Më 17 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468)

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Me Kuvendin e Lezhës më Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar – as para tij as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit

Më 17 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu (6 maj 1405 – 17 janar 1468), heroit kombëtar të popullit shqiptar, Atletit të Krishtit, arbënorit e të krishterit të flaktë, sikur e quajtën Papët e Romës.

Si çdo vjet, më datën 17 janar,  populli shqiptar e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, në ditë e kalimit të tij në amshim. Atleti i Krishtit, siç e quajti bota e krishterë, ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë dhe shumë më tepër pas vdekjes.

Pastaj duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar – as para tij, as pas tij princat shqiptarë nuk mundën të gjenin rrugën e bashkimit.

Pra, në qiellin shqiptar emri i Gjergj Kastriotit ka qenë një yll polar për gjithë brezat pasardhës, burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve, për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin, vlerat dhe  për t’i hapur rrugën e përparimit të mirëfilltë.

Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, populli shqiptar kurdoherë ka shembullin dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, atdhedashurisë, harmonisë e demokracisë. Kështu u shpreh, mes tjerash, imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i  i ndjerë i Tiranë-Durrësit, në një intervistë, realizuar më 17 janar 2007, për redaksinë shqipe të Radio Vatikanit.

Ne vijim, Skanderbegu  sipas At Gjergj Fishtës, nga Fjalimi tij në Konferencën e Paqes (1919)

…“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshet mbi shpinë të rosës”.

Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht, edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndodhive dhe te papritunave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ndodhë sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.

Bota mbarë mbështjellej në zi. Të flegrueme droje, shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkambi të thepisun. Mbi krye flakë i shkëlqen përkrenarja me brena qi, tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse dánë ndër sytë e anmikut. Ai asht fatosi i ndimun, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, si stuhi bore që zdrypë prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, u prin shqyptarëve, qi vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.

Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.

Të vertetën ta kallëxon çka ndodhi mbas tij. Mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija.

Shkëputur nga Fjalimi i At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqes. Marrë në internet