Masakra e Lushnjës, e vërteta e 67 ballistëve që pushkatoi Mehmet Shehu

Nga Marenglen Kasmi 

Këtë fundtetori mbushem plot 75 vjet nga ekzekutimi në Lushnje i 67 luftëtarëve të Ballit Kombëtar nga partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese nën drejtimin e Mehmet Shehut. Dy vjet më parë, Presidenti i Republikës asokohe, z. Bujar Nishani, i dekoroi të ekzekutuarit me medaljen “Martirë të Demokracisë”, çka ngjalli shumë polemika në shoqërinë shqiptare, e cila si gjithmonë u nda në dysh në mendimin e saj. Ajo që u pranua nga thuajse të gjithë ishte se, vrasja e tyre ishte një gabim i rëndë dhe që në vetvete paraqet një krim. Madje, këtë gjë e ka pranuar që gjatë luftës edhe vetë autori i saj, Mehmet Shehu.

Argumenti historik i dekorimit ishte pak a shumë se, në Lushnje në këtë kohë nuk kishte forca të Wehrmacht-it gjerman dhe çetat e Ballit Kombëtar në këtë zonë nuk po bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë. Kësisoj, vrasja u bë në kuadër të luftës civile që po hidhte rrënjë në Shqipëri pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Kjo gjë nuk është vërtetë! Madje është një falsifikim i historisë – që po shndërrohet në një fenomen të praptë të diskursit historik në Shqipërinë e pas viteve 1990. Gjermanët në fundtetorin 1943 ishin jo vetëm në Lushnje, por thuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë dhe së bashku me ta vepronin edhe çeta balliste. Po ashtu, një manipulim përbën edhe data e ngjarjes. Përkujtohet data 21 tetor 1943 e zhvillimit të ngjarjes, ndërkohë që kjo datë nuk mbështetet nga asnjë dokument historik.

Në analizën e mëposhtme historike do të ndalemi edhe njëherë në dy çështjet e sapopërmendura, pra nëse ballistët u ekzekutuan pasi luftuan përkrah gjermanëve në luftimet e datës 24 tetor 1943, kur partizanët e Mehmet Shehut sulmuan qytetin e Lushnjes dhe pasi përfundoi beteja shumë prej tyre u kapën nga partizanët dhe gjyqi partizan i dënoi me vdekje dhe e dyta, kur ka ndodhur me të vërtetë ekzekutimi i tyre.

Për të zbardhur ngjarjen dhe kontekstin historik të saj, përveç burimeve arkivore vendase na vijnë në ndihmë edhe disa dokumente të nxjerra së fundmi nga arkivi ushtarak i Freiburg-ut, në Gjermani dhe konkretisht, raportet luftarakev dhe hartat e vendosjes së divizionit 100 të këmbësorisë së lehtë të Wehrmacht-it, në rajonin Lushnje-Berat-Vlorë, të cilat publikohen për herë të parë.

***

Le të shikojmë qysh në fillim dy harta luftarake të divizionit 100 të këmbësorisë së lehtë të Wehrmacht-it gjerman, i cili duhej të mbante të pushtuar Shqipërinë e mesme dhe atë jugore. Në hartën e parë, pasqyrohet vendosja e trupave të këtij divizioni në datën 15 shtator dhe në hartën e dytë, në datën 29 shtator 1943. Përsa i përket diskutimit – në fakt të pabazuar – nëse kishte apo jo trupa gjermane në Lushnje në muajin tetor, shikojmë që një kompani gjermane u vendos në qytetin e Lushnjes qysh në javën e dytë të pushtimit të Shqipërisë. Siç e theksuam edhe më sipër, përveçse kësaj force të vendosur në qytet, me kalimin e kohës, numri i ushtarëve gjermanë u rrit edhe në rajonin përreth qytetit.

 Cili ishte qëndrimi i forcave nacionaliste ndaj pushtuesve gjermanë në këtë rajon?

