Merkel: Ka vetëm një Europë, ajo e bashkuar me vendet e Ballkanit Perëndimor

Rreth dy muaj para marrjes së vendimit për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka ritheksuar angazhimin e saj për zgjerimin e bllokut, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së saj të hënën në përkujtimin e “piknikut pan-Europian”, ngjarja që shënoi rënien e Perdes së Hekurt dhe solli bashkimin e Europës Perëndimore me atë Lindore, kancelarja gjermane tha: “Europa do të jetë e bashkuar vërtet kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Europian”.

Në ceremoninë që shënoi 30 vjetorin e “piknikut pan-Europian” në Hungari, Merkel theksoi: “Nëse i shikoni gjërat nga pikëpamja gjeostrategjike dhe gjithashtu shikoni hartën, atëherë do të ketë vetëm një Europë, vetëm kur asaj t’i bashkohen vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Deklarata e kancelares Merkel këtë të hënë shpreh një ripërtëritje angazhimit të Berlinit për zgjerimin e BE-së, një ide jo shumë e përkrahur nga disa qeveri të BE-së si dhe shumë votues në Europën Perëndimore.

Gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nuk janë anëtare të BE-së: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vende kandidate, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova klasifikohen si “kandidatë të mundshëm”.

Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë të angazhuara në bisedimet e anëtarësimit për vite me radhë.

Ministrat e BE-së vendosën në qershor të vonojnë vendimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut deri në tetor, kryesisht për shkak të rezistencës së Francës dhe Hollandës.