuar në vitin 1928 në revistën “Dituria”, me rastin e 50-vjetorit të asaj Lidhje.

Rrethanat historike para Lidhjes

“Moti 1928 përfaqëson për ne një pesëdhjetëvjetor historik me rëndësi të madhe, fillimin e lëvizjeve që do të linin përshtypjen e thellë të tyre me emrin Lidhja e Prizrenit, një lëvizje që zgjoi dhe shkaktoi krijimin e Shoqërisë Shqiptare të Stambollit. Mungesa e botimeve në gjuhën shqipe, si edhe të mospasurit sot në dorën tonë të kujtimeve dhe shënimeve të shkruara nga ajo kohë, si dhe akoma fakti që Shqipëria atëhere ishte e vizituar dhe e vizituarshme prej të huajve, na bëjnë të mos kemi sot në duart tona lëndën e plotë për rikonstituimin e atyre ngjarjeve.

Për çdo studim historik mbi këtë pikë jemi pra të shtrënguar të bazohemi mbi kujtimet personale dhe mbi të pakta ndihma që na japin do botime fort të kufizuara. Lidhja e Prizrenit lindi nga Lufta Ruso-Tyrke e motit 1877-78. Rusia fitimtare po përgatiste copëtimin e Turqisë, i impononte konditat e saj, i shkëpuste copë toke, disa drejtpërdrejt në favor të saj (në jugë të Kaukasit), të tjerat për shtetet e vegjël të Ballkanit, klientë dhe agjentë të saj.

Dhe, në qoftë se për veten e saj merrte thela nga trupi i Turqisë tyrke, prej Ballkanit cënonte edhe tokën shqiptare për një shtet të krijuar rishtazi dhe vetëm truallin arbënor për të tre shtetet drejtpërdrejt fqinjë. Ky *** i çelur befas nën këmbët e shqiptarëve po zgjuante një reaksion si me thanë fiziologjik, hidhte kushtrimin dhe qiste poteren sipas zakonit jetik të popullit, një praktikë kurdoherë e përsëritur, në çdo rast: Lidhja e Prizrenit ndoshta në krye ishte edhe ajo një manifestim lokal kundër shkëputjes së tokës për fitimin e Serbisë dhe Bullgarisë.

Këtu është koha të përmendim se me fjalën që figuron si titull i këtij artikulli, nuk duam të dëftejmë vetëm përpjekjet që u bënë rrëzë Sharit: po edhe shfaqjet patriotike të Janinës dhe Shkodrës. S’ka dyshim se ay ndryshim që projektohesh në statutin tokësor të Shqypnisë, zgjonte një reaksion identik, një mbrojtje instiktive edhe në ato dy qendra të tjera: Rusia me një anë po sillte Bullgarinë e Re gjer në Devoll dhe në Drin, në anë tjatër i falte Serbisë Nishin, Vranjën, Kurshunlinë, Leskovcin si dhe Malit të Zi, Podgoricën, Shpuzën, Gucinë, Plavën, tërë duke paraparë për Greqinë një dhuratë nga ana e Epirit. Të tre ballët e rrezikut krijonin tri vatra kundërqëndrimi, prej të cilave, kuptohet vetiu, dy të veriut do të kishin sipërsinë (epërsinë-red) materiale, me shumëcinë e popullsisë, forcën strategjike të pozitës dhe një farë indipendence relative përkundrejt Tyrqisë.

Po edhe nga ana tjetër, fuqia morale dhe intelektuale do t’i binte në pjesë të asaj qendre që ishte në jugë. Dhe me të vërtetë kur veriu injoronte gjermë një pikë manevrat e shqehëve, duke qenë larg qendrave të tyre, pra duke mos i parë me sy (se në atë kohë propaganda dhe politika luhej në Petërbugr dhe jo në Belgrad), Janina ishte një vend i lirë i veprimeve greke dhe aspiratat e helenizmës s’shihnin nevojë të fshiheshin ose të maskoheshin. Vetëm Shkodra ndjente drejtpërdret shtypjen e Cernagorës, prej luftrave të pareshtura ndërmjet dy racave.

Lufta Ruso-Tyrke po ngjante mbas luftimeve të Alemanjës dhe të Italisë për njësinë kombiare të tyre, pas parimeve të kombësisë që kishin filluar të këqyren si një element preponderant në jetën e popujve dhe të shteteve. Kështu që, edhe Rusia që bënte një politikë thjesht egoiste për rritjen e saj, edhe ajo Rusi që ngrinte armët më tepër për parime fetare si një zihje ndërmjet Kryqit dhe Kuranit, në fund të luftës ishte shtrënguar të dëftejë ide kombiare, të kërkojë copëtimin e Tyrqisë për fitimin e kombeve të ndryshme të Rumelisë në emër të njerëzisë, të racave, të së drejtës dhe jo vetëm të fuqisë. Idetë e ra s’ishin fare të panjohura në Shqipërinë e Poshtme: atje kishte gjetur një hej, një shesh diskutimi epopeja patriotike e Garibaldit, idetë humanitare të Mazzinit.

