Mehmet Sallçini, shoferi që i shërbeu Zogut dhe Enver Hoxhës

Nga Bashkim Koçi

Kisha goxha kohë pa e parë ish shoferin e gazetës “Zëri i Popullit”, Albert Sallçinin, me të cilin më ish dashur të punoja rreth 15 vjet si redaktor pranë asaj gazete. Shofer Berti në ato kohë më kish krijuar përshtypjen e njeriut punëtor, shumë serioz në marrëdhëniet me eprorët e gazetarët dhe,  çka më diktonte të kisha mendim e përshtypje pozitive për të, ai ish “pa vesh e pa gojë”, që nuk dinte të përzihej, të merrte a të përcillte tek të tjerët fjalë që dëgjonte brenda “mureve” të makinës.  Kështu e njihnim të gjithë Bertin. Ai punonte fort në heshtje dhe linte që zhurmën ta bënte suksesi në kryerjen e detyrës, edhe pse të një shoferi të thjeshtë.

Ndodhka që ndonjë “sekret” nga jeta  të një miku të vjetër ta marrësh vesh vonë, aq vonë sa po të të kalojë  edhe ai rast “i vonuar”, nuk do ta mësosh kurrë. Ashtu si më ndodhi mua me shoferin Albert Sallçini, të cilin po e sjell edhe si një kuriozitet për lexuesin e gazetës “DITA”.

Berti na qenkej djalë, babai i të cilit kishte qenë shofer shumë i mirë, nga më të kërkuarit  e kohës për shërbime speciale  e për autoritete shtetërorë që punonin në kryeqytet, në Tiranë. Ai paskësh qenë i atij niveli  saqë  kishte arritur të shërbente si i tillë në Pallatin Mbretëror, Ahmet Zogut dhe mbas çlirimit të vendit, Enver Hoxhës. Sipas Bertit i ati, Mehmeti, ishte  “i kompletuar” për të kryer detyrën e shoferit pranë një institucioni të rëndësishëm, siç ish Oborri Mbretëror, sepse i kishte të gjitha çka i duhej. Ishte i pashëm, truplartë dhe i shëndetshëm, i zgjuar dhe gojëkyçur, shofer profesionist që i kishte shokët të rrallë. Ai kujton dhe na tregon shumë pak gjëra nga shërbimi i të atit si shofer i Zogut. Thotë se ka qëndruar aty, pra në Oborrin Mbretëror, tre vjet, nga viti 1937 e deri në prill të vitit 1939 kur Mbreti u arratis. Makina me të cilën punonte ishte  tip “Bjanka”, shumë speciale për t’u  shërbyer personaliteteve  të rëndësishwm siç ishte Mbreti. Shoferi Mehmet Sallçini kishte kryer me makinën e tij  punë nga më të ndryshmet brenda Oborrit, edhe personave pranë familjes mbretërore.  Madje ai e paska shoqëruar Ahmet Zogun ditën kur ai mori arratinë, kur kreu tradhtinë e tij ndaj popullit dhe kombit pikërisht kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë. Nuk mund ta harroj pasdrekën e asaj të premte të zezë, më thoshte babai, kur mora rrugën e Elbasanit e që e dija, e kisha marrë vesh se Zogu, pasi kishte grabitur thesarin e shtetit,  do të  largohej për në Greqi. Berti thotë se e ka lënë në Zëmblak të Korçës, në shtëpinë e Gani Kullës, një përkrahësi të zellshëm dhe mik i Mbretit Zog. Berti mban mend se i ati i ka thënë edhe një hollësi rreth këtij udhëtimi. Mbreti paska qëndruar vetëm për “një kafe” në shtëpinë e Gani Zëmblakut, sa kohë që i duhej Geraldinës për të ushqyer djalin e porsalindur. Pastaj Zogu kish marë rrugën drejt  kufirit  me Greqinë. Më tregonte gjithnjë babai për atë ditë që kishte shoqëruar Mbretin drejt arratisë, thotë Berti.  Kur Ahmet Zogu kishte mbwrritur në destinacion, në pikën fundore të kufirit, u paskësh thënë që, nëse dëshironin, të shkonin bashkë me të. Por Mehmet Sallçini  e kishte refuzuar ftesën që i kishte bërë Mbreti, duke i thënë: nuk mundem, kam një familje që mezi pret të kthehem.

I kërkova Bertit nëse mbante mend ndonjë gjë, kuriozitet apo ndodhi që t’i kish mbetur në mendje nga koha që i ati i kish treguar për vitet që shërbeu pranë Oborrit Mbretëror, por sipas tij “babai u qëndronte larg këtyre kujtimeve dhe nuk ndjehesh mirë nëse i kërkoje të dije hollësira për kohën kur sundoi mbreti Zog.”

Pas arratisjes së Ahmet Zogut Mehmet Sallçini ishte punësuar pranë prokurorisë së Tiranës si shofer i Prokurorit të përgjithshëm  Sitki Shkupit. Ai ishte emër i dëgjuar dhe me shumë ndikim në qarqet qeverisëse të kohës, mbante mend t’ kish thënë babai. Sipas tij Sitki Shkupi kishte qenë  besnik i klaneve që mbështetën pushtimin e vendit nga Italia dhe më pas i gjermanëve.