Në dokumentet gjermane theksohet se, menjëherë sapo gjermanët hynë në Shqipëri, divizioni mori kontakt me disa drejtues nacionalistë. Përsa i përket këtij rajoni, një farë Dr. Meçe, i cili kishte bashkëpunuar më parë edhe me italianët, i kërkoi divizionit armatime dhe municione për çetën e tij prej 100-200 burrash, që gjendej në Veri të Fierit. Ai synonte që, me armatimin e gjermanëve, të rriste çetën e tij duke u premtuar atyre se do të pastronte gjithë prefekturën e Beratit nga komunistët. Po ashtu, në raportin e divizionit shkruhet për ngjarjet e ndodhura në periudhën 17-9-13.10.1943 se, ky person “negocioi në Fier për lidhjen [tonë] me komandantin e çetës nacionaliste, Kadri Cakrani, i cili më vonë do të kishte një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër komunistëve”. Takimi i gjermanëve me Cakranin u organizua më 20 shtator. Në shtator 1943, zona e tij e influencës shtrihej në gjithë nën prefekturën e Fierit. Po ashtu, grupe të vogla nacionalistësh gjendeshin edhe në Lushnje dhe Kavajë. Armatimi i tyre ishte i keq dhe pa ndonjë fuqi të madhe zjarri. Kësisoj, komandanti i divizionit 100 urdhëroi që Cakrani të furnizohej me armatime, municione dhe veshmbathje. Si rrjedhim, brenda një kohe të shkurtër, çetat nacionaliste në këtë rajon kapën një numër prej afro 1000 burrash të mirarmatosur dhe arritën që të marrin dhe pastrojnë nga forcat partizane rajonin Grykderdhja e Vjosës-Fier-Lushnje-Kavaje-bregdet.

Siç lexojmë, fill pas pushtimit që në muajin shtator, gjermanët filluan të lidhin pas vetes sa më shumë forca të Ballit Kombëtar. Armatosja dhe fuqizimi i tyre i ndihmonte ata në luftën kundër partizanëve, madje ky ishte edhe synimi i tyre kryesor. “Divizioni e kuptoi që në fillim se bandat nacionaliste do të ofronin shërbime të vyera në luftën kundër komunistëve dhe qetësimit të vendit”, shkruhet në raportet e divizionit. Pavarësisht se numri i “bandave nacionaliste” nuk ishte  që në fillim ai që mendohej, shumë drejtues nacionalistë çetash u aktivizuan në këtë bashkëpunim, sepse shikonin te gjermanët një përfitim të madh në armatim dhe municion për të luftuar kundër partizanëve. Gjithsesi, ata nuk pranuan të luftonin së bashku me gjermanët kundër aletëve, nëse anglo-amerikanët do të zbarkonin në Shqipëri. Si këmbim, ata u dhanë atyre  besën se, nëse do të ndodhte zbarkimi, ata nuk do t’i kthenin armët kundër tyre. Në këtë kontekst gjermanët vlerësojnë edhe Qarkoren e Ballit të nënshkruar nga Mithat Frashëri më 7 tetor 1943, ku urdhërohet pezullimi i operacioneve luftarake ndaj gjermanëve. Për këtë qarkore në raportet e divizionit 100 shkruhet: “[…] Në këtë linjë është edhe urdhri i drejtuesit të lartë të Ballit Kombëtar gjatë pushtimit të vendit nga trupat gjermane, sipas të cilit nacionalistët nuk duhej t’i nxirrnin asnjë pengesë Wehrmacht-it gjerman”. (BA/ MA, RH 26-100/45).

Luftimet në Lushnje

Le të ndalemi te data e ngjarjes;  Nëse krahasojmë burimet kryesore për rastin tonë, një burim i njohur deri tani, që mbështet datën 21 tetor të ekzekutimit të ballistëve është Abaz Ermenji, i cili në librin e tij “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, Tiranë 1996 shkruan se “më 21 tetor 1943, Mehmet Shehu zuri afër Lushnjës 68 bujqër, ushtarë të thjeshtë të Ballit, dhe i vrau që të gjithë mbasi i vuri të hapnin më parë gropën e tyre të përbashkët” (f. 501). Gjithsesi autori nuk ndalet më gjatë për ngjarjen.

Burimi i dytë që është përdorur këto ditë për ngarjen, është libri me kujtime i Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë”, shkruar në Paris në vitin 1966. Nëse Ermenji bën një analizë të historisë së Shqipërisë, duke i dhënë librit deri diku një ngjyrim shkencor, Staravecka ka ndjekur stilin klasik të shkrimit të kujtimeve. Prof. Ermenji mjaftohet vetëm me dhënien e datës së ngjarjes, pra datën 21 tetor, ndërsa Staravecka në kujtimet e tij përshkruan vetëm aktin e ekzekutimit të ballistëve- ndonëse nuk ka qenë dëshmitar okular në ngjarje (shiko Staravecka, f. 293). Po ashtu, ai nuk jep datë për ngjarjen e ndodhur. Sigurisht që, këto kujtime përbëjnë një burim të rëndësishëm. Gjithsesi, ato duhen parë me kujdes, për shkak të vlerësimit subjektiv që kujtimet mbartin në vetvete si burime historike.

