Më 23 tetor 1871, ditëlindja e poetit tonë kombëtar, At’ Gjergj Fishta, ma e epërmja kresht e krenaris shqiptare

Nga Albert Vataj

Historia e kombit shqiptar përmes rropamash e zezonash t’pafundme qi e përndoqën nëpër kohë, ka mujt me qëndu, me mbet, me triumfu. Kjo në sajë të veprës së lartë dhe zemrës që blatuan për të. Njëri prej tyre është bardi i vetëdijes sonë kombëtare, ai që si pakkush dha dhe bëri për shqiptari, pa marrë gjë në këmbim. Ai, ishte ma i zashmi za kushtrimi, ma e themelta vepër shqiptari, kreshta ma e epërme e krenarisë tonë kombëtare. Ai ishte dhe mbeti një shembull i qëndresës. Emri dhe vepra e tij, pavarësisht se u ndeshën me ferrin e përbinshëm të bishës bolshevike, arriti t’ia dilte, të ngadhnjente mbi të keqen, linçimin, anatemën e përndjekjen. Qëndro ballas stuhisë si një kreshtë e ngërthyer në re. Mbolli në besim e në shqiptari shembullin e triumfit të besimit në Zot e në Komb.

***

Më 23 tetor 1871 erdh’ në jetë në Fishtë të Zadrimës, Zefi, ai qi do të pagëzohet me emnin e përgjithmonshëm, që do të ishte dhe do mbeste kontelacion i vetëdijes dhe krenaris sonë komtare, At Gjergj Fishta. Ai u shue më 30 dhjetor 1940 në moshën 69-vjeçare. Veprimtaria e tij asht e gjithfarshme. Gjithkund ku ai vuni dorë, mylmeu me zemër, shndriti me mendje, e shkrepëtiu me fjalë, ishte dhe mbeti nji prej testamenteve ma t’çmume të identitetit tonë komtar. Si klerik, ai diti dhe mujti me dhan me mish e me shpirt tançka kishte si detyres e asaj urdhnese t’shenjt, me iu përkushtu me devocion e adhurim fesë. Si tekstshkrus, poet, prozator, estet, polemist, publicist, kritik, ndoshta mundet me ken i vetmi në historinë e kumtimit shqip, e zagjëmimit e dalzotjes dhe t’themeltave mëtime, qi mesin atëditë e sot sa aktuale aq dhe të epërme. Si gjuhtar, me Fishtën, Mjedën e shumë shqiptar të tjerë, lindi alfabeti, bash njaj qi na mundson me shkru e me këndu me za bylbyli. Ai, guxoi dhe bani nji punë fort t’admirushme, akt qi mujti me ken dhe me mbet si dëshmi e nji talenti dhe dhuntie t’pashoqe edhe si; diplomat, etnograf, arkeolog, hulumtues, muzikan, piktor, arkitekt, përkthyes, etj..

Sod në ditëlidnjen e tij, tanaheret e gjithqysh, gjeneratat dhe gjithkush qi lyp me u ndi zot në krenarinë e vet t’kenmtit shqiptar, e ndërmendim, At Gjergj Fishtën, e ledhim me krenarinë dhe amëlcinë tonë kujtuse. Pjesëmarrim në kët solemnitet mirënjohjeje me përulësi dhe respekt, me përkorje dhe ngulm të epërm, shëlbimi në shpirt dhe vullnesë, e ngucim me ndërmendje madhështinë dhe gjenialitetin e këtij kolosi të fesë dhe shqiptarizmës, poezisë dhe gjuhës, krejt asaj ngrehine të kijametshme përpjekjesh vetëmohuese për me lanë nji vepër monumentale dhe t’pavdekshme atdhetarie.

Për studjuesin dhe albanologun e madh, Robert Elsie, “At’ Gjergj Fishta është figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Ati françeskan Gjergj Fishta, më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si “poet kombëtar i Shqipërisë” dhe “Homeri shqiptar”, Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë”.

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi gjithkund ai behu si nji za i kushtrimshëm, rrokaqiellës. Krejtkjo ishin dhe mbeten nji gurthemel i rand i vetëdijes kombtare.

