Mesazhi i imzot Frendos për Pashkë: “përfaqësuesit e popullit të jenë shembull”

“Paqja me ju!” Përshëndetja e Krishtit pas Ringjalljes është në qendër të mesazhit të kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit.

R.SH. – Vatikan

Në gjendjen delikate, në të cilën ndodhet Shqipëria, mes protestash e dhunës, edhe verbale, imzot  George Frendo u kujton të gjithëve se e kanë për detyrë morale të mbrojnë paqen. “Nuk duam vetëvrasjen e kombit” ngre zërin kryeipeshkvi, i cili u kujton atyre, që protestojnë me dhunë, fjalët e Krishtit për Pjetrin: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”. Ndërsa politikanëve u përmend Darkën e Mbrame të Jezusit, i cili u lau këmbët apostujve, duke u kërkuar t’u shërbejnë të tjerëve. “Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull”, pohon imzot Frendo. Por le ta dëgjojmë mesazhin e tij…

Te dashur degjues, Gezuar Pashket!

Sivjet po kremtojmë Pashkët në një moment shumë kritik dhe të tensionuar në Shqiperi. Unë nuk jam politikan, por si bari që i do Shqipërinë dhe Shqiptarët, nuk mund të hesht përballë kësaj situate. U bëj apel të gjithë politikanëve: kanë detyrë morale të angazhohen për një zgjidhje të drejtë. Le të shqetësohen më shumë për të mirën e përbashkët sesa për pozitën që kanë. Situata tashmë është shumë e rënde, por më shumë të zgjasë, më shumë të mëdha do të jenë pasojat për popullin. NUK DUAM VETËVRASJEN E KOMBIT!

Krishti i ngjallur, në takimet e tij me njerëzit e shumtë, pati gjithmonë të njëjtin urim: “Paqja me ju!” Atyre që mbajnë inat në zemrat e tyre, që merren me ndjenja hakmarrjeje, Krishti u thotë: “Falni, ashtu si unë ju kam falur”. Atyre që protestojnë me dhunë dhe vandalizëm, i kujton fjalët e tij drejtuar Pjetrit: “Të gjithë ata që rrokin shpatën, nga shpata do të vdesin”. Dhe atyre që kanë autoritet politik i kujton se, në darkën e tij të fundit, pasi i lau këmbët e apostujve, u tha: “Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju”. Përfaqësuesit e popullit duhet të jenë shembull për popullin.