Mediat televizive italiane: Thesari i fshehur në fund të detit, në brigjet shqiptare

Rainews.it ka shkruar se një grup arkeologësh kanë kërkuar gjatë një konference, ku fokusi ishte në arkeologjinë nënujore, që autoritetet shqiptare të krijojnë një muze për të ruajtur dhe ekspozuar artefaktet romake e greke, si dhe reliket antike që gjenden në fund të detit të tyre.

“Ka ardhur momenti të ndërtohet një muzeum për turistët shqiptarë dhe të huaj. Shumë amfora ndoshta janë tashmë të trafikuara, shumë prej tyre i shohim si dekorime nëpër restorantet përgjatë detit. Shqipëria është duke u përpjekur të mbrojë dhe kapitalizojë pasurinë e saj”, ka theksuar në konferencë arkeologu Neritan Ceka.

Arkeologët kanë paralajmëruar se kjo pasuri e madhe në pjesën jugore të vendit, afër kufirit me Greqinë, mund të jetë lehtësisht e shkatërrueshme nga grabitësit, keqbërësit dhe kërkuesit e thesareve.

Presidenti i RPM me seli në Florida, James Goold ka deklaruar se objektet e sipërpërmendura datojnë që prej shekullit VIII para Krishtit e deri në Luftën e Dytë Botërore.

Ai vijon të thotë se reliket antike mund të shërbejnë si atraksione të mëdha turistike, por vetëm nëse vlerësohen siç duhet.

Instituti kërkimor italo-shqiptar, L’RPM Goold ka evidentuar 22 relike dhe qindra amfora në det të hapur, nga kufiri i Greqisë deri në Gjirin e Vlorës.

Konkretisht flitet për vazo prej balte, të cilat paraqiten të gjata dhe të ngushta.

Këto vazo përdoreshin dikur për të transportuar vajin e ullirit dhe të verës përgjatë rrugëve tregtare ndërmjet Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, ku Shqipëria (Iliria) gjendej e pozicionuar në mesin e tyre.