Kërcënimi i Shqipërisë

Në Janinë prapë lufta e motit 1870 kishte zgjuar një interes të madh dhe ishte e natyrshme që çdo lëvizje, çdo parim i ri, do të ndiqesh me një kuriozitet praktik në atë qendër në të cilën nuk mungonte intelektualizmi. E nesërmja e luftës, vajtja e rusëve në portat e Stambollit dhe imponimi i vullnetit të tyre me traktatin e Shën Stefanit, po vinte në evidencë rrezikun që i kanosesh Tyrqisë, rrotja e së cilës në Rumeli po bëhesh fort e dyshimtë. Ky kërcënim ishte edhe më i posaçëm për Shqipërinë: në qoftë se imperatorial otomane po menasohesh (kërcënohej – red) si shtet, trualli arbënor po shtihesh në rrezik si racë, si komb dhe bash në një kohë kur bëhesh fjalë për të drejtat e popujve dhe për parime të njerëzisë. Duhej, pra, që edhe shqiptarët në kundërqëndrimin dhe ankimet e tyre të mbështeteshin mbi argumenta prej një mentaliteti modern.

Edhe këtu shfaqet për neve influenca e degës jugore: në Prizren populli, kompakt dhe me armë në dorë, me ndërgjegje për fuqinë materiale të tij, si dhe për supremacinë mbi elementin shka, bazonte shpresat mbi forcën e numurit dhe mbi të drejtën e pronës. Juga me pak e fortë, po më konshiente për të drejtat e saj si racë dhe si komb, vinte në peshë parimet e rinj që kishin përmbysur sisteme të vjetra. Kjo influencë e delegatit të jugës u manifestua edhe në një mënyrë më definitive duke i dhënë lëvizjes një karakter të përbashkët, gjeneral, panshqiptar, duke e nxjerrë nga forma e revendikimeve lokalë, për vatanin e vogël, për vilajetin dhe kazanë; tani mejtimet dhe kërkesat ishin për Shqipërinë e tërë, për mëmëdhenë, për juigën dhe verinë, për myslimanët dhe të krishterët, për çdo çip të truallit dhe çdo individ që flet gjuhën shqipe.

Ishte mbase hera e parë që lulja e kuptimit të kombësisë po zinte rrënjë në shkrepat e Arbërisë dhe, kuptohet vetiu se, bima e re do të zhvillohesh me gjithë ngjryat e saj: nga e sotmja te pritmi ishte një i vetëm çap për të bërë. Dhe dita e nesërme zuri të preokupojë lidhjen dhe degët e saj më tepër se gjendja e keqe e ditës: duhesh siguruar jeta e kombit dhe e mëmëdheut duke i bërë këtë komb dhe këtë mëmëdhe t’u njihen të drejtat e tyre, të respektohesh në një mënyrë baraz me të drejtat e atyre popujve në favor të të cilëve kërkohesh të shquhet trualli shqiptar.

Kushtrimi dhe poterja e zakoneve të vjetra po transferohesh në një anksion diplomatic; brenga simple dhe instiktive e katundit po merrte formën e një aspirate kombiare dhe patriotike, me një qok më të lartë dhe natyrisht më të largët.

Çfarë kërkonte

Lidhja Këndonjësi do të shohë në kaptinën e bibliografisë nomenklaturën e një sërë artikujve të mi në të cilët janë përpjekur të eksponoj punimin e Lidhjes, fazat e ndryshme të veprimit të saj dhe vështirësitë me të cilat kishte të bënte. Mjerisht, gjermë sot, studimet e bëra mbi këtë lëvizje ose botimet relative për të, janë fort të pakë, më të pakë akoma kur e krahasojmë me imponencën e saj fare kryesore. Në shumë njerëz Lidhja e Prizrenit mund të paraqitet si një prej atyre kryengritjeve që populli ynë e ka pasur kurdoherë në vetijë të tij, sidomos në shekull të nëntëmbëdhjetë me Ali Tepelenën dhe Bushatllinë si edhe më pas tyre.

