Mbledhja e dy qeverive, Rama: Bashkimi kombëtar nëpërmjet integrimit të plotë në BE

“Ëndrra jonë për Bashkimin Kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Europian!”. Një deklaratë të tillë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ka bërë dje nga Prishtina, pikërisht nga tryeza e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj shqiptare dhe kosovare. Më tej, ai detajoi edhe pikat konkrete të bashkëpunimit mes vendeve tona, duke shtuar se ka vend për të bërë edhe më tepër në të ardhmen. Fillimisht, duke iu referuar sektorit të energjetikës, ai tha se, “nga bashkëpunimi lindi dhe ideja për krijimin e hapësirës së përbashkët energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës”. “Brenda pak javësh do të jemi në Tiranë për të vënë në punë linjën e interkonjeksionit që lidh përfundimisht autostradën energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe çel një fazë të re për zhvillimin e kësaj hapësire të përbashkët”, shtoi ai. Gjithashtu, sipas Ramës, “me rëndësi është lidhja e Kosovës me gazsjellësin Trans-Adriatik përmes Shqipërisë”. “Këto dy vite kemi krijuar një treg të përbashkët bujqësor. Ia dolëm që fëmijët tanë të Shqipërisë dhe Kosovës të kenë të njëjtën abetare, por edhe njehsuam kurrikulat e sistemit parauniversitar, duke hedhur themelet e një arsimi mbarëkombëtar. Kalendari i përbashkët kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës është tashmë realitet”, tha mes të tjerash Rama. Duke shtuar gjithmonë në kuadrin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës faktin që në dy vite, “kemi konkretizuar edhe plot marrëveshje të tjera bashkëpunimi për turizmin, mjedisin, policinë”.  Ndërsa referuar shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve në fjalë, Kryeministri i Shqipërisë, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka thënë se vitin e kaluar shkëmbimet e mallrave kanë prekur kuotën 200 milionë euro. “Është momenti për të shkruar më tutje sepse kemi bërë shumë, por ka shumë më shumë për të bërë. Rezultate e punës së deritanishme janë shumë inkurajuese, mjafton të nënvizojmë se vitin e shkuar shkëmbimet tregtare preken kuotën 200 milionë euro”, ka thënë ai. Për të përfunduar me faktin se, “po bëjmë përpjekje për të krijuar një pikë doganore të Kosovës në portin e Durrësit”, të cilat sipas tij do t’i japin një hov të ri bashkëpunimit mes dy vendeve. “Për herë të parë vendet tona kanë një strategji të përbashkët për ruajtjen e mjedisit. Shqipëria dhe Kosova kanë qenë gjithmonë bashkë në kohëra të vështira dhe të mira, por për herë te parë do të firmosim një marrëveshje për koordinim të përbashkët në rastet e fatkeqësive natyrore”, shtoi gjithashtu Rama.

“Ëndrra jonë për Bashkimin Kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Europian!. Është momenti për të shkruar më tutje sepse kemi bërë shumë, por ka shumë më shumë për të bërë. Kemi konkretizuar edhe plot marrëveshje të tjera bashkëpunimi për turizmin, mjedisin, policinë etj”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama dje nga Prishtina, pikërisht nga tryeza e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj shqiptare dhe kosovare.

Ja shtatë marrëveshjet e rëndësishme, të miratuara:

– Marrëveshja, për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore,

 – Marrëveshja për bashkëpunim në mes autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore

 – Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik

 – Marrëveshje për krijimin e Qendrës së Përbashkët trajnuese

 – Marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

 – Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë.

 – Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë.

 Ministri i Punëve të Jashtme Bushati: Shqipëria s’do ta lejojëSerbinë që ta pengojë Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e djeshme të përbashkët mes dy qeverive, theksoi se, Shqipëria do të kujdeset që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale. “Në rrafshin diplomatik kemi dashur që kjo tavolinë të jetë shembull në rajon. Anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat rajonale është sukses i yni i përbashkët sepse besojmë se parimi gjithëpërfshirës është rajonal. Ne do të inkurajojmë dhe do të ndjekim nga afër dialogun e Serbisë me Kosovën dhe do të angazhohemi që ajo mos të pengoj anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale”, tha Bushati. Mes të tjerash, ai e ka përgëzuar Kosovën për rekomandimin e liberalizimit të vizave dhe MSA-në. Teksa në fjalën e tij ai shtoi edhe se marrëdhëniet ekonomike mes dy shteteve janë përforcuar shumë në rrafshin diplomatik, duke thënë se kjo tryezë duhet të jetë model për rajonin. Në fund, ai konkludoi se koordinimi i veprimeve mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, duhet që të bëhet ende më mirë, sidomos gjatë proceseve integruese.