E pamatshme asht vepra qi la. Gjithçka qi rreket t’formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte t’pamujtun ta përfshinte të gjithin kët univers në këtë përqafim t’andshëm e shterues dëshmimi. Ai ishte nji realitet, nji univers, nji dhuratë shpërblyese e vet natyrës. u lind për me ken i jashtëzakonshëm. Ai, At Gjergj Fishta e ndërtoi kët mit, kët gjenialitet e aftësi gjithfaresh,  pikërisht atë që na u dha dje, na qaset sot e ka me iu propozu t’ardhmes si nevojën gjithnjë e pashterrun për me përvetsu ate; si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak njerëz kanë pasun fatin e At Gjergj Fishtës, në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime t’mëdha duke lan përmbas një akt të pashoq krijimi. U ngjit në qiell për me xan vendin e meritum e u gropos në skutat ma t’terrta t’ferrit komunist. U kuptue dhe shjtnue, u keqinterpretu dhe u keqpërdor. Çmos bani e çmos provoi në t’gjall e në t’dekund. Hoqi n’mish e n’eshtna. E shvarruen e n’lum i’a kadhën çka kishte mbetun, si një dëshmi e nji urretje dhe hakmarrje t’përbindshme, jo krejt ndaj tij, por ndaj veprës dhe emnit qi bani tan ajo plejad zelltarësh t’pashembullt, t’klerit e atdhetarizmit. Për komunizmin gjithçka qi buronte e bulonte prej njasaj vullnese t’hyjshme, duhej shue, duhej shpërba, duhej kall n’skutat ma t’thella t’anatemës. Thue se ai, At Gjergj Fishta… ata krejt, klerikë dhe intelektualë, dijeshumë e pasionantë, ngulmëtarë  e ngadhnjyes, shërbestarë dhe martirë, nuk ishin pikërisht njata të cillët kishin vu themelet e njasaj Shqypnie, kishin nxjerr njikët përkatësie gjeografike dhe atdhetare nga pluhni dhe balta mbytëse e asimilimit dhe asgjesimit osman. Thue se nuk ishte ai, At Gjergj Fishta, e do burra t’zashëm, zemra flakatere, mendje t’kthejllta, t’cillët na banën me gjuhën tonë, me histori, me muzikë, futboll, lëtërsi, arte, me shkolla, e grupime patriotike e kulturale. Tankjo ishte jo vetëm nji vepër drite, por edhe nji tmerr për bishën e territ, e cilla tue skërmit dhamt e gjakosun e tue u jargit helëm e pezëm, po donte me shue etjen dhe ujën e vet, tue pi gjakun e tue hangër t’gjallt e t’dekun, t’gjithçkaje qi për te asht pengim, asht vetëdije për me sundu e me nënshtrue me hekur e me gjak.

Vjen si një gjamë harresa dhe anatema, njaq e themeltë e njaq e gjatë sa edhe sod asht tue ken gjithnji e ma e pamujtun për me i dhan çka i takon, At Gjergj Fishtës, për me na shpërblye me çka na meritojmë prej tij.

U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Sekush u dasht me u lshu në këtë linçim, sa tue mujt me ken secilli ma i zoti se shoqi, në nënshtrimit e kësaj drite, në shpërbamjen e tançkaje qi ishte e saj e vinte me te. Sado qi edhe sod, ata ma hipokritët qi lypin shfajsim, tue u përpjek me u dlirë nga barra e fajit zelltar, sërish ata s’munden me ken dikush tjetër, sërish Fishta nuk asht ma njaj qi duhej t’ishte, njaj qi meritojmë na si identitet dhe integritet. Edhe pse i i rizgjuem e i riardhun diqysh nga anatema, mohi e harrimi… ende sod mbetet jo krejt i shpalum, jo gjithkund i pranum, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulun thellë thonjt e ndyt. Dhamt e prishun e kishin kafshue ligsh njaty qi do ta kishte t’pamujtun me u m’kam, me u ruzgju, me riardh njaq i fuqishëm, krejt si një shpërthim shndritës. E megjithatë ai mujti me beh diqysh përmes punës dhe ngulmt të nji shpure idhujtarësh, si një vigan anipse i lënduem, si një za i fuqishëm, aniqysh i çjerrun, si një e vërtetë e pamohueshme, edhe pse fort e mundueme dhe hekakeqe në kët nevojë mbijetese.

Ai, At Gjergj Fishta mujti me e rigjetë vendin e vet n’zemrat që e kishin strukur dhe n’krahnoret qi e majtën t’fshehun n’njato kohë t’shtira e qi rrezikuen e paguen shtrenjt dashnin dhe adhurimin për te.

Krejtkush ka mundësi dhe yshtet nga nji nevoj e themelt dhurimi të andjes së vet estetike dhe kombëtare, dhe lexon veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj prej dimensioneve që përmban dhe nji ngulmi për me ken e me mbet nji za i gjëmimshëm dhe një dëshmues i pashoq i gjithë asaj qi lyp koha. Shejtnoju edhe ti me bekimin e ksaj mendje fort t’ditun e ksaj vepre t’paçmim.