Më 2019 është në plan të hapet një muze i ri për historikun e Statujës së Lirisë

Më 2019 është në plan të hapet një muze i ri për historikun e Statujës së Lirisë. Muzeumi me një sipërfaqe prej 2 mijë e 400 metrash katrore ka një panoramë të pakrahasueshme të këtij monumenti-ikonë, si dhe të lagjes së Manhatenit në Nju Jork. Muzeumi, ende në procesin e ndërtimit, nderon konceptin universal të Lirisë dhe të Zonjës së Lirisë, që vizitohet çdo vit nga më tepër se 4 milionë vizitorë.

Gjatë një periudhe 62 vjeçare, nga viti 1892, deri më 1954, kjo dhuratë kolosale e Francës, e quajtur “Statuja e Lirisë që ndriçon botën”, ka mirëpritur më tepër se 12 milionë imigrantë, të cilët patën zbarkuar në ishullin pranë, Ellis Island.

Tani, atje është duke u ndërtuar muzeu i ri që nderon trashëgiminë e Zonjës së Lirisë, një vepër monumentale.

“Kur erdhëm fillimisht në ishull, u prekëm thellë. Pamë njerëz të gjunjëzuar duke qarë, për shkak të domethënies që ka ai vend për ta…Kjo na bëri të besojmë që ky është një vend me të vërtetë i veçantë, madje i shenjtë.”– thotë njëri prej projektuesve të muzeut.

Çdi vit statujën e vizitojnë katër milionë e gjysëm turistë, por për shkak të kapacitetit të kufizuar, vetëm një e pesta e tyre hyjnë brenda monumentit. Me hapjen e muzeut të ri dhe kopështit që e rrethon, të gjithë vizitorët e Ishullit të Lirisë ftohen për ta eksploruar atë. Përmes projektit që bazohet tek mjetet e reja dixhitale të komunikimit, vizitorëve do t’u jepet mundësia për dialog të hapur.

“Donim të theksonim idenë se kemi aftësinë për të ruajtur dhe mbrojtur idenë e lirisë,”– thotë projektuesi kryesor i muzeut.

Secili nga vizitorët largohet me një interpretim të ndryshëm të muzeut.

“Përfaqëson përpjekjet për barazi dhe vëllazërim të të gjithë njerëzve që kanë ardhur këtu.”– thotë një turiste nga Kosta Rika.

“…për t’u ndjerë të lirë, por gjithmonë duke respektuar lirinë e të tjerëve,”- thotë një turist nga Spanja.

Pas një fluturimi virtual për në majën e statujës 93 metra të lartë, vizitorët hyjnë në studion e skulptorit të saj Frédéric Auguste Bartholdi, para variantit përfundimtar në Galerinë e Frymëzimit.

Atje, vizitorët mund të shohin nga afër pishtarin origjinal me peshë 1 mijë e 600 kile, që qëndroi në majë të statujës për rreth një shekull, deri në vitet 1980, kur u zëvendësua me një të ri.

Në majën e monumentit gjendesh para një panorame të horizontit të Manhatenit të Poshtëm, të Nju Jorkut. Kryearkitekti i muzeut thotë se ndërtesa dhe pesazhi që e rrethon rrezatojnë optimizëm.

“Nuk jemi përpjekur që me këtë projekt të shprehim nostalgji. Ai është konceptuar si një objekt i së ardhmes, jemi përpjekur të krijojmë një objekt frymëzues, një lloj ikone të re, gjithmonë duke respektuar ndërtesat ekzistuese”, – thotë një nga projektuesit e muzeut, Nicholas Garrison.

Muzeu i Statujës së Lirisë pritet të hapet në maj të 2019-ës.

VOA