Ministri i Financave, Ahmetaj: Kufiri me Kosovën,më mirë le të hiqet fare

Në mbledhjen e dy qeverive mbajtur dje në Prishtinë, ministri i Financave të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka thënë se shkëmbimi i përvojave mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy ministrive. Teksa marrëveshjet për Kosovën dhe Shqipërinë në fushën e tregtisë do të përshijnë dy udhëzime për  zhdoganimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale si dhe lehtësira të shumta për eksportin dhe importin e Kosovës. “Kosova, njëri ndër partnerët tanë kryesorë në tregti, për këtë arsye po punohet për eliminimin e kontrolleve të dyfishta që bizneset të mos harxhojnë më shumë se një orë kontrollim në kufi. Dogana  e Durrësit do të bëhet e  përbashkët edhe për Kosovën, që kufiri i Morinës të mos ekzistojë fare. Po ashtu, do të ketë edhe risi edhe në shkëmbime elektronike për transaksione tregtare”, ka theksuar Ahmetaj.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Haxhinasto: Të rritet trafikuekonomik në Rrugën e Kombit

Ministri i Transportit e Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto  gjatë fjalës së tij vlerësoi rëndësinë e marrëveshjes mes dy vendeve Shqipëri-Kosovë në fushën e infrastrukturës dhe transportit, për përballimin e sfidave të përbashkëta në këtë sektor. Ai  theksoi se sfidë mbetet rritja e volumit të trafikut ekonomik të biznesit të Kosovës në “Rrugën e Kombit” dhe portet shqiptare. Ai tha se Rruga e Kombit tashmë është pjesë e rrjeteve rajonale duke u kthyer në një pikë strategjike të infrastrukturës për dy vendet tona. Haxhinasto e konsideroi strategjike bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në fushën e infrastrukturës dhe nënvizoi faktin e nxitjes së vazhdueshme të këtij bashkëpunimi që do të shtojë volumin e qarkullimin për të dy vendet.

Mustafa: Shqipëri-Kosovë, historiajonë e re me një mendësi integruese

“Uroj që këto takime të jenë të zakonshme në të ardhmen dhe historia jonë e re të jetë një histori normale në një rajon me mendësi të integrimeve prosperitetit paqes dhe stabilitetit”.  Me një frazë të tillë e ka hapur dje fjalimin e tij në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri kosovar, Isa Mustafa. Duke shtuar se ky takim “është dëshmi se shtetet tona, por edhe i gjithë rajoni po bëhen pjesë aktive e një koncepti progresiv jo vetëm politik, atij të integrimeve evropiane por dhe e një koncepti universal jo vetëm gjeo-strategjik e euroatlantik”. “Ne,- vijoi Mustafa,- jemi të vetëdijshëm e mirënjohës për këto avantazhe historike të epokës në të cilën po jetojmë po aq sa jemi të përgjegjshëm se me punën tonë të qeverive dhe angazhimet tona të vazhdueshme do t’i shfrytëzojmë në të mirën e qytetarëve të dy shteteve dhe vendeve tona”. “Thellimi i bashkëpunimit mes dy qeverive tona është në interes të qytetarëve tanë, kombëtar dhe shtetëror dhe për këtë interes dhe mbi këtë interes duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët për të çuar proceset tona përpara”, nënvizoi gjithashtu Mustafa. Teksa e falënderoi qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama për mbështetjen vëllazërore për të gjitha proceset e rëndësishme që Kosova është sfiduar dhe akoma po sfidohet. “Infrastruktura që ne kemi ndërtuar, në mënyrë të veçantë rruga “Ibrahim Rugova” ka gjallëruar turizmin në të dy vendet dhe ka begatuar shkëmbimin kulturor dhe ka mundësuar që gjysmë milionë kosovarë të vizitojnë Shqipërinë”, tha mes të tjerash Mustafa. Duke përfunduar me faktin se  “Kosova dhe Shqipëria kanë arritur nivele të larta të bashkëpunimit përtej bashkëpunimit biletaral”. “Shqipëria është promotore dhe po jep përkrahje të paçmuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe vendet tona po avancojnë në axhendën e tyre europiane. Jam mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë dhe për angazhimin e përbashkët të ministrive tona në këto marrëveshje, të cilat ne i konsiderojmë të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”,- tha Mustafa në kuadrin e bashkëpunimit të sferës diplomatike mes palëve. Për të përfunduar me apelin që “ne duhet ta bëjmë më të lehtë shkëmbimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve dhe tërheqjen e investimeve të huaja,pasi jemi vende të vogla dhe nevojitet një treg më serioz, i cili do jetë tërheqës për investitorët e jashtëm”. Si dhe përmendjen e faktit se proceset e pazgjidhura me Serbinë do t’i zgjidhim përmes dialogut. “Çështjet që janë me Serbinë ne do t’i zgjidhim, por ato çështje do t’i shikojmë me ‘syzet’ e Kosovës dhe jo të Serbisë”,- tha Mustafa.

