“Mbështetja e SHBA për Drejtësinë në Shqipëri e palëkundur”

Në Tiranë, zëvendës ambasadorja amerikane Lejla Moses-Ones deklaroi sot se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për shtetin ligjor në Shqipëri mbetet e pandryshuar

Duke folur në ceremoninë e të diplomuarve të Shkollës së Magjistraturës, ajo tha se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë kundër atyre që përpiqen të rrëzojnë sistemin e drejtësisë, do të vazhdojnë të jenë këmbëngulëse në thirrjet publike për një gjyqësor etik, do të dalin kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar që i përdorin pozitat e tyre për t’u pasuruar apo për të favorizuar të fortët, apo për të shmangur edhe vetë drejtësinë e tyre. Përkushtimi Shteteve të Bashkuara në këtë pikë – theksoi ajo – mbetet i patundur, i pandryshueshëm dhe është i panegociueshëm”.

Zëvendës ambasadorja amerikane vijoi më tej duke u shprehur se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të qëndrojnë me ata shërbëtorë publikë të ndershëm dhe të guximshëm që po ndërtojnë një të ardhme më të ndritur, më etike për gjyqësorin e Shqipërisë”, siç po bëjnë çështjen Shullazi apo dhe për hetimin ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Duke prekur çështjen e ngërçit për kandidaturat për Shkollën e Magjistraturës për këtë vit akademik , ajo u shpreh se “kjo kërkon që deputetët të punojnë së bashku për ta ndryshuar Ligjin e Qeverisjes në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës t’i mbushë vendet me të diplomuarit e ardhshëm. Premtimi i sistemit të drejtësisë të së nesërmes varet nga veprimi i Parlamentit sot”, theksoi Zëvendës ambasadorja amerikane.

Ajo tha gjithashtu se “do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet për të ngritur SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH). Këto institucione do të forcojnë kapacitetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. SPAK dhe BKH përfaqësojnë epokën e re tëdaljes nga e shkuara e njollosur prej korrupsionit dhe përfaqësojnë llogaridhënien e re për popullin shqiptar”përfundoi Lejla Moses-Ones

VOA