Më 31 maj përfundon muaji maj kushtuar nderimit të Marisë Virgjër

Më 31 maj, në mbarë botën e krishterë katolike kremtohet përfundimi i muajit të nderimit tё Zojës së Bekuar. E sivjet 31 maji përkon me solemnitetin e Rrëshajëve, kёshtu, Kisha na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, së cilës t’i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja.

R.SH. – Vatikan

Sipas traditës, më 31 maj, në mbarë botën e krishterë katolike kremtohet përfundimi i muajit të nderimit tё Zojës së Bekuar. E sivjet 31 maji përkon me solemnitetin e Rrëshajëve, kёshtu, Kisha na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, së cilës t’i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Kisha, me kёtё rast, na fton të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, ndërsa kremtojmё këtë festë dhe takim me Shpirtin Shenjt Zot.

Dita e 31 majit, është dita në të cilën Kisha katolike kremton festёn e Pasisё sё Zojës Mёri tek Elizabeta, pra, kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazaretit në shtëpinë e Elizabetës. Pasi i ka thënë “po” Zotit dhe e pranoi Jezusin në zemrën e vet, Maria nuk mund të rrijë në shtëpinë e saj, ndjen nevojën të shkojë në shtëpinë e një tjetre, për t’iu gjendur pranë, për t’i shërbyer. Në përfundim të majit ne dëshirojmë t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazaretit, për të dalë edhe ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri, në mënyrë që kush të na takojë e të na pyesë – siç e patën pyetur Nënë Terezën: “Pse i bën këto gjëra?” – të mund të përgjigjemi: “Sepse m’i ka mësuar Zoti im, që quhet dashuri”.

Çka tё mësojmë nga muaji maj, duke ndjekur edhe mësimet e Papës Françesku?

Siç pohonte Pali VI në një homeli, nuk mund ta lëmë muajin e majit të kalojë, pa rindezur devocionin tonë për Marinë, por edhe pa u vënë për udhë drejt vëllezërve tanë, si na mëson vazhdimisht Papa Françesku. Festa e Pasisё sё Zojës Mёri tek Elizabeta është e vetmja festë mariane e majit, parashikuar nga reforma e Papës Montini. Maji, prandaj, është edhe muaji i Pasisë, muaji i Virgjërës së vënë për udhë. E ta nderosh kështu Marinë në muajin e saj, domethënë ta konceptosh jetën si vijim të amësisë së Nënës së Krishtit, të rizbulosh e t’i ndihmosh edhe të tjerët të zbulojnë se Krishti është përgjithmonë e jetës Zoti me ne, i mishëruar në kraharorin  e Marisë, për të jetuar si ne e për të na sjellë dhuratën e parrëfyeshme të pranisë së Tij. E duke e kremtuar kështu muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Maria do të na ndihmojë t’i shërojmë plagët që na hap çdo ditë jeta, të krijojmë frymën e bashkimit e të mbushemi  me të njëjtin ngazëllim, që e pati mbushur zemrën e Elizabetës, ditën kur pati fatin të takohet me Nënën e Zotit!

 

Pse është bërë traditë, në fund të majit, organizimi i procesioneve kushtuar Zojës së Bekuar? Ç’kuptim kanë?

Procesioni na nxit të meditojmë për misterin e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta, në sa mbante në kraharor Jezusin. Ajo është vajzë e re, por nuk ka frikë, sepse Zoti është me të, brënda saj. E ne, në një farë mënyre, mund të themi se ky udhëtim i saj qe proçesioni i parë i historisë. Tabernakull i vërtetë i Zotit të mishëruar, Maria është arka e Besëlidhjes, në të cilën Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu popullin e vet. Procesioni na kujton edhe çastin kur Zoja hyri në shtëpinë e Elizabetës e Gjoni kërceu prej hareje në kraharorin e s’ëmës, gati sikur të donte të paralajmëronte ardhjen e Atij, që në një të nesërme do t’ia kumtonte Izraelit. Galdojnë foshnjat, galdojnë nënat. E ky takim përplot me gëzimin e Shpirtit Shenjt gjen shprehjen e vet tek Magnificat, që vijon të jehojë në zemrat e besimtarëve, për të shprehur gëzimin e Kishës, e cila e mirëpret gjithnjë Krishtin në Eukaristinë shenjte dhe e çon në botë, me dëshiminë e bamirësisë vepruese plot fe e shpresë. Po, gëzimi i vërtetë i të krishterit është pikërisht ta mirëpresë Jezusin e t’ua çojë edhe të tjerëve. Prandaj mund të themi me plot gojën se dita e fundit e Muajit të Zojës tingëllon si ftesë drejtuar gjithë të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan me shpirt eukaristik, që jeta e secilit të bëhet një Magnificat – një këngë e vërtetë lavdërimi lartuar Zotit!

Muaji maj i Zojës në trevat shqiptare

Kujtojmë se  në trevat shqiptare muaji maj i Zojës nisi të kremtohej njëherësh me Evropën e krishterë, kur shqiptarët ecnin ende me të njëjtin hap. Marisë nisën t’i kushtohen një mori shkrimesh, duke filluar nga vepra poetike e arbëreshit Jul Variboba “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, për të vijuar me  disa libra meditimesh e uratësh, shkruar nga penat më në zë të letrave shqipe të kohës, ndërmjet të cilave po kujtojmë vetëm Dom Ndre Mjedjen, që ribotoi 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum” dhe  Imzot Vinçenc Prennushin, që i kushtoi librin “Moji i majit”. Pastaj erdhën kohë të mugëta, kur veprat kushtuar Zojës u fshehën ndër skuta. U fshehën e nuk po dalin më në dritë.

Meriton, prandaj, të studiohet, së paku për vlerat gjuhësore, hagjiografia mariane, një “tufë me lule fjalësh shqipe” për majin e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore Qiellore e shqiptarëve.  Kujtojmë se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra Kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, e po kështu edhe në Shqipëri, në Kosovë e në vise tjera shqiptare, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë të Vitisë, në Zymë të Prizrenit e vende tjera.