Nëse flasim për burime primare për këtë ngjarje, nuk mund të anashkalohen burimet arkivore, vendase e të huaja. Burimet e para që japin informacion për ngjarjen janë letra e Mehmet Shehut drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, disa ditë pas ekzekutimit, ku ai përshkruan ngjarjen dhe bën autokritikë (AQSH, F. 41, V. 43, D. 32), përgjigjia e Enver Hoxhës  e datës 31 tetor 1943 (AQSH, F. 41, V. 1943, D. 4), Dokumente të Arkivit ushtark të Freiburg-ut Gjermani (BA/ MA, RH 26-100/45 dhe 46), Dokumente te Shtabit te Pergjithshem dhe te Komandes se Pergjithshme te Ushtrise Nacionalclirimtare Shqiptare etj. Po ashtu, në ndihmë na vijnë edhe Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, vëllimi 3, Tiranë 1983, Dokumente te Shtabit te Pergjithshem dhe te Komandes se Pergjithshme te Ushtrise Nacionalclirimtare Shqiptare, Historiku i Brigadës së Parë Sulmuese etj.

E përbashkëta e burimeve të sipër përmendura, si shqiptare dhe gjermane, është fakti që ato përputhen dhe plotësojnë njëra-tjetrën, duke na mundësuar të krijojmë një pamje të qartë të ngjarjes.

Së pari, duhet theksuar se në datën 21 tetor 1943 nuk ka ndodhur asnjë përplasje midis forcave partizane dhe atyre balliste. Në raportimet ditore të div. 100 këmbësorisë së lehtë nuk shënohet asnjë veprim luftarak në rajonin e Lushnjes për këtë datë. Edhe në historiografinë tonë ushtarake nuk jepet ndonjë e dhënë e tillë, nëse mbajmë parasysh që, Brigada e Parë dhe veprimtaria e saj është një nga temat më të mirë studiuara. Është e pamundur që forcat e Ballit të jenë përplasur dy herë në të njëjtin vend, pra në Golem, brenda 3-4 ditësh. Luftimet e datës 24 tetor në Golem janë të mirë dokumentuara, ndërkohë që, për datën 21 tetor, nuk ka asnjë të dhënë se është luftuar.

Në periudhën 1 tetor-23 tetor 1943 kanë ndodhur vetëm dy përplasje me armë ndërmjet brigadës I-rë dhe forcave gjermane e balliste! Përplasja e parë ka ndodhur më 17 tetor, kur brigada I-rë arriti në Dumre dhe në Belsh ndodhej çeta balliste e Xhaferr Balit. Ballistët u munduan të pengojnë hyrjen e partizanëve në këtë krahinë, çka përfundoi në betejë mes ballistëve e partizanëve. Me ndihmën edhe të batalionit partizan të Dumresë, çeta balliste u shpartallua. Nga 180 vetë që kishte çeta, 170 prej tyre u dorëzuan. Xhaferr Bali mundi të largohet. Meqenëse shumica e tyre ishin marrë me forcë, pasi u çarmatosën dhe sigurisht ju mbajt një fjalim politik, u lanë të lirë të iknin në shtëpitë e tyre.  Përplasja e dytë është në pritën e Dervenit, në të gdhirë 19 tetori 1943, ku forca të brig. I-rë goditën një autokolone gjermane në rrugëkalimin Elbasan-Peqin-Durrës (BA/ MA, RH 26-100/45 por edhe Historiku Brig. I, f. 80-82, Historia LANÇ-it, f. 177).

Sipas dokumentacionit gjerman, më 23 tetor 1943, nacionalistët njoftuan divizionin 100 se, brigada partizane e Mehmet Shehut ishte zhvendosur nga Korça, nëpër Elbasan dhe ishte përqendruar në lindje dhe juglindje të Lushnjes, në rajonin Dragot – Kosovë dhe po përgatisin një sulm ndaj qytetit të Lushnjes. Pas pritës së Dervenit më 19 tetor, shtabi i brigadës I-rë  mori vendim të organizojë një sulm ndaj garnizonit gjerman të Lushnjes. (BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43).