Në këtë kohë Mehmet Sallçini mori anën e lëvizjes për liri e çlirim kombëtar. Nuk mori pushkën e të rreshtohej në formacione partizane, por ndihmoi në ca shërbime të cilat lidheshin me profesionin e tij si shofer. Në shtator të vitit 1943 me makinën e tij realizoi lëvizjen e Enver Hoxhës për në Labinot. Në makinë ishin dy persona, më kishte thënë babai, dhe makinën e kishim mbushur me materiale  propagandistike për luftën si dhe armatime. Udhëtimi bëhëj për të shkuar në Labinot të Elbasanit. Në rrugë e sipër kish ndodhur e papritura që mund të ishte një fund i tmerrshëm.

Tek ura, pa vajtur në Mullet, u kishin zënë rrugën gjermanët. E kishin ndaluar dhe pa bërë asnjë komunikim i kishin bërë  me shënjë, demek na trego dokumentet. Shofer Mehmet Sallçini ishte trembur, i kishte ngrirë gjaku. Më shumë për “personat e rëndësishëm” që kishte në makinë sesa për ngarkesën me materiale komprometuese. Në moment, çështje sekondash, kishte nxjerrë dokumentin që vërtetonte se ishte shoferi i prokurorit të përgjithshëm, i Sitki Shkupit. Ky dokument “magjik” e shpëtoi nga rreziku,  bëri që gjermanët të tërhiqeshin, të mos vazhdonin procedurat, të cilat do të dekonspironin se cilët ishin dy “tregtarët” në makinë dhe cili ishte “malli” që shkonte në tregun e Elbasanit. E pyeta Bertin, nëse i kishte  thënë gjë babai  se cili ishte personi i dytë që shoqëronte Enver Hoxhën në rrugën për në Labinot dhe ai, pra Berti, thotë që duhet të ketë qenë Omer Nishani.

Shërbimet që bëri ditë pas dite e muaj pas muaji në ndihmë të luftës Nacionalçlirimtare,  viti 1945 Mehmet Sallçinin e gjeti në shërbim të familjes së Enver Hoxhës. Ai kryente “të gjitha” punët si shofer me makinën e tij të tipit Fjat (Miloçinkaeçento), por  që për fat të keq nuk disponon ndonjë fotografi. Ai i shërbeu direkt  Enver Hoxhës, por edhe pjesëtarëve të familjes, për lëvizjen e tyre brënda Tiranës, por edhe jashtë saj kur e kërkonte puna. Një ndër këto shërbime që Mehmeti mbante mend, dhe që ia kishte treguar edhe të birit,  ishte transportimi i Nexhmije Hoxhës nga shtëpia ku banonte për në Shtëpinë e Lindjes. Ka qenë fundi i muajit Mars të vitit 1949. Babai, thotë Berti për të atin, ishte shumë korrekt në punë, karakterizohej nga një disiplinë e jashtëzakonshme. Ndoshta kjo korrektësi bëri që ai të qëndronte pranë familjes së Enver Hoxhës për më shumë se 4 vjet.

Nga mesi i vitit 1949  shoferit Mehmet Sallçini iu kërkua të largohej, duke i afruar një vend pune që ai nuk e priste: drejtor të Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, themelet e të cilit sapo kishin filluar të hapeshin. Jo, në asnjë mënyrë, nuk jam unë për të kryer detyrë drejtori apo përgjegjësash nëpër administrata. Unë jam shofer dhe këtij zanati nuk i ndahem deri sa të kem shëndet të mirë, atë që kërkon ky profesion delikat,  u kish thënë Mehmeti. Atëherë, për ta nderuar e respektuar për punën e detyrat që kishte kryer për një kohë të gjatë pranë Enver Hoxhës me shumë korrektësi e besnikëri, e caktuan të punonte, po si shofer, në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”. Kjo gjë e kishte bërë me krahë sepse, nëse propozuesit do të kishin ngulur këmbë që ai të shkonte “aty ku kishte nevojë Partia”, pra të behej drejtor, edhe ai  mund të ishte “thyer” e të braktistë profesionin e tij aq të dashur. Sigurisht që makina mbeti aty, në shërbim të udhëheqjes. Për kuriozitet të lexuesit ishte ajo makinë që u ekspozua në Muzeun që u ngrit vite të shkuara për Enver Hoxhën, tek Piramida.

Mehmet Sallçini punoi në shërbim të redaksisë së gazetës deri në vitin 1969, vit kur doli në pension e që në vend të tij  do të vinte i biri, po shofer, Albert Sallçini.  Këtë nder ua kishte kërkuar t’ia bënin shokët drejtues të gazetës, të cilët, duke ia njohur mirë “tabiatet” shofer Mehmetit, ishin besimplotë se ai këto cilësi shumë të mira për një shofer në shërbim të zyrtarëve të lartë do t’i kishte  përcjellë edhe tek i biri, Berti. E vërteta është se edhe  Albert Sallçini, i biri i shoferit që i shërbeu Mbretit Zog dhe Enver Hoxhës, për aq sa e njohëm në punët tona, duke udhëtuar me të në të katër anët e vendit, ishte po aq punëtor e korrekt sa i ati. Ai shërbeu pranë redaksisë së gazetës “Zëri i Popullit” deri në vitin 1991, pra plot 22 vjet.