Po ndryshimi qëndron mbi pikën që, kur çdo lëvizje e parë kishte për shtytkë iniciale aktivitetin e një njeriu të vetëm duke u mbështetur mbi tendenca lokale të nevojuara prej cirkonstancave të ditës, këtë radhë inisiativa merresh prej popullit dhe qëllimi ndehesh mbi të tërë Shqipërinë etnografike, mbi ditën e veprimit si edhe mbi kohën e ardhshme. Lidhja donte moscopëtimin e Shqipërisë; por edhe kërkonte që toka arbënore të njihet si Shqipëri, të caktohen të drejtat e saj, t’i respektohet jeta; me një fjalë një vend autonom, me administratë dhe sundim të përshtatun. Ishte një interprizë kolosale, me vështirësi të panumërta, së brendshmi dhe së jashtmi, në trup të popullit dhe, më tepër akoma, nga ana e sunduesit të Stambollit.

Tyrqia në fillim të lëvizjes dëfteu një kënaqësi duke parë te shqiptarët një mprojtës të integritetit tokësor të imperatorisë otomane; por aspiratat nacionaliste dhe autonomiste të shqiptarëve, mbase edhe më tepër se nga çdo send, kolaborimi i gjithë Shqipërisë dhe i gjithë elementeve fetarë, e bënë Tyrqinë që të shohë te zgjimi i maleve tanë një armik më të madh se nga ushtëritë ruse ose lakmitë e shteteve të Ballkanit.

Edhe fuqia brutale tyrke s’mënoi të manifestohet në Ulqin si edhe në Kaçanik. Mentaliteti tyrk në atë kohë nuk pranonte një ide nacionaliste, një aspiratë të bashkët dhe me bashkim; politika e sulltanit që bazuar mbi ndarje dhe çarje; shpresa e sundimit ishte ngrehur mbi antagonizmën ndërmjet toskëve dhe gegëve të krishterëve dhe myslimanëve. Pranonte që malësorët tanë të luftojnë për shtëpinë dhe kullotat e tyre, por jo për një entitet moral që i thonë mëmëdhe.

Lidhja ishte shqiptare

Padyshim s’do të mungojnë njerëz që nuk njohin rrjedhjen e punëve ose janë lëshuar në rrëketë e thënieve prej fqinjëve të interesuar dhe besojnë ose kanë besuar që Lidhja është një krijim i qeverisë tyrke. Sa thamë më sipër, janë një përgjigje për të tillët. A mund të thuhet se veprimi i Lidhjes mbeti shterpë? Një veprim, një përpjekje është kurdoherë pëllore: është lidhja dhe nisja e një ekzistence të re, edhe në qoftë se rrëfehet sijsh një rezultat imediat. Në këtë botë sforcimi për të arritur një qëllim ka mbase një rëndësi dhe një vleftë më të madhe se nga qëllimi vetë. Një luftim i sotëm është kapital i magazinuar për kohën e ardhme, një fuqi e mbetur e gjallë që ushtrohet në çdo minutë dhe shfaqet me forcë në ditë nevoje.

Edhe kështu Lidhja, tërë duke pasur si pemë vonimin e caktimit të kufisë në Epir për favorin e Greqisë dhe pastaj shpëtimin e asaj cope të madhe të Shqipërisë, pati edhe fitimin më të madh akoma të përgatitë jetën kombiare tonë, t’u japë një kuptim të ri aspiratave të popullit. Që nga ajo ditë, vërtet, fillon shpresa e një shpëtimi, e një jete më se të luftur në formë të caktuar; që atëhere merr një trajtë të kthjelltë ideja e përfytyruar prej fjalës Shqipëri; mbruhen dhe gatuhen aspiratat për një qok të shënuar. Lokalizma dhe kantonizma i lënë vend patriotizmës; tendecat ndarëse dhe mërgonjëse fillojnë të peshojnë drejt një pikë të vetme; krahinat dhe elementet që e kishin kujtuar veten e tyre të ndarë dhe të huaj me njëri-tjetri nisin të njësohen, të ndjehen solidare.

Me një fjalë, fiset të bëhen komb. Kjo mbrujtje e shpirtit dhe e dëshirave, krijimi i këtij karakteri të ri nuk bëhesh dot pa një edukatë perseverente dhe të gjatë të bazuar mbi stërvitjen morale dhe intelektuale. Edhe një pemë jo më pak e çmueshme e Lidhjes së Prizrenit qe për neve krijimi i “Shoqërisë e të shtypuri shkronja shqip”. E harruar, e përbuzur si një patois (fr. Dialect – red), e shikuar, jo si një vegël qytetërimi por mbase, si një ndalesë përparimi, shqipja, me themelimin e Shoqërisë së Stambollit nis të bëhet e gjallë dhe shpirtdhënëse, të jetë një organ për të dhënë ide dhe aspirata, të zgjojë ndjenja dhe të frymëzojë mendime. Ç’shohim sot, ç’presim nga e ardhmja, ç’kemi të drejtë të kërkojmë nga pritmi, buron nga shoqëria letrare, lindur nga lëvizja e Lidhjes së Prizrenit. /Tema/