Me 30 shtator kalendari përkujton Shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës

Shën Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën studimit të Biblës aq, sa u shpall “dijetar i Kishës në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta”. Në të vërtetë, dialogu me Hyjin, me fjalën e Tij, në një farë mënyre do të thotë prani e Qiellit, dmth prani e Hyjit. “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin.

R.SH. – Vatikan

Një nga figurat më të shquara të Kishës katolike gjatë shekujve të parë mbas ediktit kostandinian, Shën Jeronimi qe polemist i mprehtë, skripturist i thellë dhe punëtor i palodhshëm.

Shën Jeronimi ia kushtoi tërë jetën studimit të Biblës aq, sa Papa Benedikti XV, e shpalli “dijetar të Kishës në interpretimin e Shkrimeve të Shenjta. Jeronimi nënvizonte gëzimin dhe rëndësinë që buron nga familjarizimi me tekstet biblike: “Thua s’të duket se banon në mbretërinë e qiejve që këtu në tokë, kur jeton ndërmjet këtyre teksteve, kur i mediton, kur nuk njeh e nuk kërkon asgjë tjetër, veç tyre?” (Ep. 53, 10). Në të vërtetë, dialogu me Hyjin, me fjalën e Tij, në një farë mënyre do të thotë prani e Qiellit, dmth prani e Hyjit. Të lidhesh ngushtë me tekstet biblike, sidomos me Besëlidhjen e Re, ka rëndësi themelore për besimtarin, sepse “të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin

Shën Jeronimi, ilir, lindi në Stridon të Dalmacisë ilire rreth vitit 347 në një familje të krishterë. Që në fëmijëri u dallua për karakter të pavarur e të pasionuar si edhe për kujtesë e inteligjencë të jashtëzakonshme. U pajis me kulturën më të lartë klasike të kohës dhe u thellua në studimin e Shkrimit Shenjt sipas tekstit grek. Talentin e vet e vuri në shërbim të papës Damazi, i cili e ngarkoi me detyrën të përkthente latinisht tekstet origjinale të Shkrimit Shenjt, në mënyrë që besimtarët t’i kuptonin sa më mirë gjatë kremtimeve liturgjike. Më pas u tërhoq në Betlehem, ku u dha pas pendesës, lutjes, kundrimit të Fjalës së Zotit e studimit të gjuhëve lindore, të aramaishtes e hebraishtes së vjetër.

Shën Jeronimi e kuptoi se të mos e njohësh Shkrimin Shenjt do të thotë të mos njohësh Krishtin. Nisi, prandaj, të përkthejë krejt Besëlidhjen e Vjetër e të Re nga tekstet origjinale, bashkë me komentet përkatëse, fryt i mendjes dhe i kulturës së tij. Kështu doli në dritë “Vulgata” e cila ende sot, mbas gati 20 shekujsh, përdoret në liturgjí të Kishës. Shën Jeronimi vdiq në Betlehem të Palestinës më 30 shtator të vitit 420, duke përsëritur lutjen që ia kishte drejtuar vazhdimisht Zotit: “Më fal, o Zot, se jam dalmat”. Kërkonte falje për temperamentin e tij kolerik, që e kishte bërë shpesh të humbiste kontrollin mbi vetveten. Kishës, të cilën e kishte dashur aq shumë, i la trashëgim thesarin e pallogaritshëm të veprave të tija.

Shën Jeronimi, është At i Kishës, që përktheu në latinisht Biblën. Jeronimi është vërtetë njeri i dashuruar me Fjalën e Zotit. Në festën e tij edhe ne jemi të ftuar të ecim në gjurmët e tij dhe ta lexojnë e meditojmë Biblën,  Fjalën e Hyjit, duke rikujtuar fjalët e Jeronimit: “Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin”.  “Bibla është mjeti me të cilin Hyji u flet çdo ditë besimtarëve” (Ep. 133, 13), bëhet kështu nxitje e burim i jetës së krishterë në çdo situatë e për çdo njeri. Të lexosh Shkrimin Shenjt do të thotë të flasësh me Hyjin: “Në se lutesh – i shkruan Shën Jeronimi një vashe fisnike romake – ti flet me Dhëndrin; në se lexon, është ai që të flet”. (Ep. 22, 25). Studimi e meditimi i Biblës e bëjnë njeriun të urtë e paqësor. (krh In Eph., prol).

Siç pohon Papa Benedikti XVI, për ta kuptuar Biblën, lypen dy kriteret themelore që duhen pasur parasysh. Së pari: “Vetëm fryma e thellë e lutjes dhe ndihma e Shpirtit Shenjt mund të të ndihmojnë për ta kuptuar Biblën: “Në interpretimin e Shkrimit Shenjt ne kemi gjithmonë nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt” (Në Mich. 1, 1, 10, 15)”. Kriteri i dytë i interpretimit të Fjalës së Zotit është përkimi me magjisterin e Kishës, do të thotë me mësimet zyrtare të Kishës: “Nuk mund ta lexojmë kurrë Biblën të vetëm. Gjejmë shumë porta të mbyllura e shkasim lehtësisht në gabim. Bibla u shkrua nga Populli i Hyjit e për popullin e Hyjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt. Vetëm përmes këtij bashkimi me Popullin e Hyjit mund të hyjmë me gjithë vetveten në bërthamën e së vërtetës, të cilën dëshiron të na e thotë vetë Zoti. Për shën Jeronimin, interpretimi i Biblës duhet të jetë gjithnjë në pajtim të harmonishëm me fenë e Kishës katolike”.

Shën Jeronimi nuk e shpërfilli kurrë aspektin etik, do të thotë detyrën e koherencës së krishterë për ta jetuar Fjalën e Zotit, që duhet ta kenë parasysh të gjithë besimtarët e , në mënyrë të posaçme, predikatarët: “Kështu nxit meshtari Nepoçian: ‘Veprat tua nuk duhet të jenë në kundërshtim me fjalët tua, për të mos ndodhë që, kur të predikosh në Kishë, ndokush të thotë me vete: ‘Po ti vetë, pse nuk vepron kështu?”. I lezetshëm vërtetë ky mësues që, si e ka mbushur mirë barkun, të mëson si të agjërosh; edhe një hajdut mund ta dënojë koprracinë; por Meshtari i Krishtit duhet të flasë gjithnjë ashtu si mendon e si jeton”. (Ep. 52, 7).

E kjo koherencë duhet të shndërrohet në vepra dashurie të krishterë sepse – siç thoshte Shën Jeronimi – Jezu Krishti është i pranishëm në çdo qenie njerëzore. Ç’ kuptim ka t’i veshësh muret me gurë të çmuar, në se Krishti vdes urie në njeriun e varfër? (Ep. 58, 7). Jeronimi është konkret e na mëson: duhet ta veshim Krishtin në të varfërit, ta vizitojmë në të munduarit, ta ushqejmë në të uriturit, ta strehojmë në njerëzit që nuk kanë çati mbi kokë.

Sot përmes Shën Jeronimit, të kujtojmë nevojën e edukimit të plotë të njeriut, si kulturor ashtu edhe fetar e moral . Sepse pikërisht sot shikojmë sesi edukimi i personalitetit në tërësinë e tij, edukimi i përgjegjësisë para Hyjit e para njeriut, është kushti i vërtetë i çdo progresi, i çdo paqeje, i çdo pajtimi e i çdo mospranimi të dhunës. E është Shkrimi Shenjt, Bibla që na prin drejt realizimit të edukimit para Hyjit e para njeriut e kështu, edhe drejt humanizmit.