Kryerja me sukses e këtij operacioni vështirësohej nga forcat balliste, të cilët ishin armatosur nga gjermanët dhe kryenin shërbimin e rojes së rrugëve për ta. Më 23 tetor, dy batalione të brigadës I-rë, batalioni i parë dhe i katërt filluan lëvizjen për të kapur bazën e nisjes së sulmit. Sipas historikut të brig. I-rë, një ditë më parë, më 23 tetor ishte bërë zbulimi i terrenit, nga ku rezultoi se forcat kryesore të Ballit Kombëtar ishin përqendruar në rajonin Shegas-Golem, në veri të Lushnjes, ku ishin bërë edhe punime fortifikuese në kuadër të unazës mbrojtëse të qytetit të Lushnjes.

Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjermane, ku thuhet se: “Më 24.10, pak para se të agonte, banda komuniste me një forcë luftarake prej rreth dy kompanish, me shumë mundësi të brigadës së Mehmet Shehut, e cila ndodhet në rajonin lindor të Lushnjes, sulmuan dy lartësitë 2.5 km në Veri të Lushnjes dhe i detyruan nacionalistët që kishin organizuar aty mbrojtjen të tërhiqen...”(BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43)

Nëse bëjmë një vlerësim në hartë, apo për këdo që e njeh zonën, Golemi ndodhet në Veri të Lushnjes, në një afërsi të përafërt me distancën që jepet në raportin gjerman. Po ashtu, përputhet edhe informacioni që çetat e Ballit ndodhen në këtë rajon dhe kanë kryer punime fortifikuese në kodrat e Golemit.

Në raportin gjerman lexojmë që partizanët sulmuan me afro 2 kompani, ndërsa më sipër thuhet se sulmuan dy batalione. Këtë mospërputhje e shpjegon tabela organike e forcave ndërluftuese. Në luftën e Dytë Botërore, një kompani këmbësorie gjermane kishte një forcë prej 100-200 ushtarësh, që varej nga detyra dhe vendi ku vepronte. Batalioni partizan, konkretisht në brig. I-rë që sapo ishte formuar, kishte rreth 120 partizanë. Kështu që, gjermanët kanë të drejtë kur thonë rreth 2 kompani, sepse për ta kompania kishte këtë numër ushtarësh. Kësisoj burimet përputhen edhe në këtë pikë.

Në të gdhirë 24 tetori, në orën 04.00 të mëngjesit, filloi sulmi ndaj pozicioneve mbrojtëse të qytetit që mbahehsin nga çetat balliste nën drejtimin e Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit dhe Hajdar Cakranit. Siç e pohon edhe raporti gjerman për ngjarjen, ballistët i lanë pozicionet dhe u tërhoqën, ndërkohë që luftimet i morën në dorë gjermanët dhe, pas mëse një ore e gjysëm luftimesh e thyen sulmin partizan. Në raport shkruhet: “[…] Forca të një kompanie sanitare [gjermane] në Lushnje, e thyen sulmin komunist. Komunistët, të cilët sipas vrojtimit tonë patën të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve prej një orë e gjysmë, u tërhoqën drejt Lindjes dhe Verilindjes. [Patëm] tre të plagosur […].”(BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43)

Ajo që nuk përputhen në burimet shqiptare dhe gjermane janë humbjet. Gjermanët flasin për tre ushtarë gjermanë të plagosur, ndërkohë që në historikun e brig. I-re flitet për dy gjermanë të vrarë. Nga ana tjetër, partizanët raportojnë që nuk patën të vrarë, ndërkohë që gjermanët njoftojnë se gjatë sulmit partizanët patën të vrarë dhe të plagosur. Ky fenomen haset shpesh në njoftimet ushtarake, ku zmadhohet numri i humbjeve të kundërshtarit.

Pas afro 20 minutash ballistët të kapur në befasi i lanë pozicionet. Drejtuesit e tyre nxituan drejt qytetit, një pjesë morën kënetën e Tërbufit ndërsa 172 ballistë u shtrënguan të dorëzoheshin te partizanët. Elementi i befasisë së sulmit jepet edhe në letrën e M. Shehut për Shtabin e Përgjitshëm më 30 tetor, ku ai shkruan se “[…] u ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH F. 41 V.1943 D.32).

