Mesazhi Papës për 100 vjetorin e Kodit të parë të së Drejtës kanonike të Kishës

“Njëqind vjetori që kremtohet sivjet duhet të jetë edhe një rast i volitshëm për të shikuar të sotmen dhe të nesërmen, për të marr përsëri në dorë e thelluar kuptimin e vërtetë të së drejtës në Kishë, Korpin Mistik të Krishtit, ku kemi mbizotërimin e Fjalës dhe të Sakramenteve, ndërsa norma juridike ka një rol të duhur, po, por është një shërbim”.

Janë fjalët e Papës Françesku në Mesazhin për Kongresin XVI ndërkombëtar të së Drejtës kanonike organizuar në Romë nga Consociatio  me rastin e njëqind vjetorit të shpalljes së Kodit të parë të së drejtës kanonike kishtare, më 12 maj 1917.

Duke u ndalur te sfidat e sotme e jo vetëm te ngjarja përkujtimore, për Papën duhet të vlerësojmë frymën e Kongresit, si një “rast të volitshëm për të reflektuar mbi formimin juridik burimor, të natyrshëm e autentik  në Kishë, që ndihmon të kuptohet, pikërisht, aspekti baritor i së drejtës kanonike, të çmohet shërbimi e ndihma e kodit të së drejtës kanonike për shpëtimin e shpirtrave (salus animarum, siç pohon kan. 1752 i Kodit të vitit 1983), vlerësimi i virtytit të drejtësisë, që duhet të afirmohet e të garantohet edhe në Kishë”.

Duke cituar Letrën e Papës Benediktit XVI drejtuar seminaristëve dhe atë që ka shkruar shën Gjon Pali II në Kushtetutën apostolike Sacrae disciplinae legës, Papa Françesku ripohon thirrjen për ta dashur të drejtën kanonike në saje të asaj se “Nulla est charitas sine iustitia” dhe të kuptohet “se në Kishë, e drejta kanonike duhet të jetë gjithmonë në përkim me ekleziologjinë konciliare, duhet të jetë një vegël e urtë, e përshtatshme dhe efikase për shqipërimin a shpjegimin e mësimeve të Koncilit të II të Vatikanit për jetën e përditshme të popullit të Zotit”.

Pra, “kolegjialitetit, sinodaliteti në qeverisjen e Kishës, vlerësimi i Kishës së veçantë a lokale, përgjegjësia e të gjithë besimtarëve të Krishtit në misionin e Kishës, ekumenizmi, mëshira dhe afërsia si parime baritore primare, liria fetare personale, kolektive e ajo institucionale, laiciteti hapur e pozitiv, bashkëpunimi shëndosh ndërmjet komuniteteve kishtare e atyre civile në fusha të ndryshme: janë disa prej temave të mëdha ku e drejta kanonike e Kishës mund të zhvillojë e të ketë edhe një funksion edukativ, duke lehtësuar në popullin e krishterë rritjen dhe përforcimin e një kulture në përkim me mësimet konciliare të Vatikanit II”. Këtë, pra, pohon Papa Françesku në mesazhin me rastin e Kongresit XVI ndërkombëtar të së Drejtës kanonike mbi temën: “E Drejta Kanonike dhe kulturat juridike në njëqind vjetorin e Codes Iuris Canonici të vitit 1917”.

E pikërisht me vështrimin ndaj Koncilit II të Vatikanit mbyllet Mesazhi i Papës Françesku: “Si çdo Koncil, edhe Vatikani II është i destinuar të ushtrojë në tërë Kishën një ndikim të gjatë në kohë. Prandaj, e drejta kanonike mund të jetë një vegël e privilegjuar për të favorizuar njohjen dhe pranimin e mësimeve konciliare gjatë rrjedhës së kohës e te brezat e ndryshëm”.

Radio Vatikani