“Shqipëria është promotore dhe po jep përkrahje të paçmuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe vendet tona po avancojnë në axhendën e tyre evropiane. Jam mirënjohës për mbështetjen e Shqipërisë dhe për angazhimin e përbashkët të ministrive tona në këto marrëveshje, të cilat ne i konsiderojmë të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, tha Mustafa në kuadrin e bashkëpunimit të sferës diplomatike mes palëve.

 “Anëtarësimi, NATO-ja na përkrahu në Tiranë”

Kreu i qeverisë kosovare duke folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO, tha se, “ne patëm përkrahje edhe në Asamblenë e NATO-s në Tiranë, është një proces për të cilin ne jemi shumë të interesuar ta kapërcejmë, për këtë proces na nevojiten përkrahës dhe vende që e vlerësojnë rolin që ne do ta fitojmë në NATO dhe rëndësinë e prezencës së NATO-s edhe në Shqipëri dhe në Kosovë dhe thellimin e bashkëpunimit tonë me NATO-n”.

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Hoxhaj: U jemi mirënjohës Ramës eBushatit për anëtarësimet e Kosovës

 Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se deri tani të dy qeveritë kanë pasur koordinim dhe bashkëpunim të mirëfilltë në të gjitha fushat e jetës. “Partneriteti strategjik i filluar nga takimi  parë i dy qeverive në Prizren e pastaj në Tiranë ka treguar se ai po u jep një mision të ri marrëdhënieve të dy vendeve”, ka theksuar Hoxhaj. “Deri më tani ne kemi ndjek qëllimet e matshme dhe objektivat e jetësueshme që kanë përmirësuar shumë jetën e qytetarëve”, ka shtuar ai. Ai ka thënë gjithashtu se Kosova i  është shumë mirënjohëse Shqipërisë, Kryeministrit Rama e ministrit Bushati për mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare. Teksa këtu ka përmendur se objektiv i ardhshëm i Ministrisë që drejton është hyrja në organizatën “Harta e Adriatikut” si dhe mundësinë për t’i sjellë selitë e organizatave ndërkombëtare në Kosovë. “Jemi në fazë të re të raporteve tona me BE-në, kemi nevojë të përfitojmë nga Shqipëria për rrugën që ka ndjek Shqipëria në MSA. Aplikimi në Këshill të Europës është njëri ndër objektivat kryesorë të Kosovës. Të dy vendet tona kanë bërë një punë të mirëfilltë në punën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmin fetar”, ka thënë Hoxhaj.

Serbia akuzon Ramën për “pretendime territoriale”

 “Serbia i dënon në mënyrën më të rreptë pretendimet territoriale të cilat Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i paraqiti në takimin e sotëm në Prishtinë”, ka deklaruar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. “Do ishte pakrahasueshëm më e dobishme sikur Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të kishin dërguar mesazh pajtimi dhe po të kishin treguar dëshirën për bashkëpunim”, ka thënë gjithashtu ai. Koment ky i bërë teksa sot në Prishtinë është mbajtur mbledhja ndërqeveritare Kosovë-Shqipëri dhe Edi Rama në të, ndër të tjera ka thënë: “Shqiptarët bashkimin kombëtar do ta bëjnë në Bashkimin Europian”. Mediat serbe e citojnë gjithashtu, Kryeministrin e Shqipërisë të ketë thënë: “Një territor, një popull, një gjuhë, një ëndërr”.

 

“Serbia i dënon në mënyrën më të rreptë pretendimet territoriale,  të cilat Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i paraqiti në takimin e sotëm në Prishtinë”, ka deklaruar Marko Gjuriç.