Mesi në SHBA: Rilindja urbane dhe reforma në drejtësi, të suksesshme dhe me rezultate të prekshme tek qytetari

Është prezantuar sot për herë të parë në New York, Raporti Vullnetar Kombëtar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) nga zëvendëskryeministrja, Senida Mesi.

Sipas Mesit, objektivi kryesor I Shqipërisë lidhet ngushtë me integrimin Europian, si dhe me reformat e vazhdueshme të ndërmarra në drejtim të arritjes së “Axhendës 2030”.

Ndërkohë, shtoi më tej se reformat e ndërmarra, të cilat i ka cilësuar të suksesshme, kanë sjellë rezultate të prekshme për qytetarët.

“Theksova njëkohësisht reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si rilindja urbane dhe ajo e reformës në drejtësi, reforma të cilat kanë sjellë dhe do të vazhdojnë të sjellin rezultate të prekshme tek qytetari”, u shpreh Mesi.

Ndërmarrja e veprimeve konkrete nga çdo shtet në çrrënjosjen e varfërisë, mbrojtjen e planetit dhe garantimin që çdo popull të gëzojë paqe dhe prosperitet është edhe qëllimi kryesor i “Axhenda 2030”. Sipas zv/kryeministres, raporti i prezantuar sot është një reflektim i një angazhimi gjithëpërfshirës të bazuar në një proces të mirëintegruar.

G.D/SCAN