Sipas historikut të brig. I-rë dhe dokumentave të publikuara gjatë periudhës komuniste (Brigada e Parë Sulmuese, artikuj, dokumente e kujtime, Tiranë 1963), shumica e robërve u lanë të lirë të ktheheshin në shtëpi se ishin mobilizuar me forcë, 28 prej tyre pranuan të bëheshin partizanë ndërsa një pjesë e tyre i kaloi gjyqit partizan, i cili i dënoi me vdekje. Sigurisht që, gjatë periudhës së komunizimit nuk mund të thuhej më shumë për këtë ngjarje, e aq më shumë të shkruhej për ekzekutimin.

Rrjedha e ngjarjes dhe ballafaqimi me dokumentet e sipërcituara nuk le shteg dyshimi se, ekzekutimi i robërve ballistë është produkt i kësaj beteje dhe jo i ndonjë ngjarje tjetër. Në këtë pikë na vjen në ndihmë edhe letra e sipërcituar e Mehmet Shehut dhe ajo e Enver Hoxhës, ku ai mban qëndrim ndaj masakrës së bërë nga Shehu. Pas vdekjes së M. Shehut do të shkruhej: “[…] ndaj robërve, shumica fshatarë të mobilizuar me forcë nga krerët ballistë, Mehmet Shehu, me qëllim që të dëmtonte vijën politike të Partisë, ndërmori një veprim sektar e anarkist shumë të dëmshëm duke urdhëruar pushkatimin e dhjetëra fshatarëve”. (Historia e LANC-it, botim i vitit 1988, f. 178).

***

Nga çfarë trajtuam më sipër, burimet vërtetojnë se beteja ka ndodhur në Veri të Lushnjes, pra në rajonin Shegas-Golem dhe në të gdhirë të datës 24 tetor. Po ashtu, burimet gjermane përputhen me ato shqiptare: Së pari, në Lushnje kishte një garnizon gjerman. Së dyti, ballistët ishin duke ruajtur qytetin dhe rrugët për llogari të gjermanëve dhe me armatimin që kishin marrë prej tyre. Së treti, në luftime morën pjesë edhe gjermanët, të cilët de facto çuan në përfundimin e betejës, pasi ballistët u tërhoqën. Së katërti, në datën 21 tetor, nuk ka pasur asnjë përplasje ndërmjet brigadës I-rë dhe forcave balliste në rajonin e Lushnjes dhe së pesti, çfarë është më e rëndësishmja, ekzekutimi i 67 ballistëve nga Mehmet Shehu është produkt i kësaj beteje, ku ballistët luftonin së bashku me gjermanët dhe për llogari të gjermanëve. Ky fakt e dëmton rëndë imazhin e dekorimit, sepse pavarësisht përmasave tragjike të ekzekutimit, ballistët ishin duke bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë dhe u dënuan si të tillë.

Sigurisht që, fakti i bashkëpunimit të ballistëve me gjermanët nuk e justifikon aktin e ndërmarrë nga Shehu. Ekzekutimi është i dënueshëm jo vetëm në këndvështrimin e sotëm. Madje, këtë ekzekutim e ka dënuar qysh gjatë luftës dhe vetë Enver Hoxha.

Me të drejtë lind pyetja se nga doli data 21 tetor. E theksuam qysh në fillim, që kjo datë jepet vetëm nga Abas Ermenji. Mos vallë kjo datë është zgjedhur për të fshehur të vërtetën e ekzekutimit të tyre dhe për ta paraqitur Luftën Antifashiste si një luftë të pastër civile? Sigurisht që, për përkrahësit e luftës civile kaq mjafton për të shtrembëruar historinë. Ajo që bie në sy në trajtimet e thuajse gjithë mbështetësve të tezës së Luftës Civile në Shqipëri dhe si rrjedhim edhe të viktimizimit të Ballit Kombëtar, ështe tendenca për t’i pëgjithësuar gjërat. Ky përgjithësim shfaqet qoftë në pikëpamje kohore, ashtu edhe në pikëpamje përjashtuese dhe përzgjedhëse të burimeve dhe dokumentacionit historik. Është i hidhur mendimi se, këta 67 fshatarë lushnjarë, viktima të një lufte pushteti, vazhdojnë të përdoren politikisht edhe sot, pas 75 vitesh.

Gazeta Dita