Mbyllen votimet për zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi, shqiptarët përkrahën kandidaturën fituese atë të Milo Gjukanoviç

Në Mal të Zi, Qendra për Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CeMI) tha se politikani properëndimor Milo Gjukanoviç, ka fituar 53.5 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Sipas kësaj qendre, Mladen Bojaniç, një afarist i mbështetur nga një aleancë e partive opozitare, përfshirë edhe disa që dëshirojnë lidhje më të ngushta me Rusinë, radhitet i dyti me 34 për qind të votave. Komisioni i Zgjedhjeve tha se në votime morën pjesë 64 për qind e rreth 530 mijë votuesve të regjistruar. Zgjedhjet e së dielës janë të parat që kur vendi u bashkua me NATO-n në vitin 2017 dhe shihen si një provë për orientimin evropian të vendit. Milo Gjukanoviç dhe partia e tij drejtojnë për gati tridhjetë vjet vendin e vogël buzë Adriatikut, që shpalli pavarësinë në vitin 2006.

Zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së vitit 2016 kaluan nën hijen e arrestimeve të një grupi nacionalistësh serbë të dyshuar për përfshirje në një komplot për vrasjen e Milo Gjukanoviçit dhe vënien në pushtet të partive pro ruse, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Moska i ka hedhur poshtë pohimet për mbështetje të përpjekjeve për grusht shteti, por nuk ka fshehur kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Moskës në vitin 2014, ndërsa muajin e kaluar Podgorica dëboi një diplomat rus pas helmimit të ish agjentit rus në Britani. Në vitin 2016 Milo Gjukanoviç dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërsa muajin e kaluar shpalli vendimin për t’u rikthyer në pushtet “për shkak të përgjegjësisë për të ardhmen e Malit të Zi”.

Kundërshtari i tij e akuzoi zotin Gjukanoviç për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar, akuza që u hodhën poshtë nga politikani properëndimorë që filloi karrierën politike si mbështetës i ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, nga i cili u nda nga fundi i viteve të 90-ta.

Procesi i votimit për zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi kaloi i qetë në 1200 qendrat e votimit. Të drejtë vote kishin 520 mijë malazezë, ku 22 mijë prej tyre janë shqiptarë.

Në garë janë 7 kandidatë, por përballja e fortë është ajo e Milo Gjukanoviç, liderit pro-europian, partia e të cilit udhëheq Malin e Zi prej 28 vitesh dhe në anën tjetër, Mladen Bojaniç i Frontit Demokratik një parti kjo nacionaliste ekstremiste proserbe. Shqiptarët në Mal të Zi u bashkuan për të dhënë votën për Milo Gjukanoviçin. Analistët në Ulqin thonë se kjo është zgjidhja për të shpëtuar jo vetëm shqiptarët, por gjithë politikën e rajonit.

“Është një moment kritik, ku të gjitha arritjet e Malit të Zi drejt Europës dhe të gjitha arritjet e shqiptarëve këtu vihen në pikpyetje të madhe nëse nuk fiton Gjukanoviçi”, thotë analisti Ali Sala. “Do të fitojë Milo Gjukanoviçi që në raundin e parë dhe se kjo fitore do jetë një fitore edhe për shqipëtarët”, deklaron Haxhi Shabani.

“Në këto 30 vite partia e Gjukanoviçit është dashur të bëjë më shumë për të drejtat e shqiptarëve, por megjithatë tani është një moment kur duhet të votohet Gjukanoviç”, thotë gazetari Ismet Kallaba. Zgjedhjet në Mal të Zi u monitoruan nga 2000 mijë vëzhgues dhe 30 media të huaja, duke treguar interes për drejtimin që do marrë shteti më i vogel në Ballkan, një drejtim perëndimor në NATO drejt BE –së, apo kthim vite pas drejt politikave proserbe.