Melania Trump: jam personi që ka vuajtur më shumë nga bullizmi

Zonja e Parë amerikane Melania Trump e përshkroi veten si “personin që ka vuajtur më shumë nga bullizmi në botë” përpara se ta zbusë deklaratën e saj, duke thënë se ishte “një prej më shumë të prekurve prej këtij fenomeni”.

Komentet e saj zonja Trump i bëri gjatë një interviste për rrjetin televiziv ABC News që u regjistrua javën e kaluar gjatë udhëtimit të saj në Afrikë. Zonja e Parë u pyet se përse ajo e kishte marrë përsipër çështjet e trajtimit të bullizmit në internet.

“Mund të them se jam njeriu që po vuaj më shumë se çdo njeri tjetër në botë nga fenomeni i bullzimit”, tha ajo.

Pas këtij pohimi gazetarja e pyeti:

“A jeni ju vërtet personi më i prekur në botë?”

“Një prej tyre, nëse vërtet shikoni se çfarë thonë njerëzit për mua” u përgjigj zonja Trump.

Fillimisht Melania Trump u angazhua për të luftuar bullizmin kibernetik gjatë fushatës presidenciale të bashkëshortit të saj në vitin 2016. Kritikët e kanë quajtur hipokrite fushatën e saj, duke treguar komentet që bashkëshorti i saj ka bërë në Twitter duke denigruar nivelin e inteligjencës, talentin dhe pamjen e njerëzve.

Zonja e Parë amerikane tha gjithashtu se gjatë dy viteve të kësaj administrate ka ende njerëz që punojnë në Shtëpinë e Bardhë, tek të cilët ajo nuk ka besim.

“Disa prej tyre, nuk punojnë më aty”, i tha ajo televizionit ABC.

Komentet pasuan një analizë anonime të botuar në gazetën New York Times muajin e kaluar nga një “zyrtar i lartë i administratës”, i cili përshkruante një rezistencë të fshehtë në Shtëpinë e Bardhë kundër impulseve të presidentit.

VOA