Mes lotësh dhe nderimesh i jepet lamtumira e fundit, ”Dëshmores së Atdheut”, Zarife Hasanaj

Familjarët e saj dhe krerët më të lartë të shtetit, nderuan kujtimin e saj duke ngritur në piedestal vlerat, talentin dhe sakrificën sublike të ushtarakes shqiptare që humbi jetën gjatë misionit në Letoni

Lot, dhimbje dhe nderime nga shteti dhe qindra shqiptarë për Zarife Hasanaj. Në një ceremoni të veçantë homazhesh në Pallatin e Kongreseve, nëntetares të rënë në krye të detyrës në Letoni, ju dha lamtumira e fundit. Zarife Hasanaj u përcoll për në banesën e fundit në varrezat e dëshmorëve, ku do të prehet si “Dëshmore e Atdheut”. Në nder të saj, e premta u shpall Ditë Zie Kombëtare dhe flamunjtë në të gjitha institucionet e vendit, u ulën në gjysmë shtizë. Flamuri shqiptar në selinë e NATO-s është ulur në gjysmë shtizë në nder të nëntetares Zarife Hasanaj. Familjarët e saj dhe krerët më të lartë të shtetit, nderuan kujtimin e saj duke ngritur në piedestal vlerat, talentin dhe sakrificën sublike të ushtarakes shqiptare që humbi jetën gjatë misionit të kontigjentit shqiptar në Letoni, pjesë e misionit të NATO. Hasanaj humbi jetën nga shpërthimi i një mine teksa e çmontonte atë. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e

Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Bardhyl Kollçaku, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, Kreu i PD-së, Lulzim Basha, Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, lanë nga një shënim për të ndjerën. E veshur me të zeza dhe me një shirit të zi në krahë, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka la një shënim të gjatë në nder të Zarife Hasanajt. “Flamuri ynë kombëtar rri në gjysmë shtizë për të vajtuar në heshtjen e tij të përjetshme të parën vajzë në historinë e Forcave të Armatosura që ndahet nga jeta për shkak të detyrës, Zarife Hasanaj”. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, “Dëshmores së Atdheut”, Zarife Hasanaj. Në fjalën e lamtumirës, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se nuk është e lehtë të zgjedhësh fjalët e lamtumirës. “Asnjeri prej nesh as e kishte çuar ndërmend që, Zarife Hasanaj, me gjallërinë dhe vitalitetin që kishte, me dëshirën dhe dashurinë për jetën që e karakterizonte, do të nisej kaq papritur për t’u ndarë nga gjithë njerëzit”. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku, tha se: “Në këtë ditë të vështirë jemi bashkë për ti thënë lamtumirë Zarifes sonë të dashur. Zarifja bija e Shqipërisë, heroina e Shqipërisë po shkon në altarin e pavdekësisë në gjirin e Nënës së Madhe Shqipëri, dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm”.

Babai i efektives që humbi jetën në shërbim të atdheut mes lotëve puthi flamurin kuq e zi. Në ceremoninë e varrimit u mbajt një mintë heshtje dhe më pas familjarët, të afërmit dhe kolegën i dhanë lamtumirën e fundit nën të shtënat e armëve. Moment prekës ishin çastet kur u palos flamuri më të cilin ishte mbështjellë e ndjera dhe më pas iu dorëzua babait të saj. Ai me lot në sy më pas e mori dhe e puthi me ngashërim. Një numër i madh i Forcave Ushtarake kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e homazheve të nëntetares së rënë në krye të detyrës në Letoni, Zarife Hasanaj. Moment mjaft prekës ishte kur komandanti i kontigjentit EOD ku nëntetare Zarife Hasanaj ishte pjesë, kreu “apelin e fundit”, ku thirri emrin e saj tre herë rresht, sipas ritualit ushtarak por Zafire Hasanaj nuk iu përgjigj apelit të fundit të komandantit të saj, pasi ra në krye të detyrës. Komandati, më pas i dorëzoi babait të nëntetares së ndjerë Flamurin Kombëtar me të cilin ishte mbuluar arkivoli, teksa u preh tek varrezat e dëshmorëve.  Hetimet për shkakun e shpërthimit në depo, teksa po demontonin predha të kalibrit të madh, vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa gjithçka flet për një aksident dhe jo sulm.

Një lajm i keq vjen nga mediat letoneze, ku RIGA raporton se gjendja shëndetësore e Major Klodian Tanushit është tepër e rëndë, ndërsa rreshter Julian Kapaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën. U prehsh në paqe heroina jonë, u prehsh në paqe në Altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, nga ku frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e të rënëve, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët. Para se trupi i pajetë të udhëtonte drejt atdheut, në bazën Camp Adazi në Letoni, u organizua ceremonia e lamtumirës me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”.  Në ceremoni mori pjesë gjithë kontingjenti shqiptar në grup-batalionin e NATO-s në Letoni dhe përfaqësuesi ushtarak shqiptar në NATO. Kolegë dhe kolege të cilët nuk i ndalin dot lotët, teksa nderonin nëntetaren e rënë në krye të detyrës. Hasanaj ka përfunduar Shkollën e mesme të përgjithshme “Gramoz Palushi” në Babrru. Më pas ka kryer Fakultetin e bujqësisë dhe mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës 2012-2017. Më pas nëntetarja ka kryer kursin EOD, niveli i I-rë “Asgjësimi i Muncioneve me Eksplozivë”. Është mobilizuar në FA më datë 04/04/2008 si ushtare profesionist i parë dhe në datë 01/10/2013, titullohet n/oficer me gradën n/tetar. Në 20 dhjetor 2018 është dërguar me mision në operacionin ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni, në përbërje të Grup-Batalionit Kanadez, me afat qëndrim 6 mujor, me detyrë Operator EOD. Hasanaj do të përfundonte misionin e saj të parë muajin e ardhshëm.