Media italiane “Lucania News24”: “Tirana, nga një xhungël urbane, në një qytet europian”

Transformimi i kryeqytetit shqiptar nga pikëpamja urbane është në fokus të një artikulli të botuar në “Lucania News24”. Pas mbretërimit të kioskave dhe ndërtimeve pa leje, thotë autori i shkrimit, zgjedhja e Edi Ramës si kryebashkiak i Tiranës në vitin 2000, pa asnjë dyshim, shënon një çast vendimtar për historinë e vonë të Tiranës. “Në vitin 2015, me rikthimin socialistëve në drejtimin e bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku i ri Erion Veliaj, me një energji të jashtëzakonshme, në fare pak muaj arriti të ndalë rrënimin e qytetit dhe e vendosi menaxhimin e bashkisë në të njëjtin model që kishte ngritur Edi Rama. Qyteti u kthye sërish i pastër dhe jeta u bë më shumë dinamike, e bukur dhe interesante. Pikërisht në këtë periudhë u rrit shumë numri i sipërmarrësve italianë në Tiranë, mbi të gjitha në sektorin e restoranteve. Veliaj po çon përpara punën e tij në mënyrë interesante duke veshur menaxhimin e përditshëm me rilindjen e kulturës civile dhe të vullnetarizmit. Mbi këtë të fundit është e rëndësishme të theksohet se Veliaj është ndër politikanët e parë që ka zhvilluar një lëvizje të shkallës së gjerë me vullnetarë kryesisht të rinj, që kanë në zemër fatet e qytetit. Është vërtetë frymëzuese të shohësh shumë të rinj që çdo ditë marrin pjesë në mbjelljen e bimëve për të rritur sipërfaqen e gjelbër në kodrat e qytetit, që bashkëpunojnë për pastrimin e lagjeve dhe ndihmojnë në ndarjen e ushqimit në mensat për të varfrit. Kjo është një kulturë e re. Në fakt, në Shqipërinë socialiste nuk ka pasur një vullnetarizëm të vërtetë, por një përpjekje e forcuar për të organizuar të shtuna komuniste duke ndjekur modelin sovjetik. Ky fakt po hedh themelet për një mënyrë të re për të parë qytetin si shtëpinë tënde, si një të mirë të përbashkët për të cilën duhet të kujdesen të gjithë! Me Veliajn u rikthye sërish shpresa për të jetuar në një qytet europian, pavarësisht frustrimeve të viteve ’90. Ashtu sikurse thoshte me të drejtë Bauman, shpresa nuk është kurrë krejtësisht e frustruar, por qëndron në një gjendje të vazhduar eksitimi, me interesin gjithnjë në lëvizje që spostohet drejt objekteve gjithnjë të reja”,- thuhet në artikullin e medias italiane.