Markela Bejleri, talenti i ri i futbollit shqiptar, vajza që vjen nga një karrierë mbresëlënëse në Kanada

Markela Bejleri është një nga talentet e reja mjaft premtuese të futbollit për femra në Shqipëri. Me një karrierë mbresëlënëse në Kanada, vajza shqiptare synon që një ditë të veshë fanellën e ekipit kombëtar kuq e zi. Aktualisht Markela është pjesë e ekipit të ligës kanadeze “Aurora FC”, skuadër që sot është kampione në fuqi për të tretën herë e Kanadasë, në futbollin për femra. Megjithatë ofertat për të luajtur në Kanada, Markela Bejleri ka preferuar gjithmonë të vijë në Shqipëri për të përfaqësuar ekipin e atdheut të saj. Vitin e fundit ajo është bërë pjesë e ekipit kombëtar shqiptar për femra, U-19 duke bërë një paraqitje fantastike.
Pasionin për futbollin Markela e ka shfaqur që në vitet e para të jetës. Në moshën pesë vjeçare vogëlushja shqiptare është aktivizuar në ekipet amatore, duke treguar jo vetëm këmbëngulje dhe pason, por edhe talent të lindur. Më pas, në moshën 10-vjeç prindërit vendosën që ta aktivizojnë në stërvitje dhe ekipe profesioniste. Nga mosha 10 deri në 15 vjeçe është zgjedhur me përfaqësueset e ekipeve të moshave në Kanada. Në ekipin me traditë në futbollin kanadez,”Aurora FC”, Markela Bejleri cilësohet si një nga talentet e padiskutueshme.
Përkushtimi në lojë dhe talenti i saj në mesfushë ra në sy dhe të trajnerëve më të mirë në Kanada. Në mars të vitit 2017, Markela u ftua të merrte pjesë në grumbullimin me përfaqësuesen U-17 të Kanadasë në Vankuver. Në këtë kompeticion, vajza shqiptare nuk arrit të merrte pjesë jo për arsye të aftësive që nuk i mungonin, por për shkak të një dëmtimi që pësoi.
Loja fantastike e Markelës në fushë dhe komentet mjaft pozitive të ekspertëve të futbollit në meditat sportive në Kanda bënë që Shqipëria të interesohej për vajzën e talentuar në mesfushë. Në maj të këtij viti, trajneri i kombëtares për femra U-19, Nevil Dede e ftoi Markela Bejlerin që të bëhet pjesë e ekipit kuq e zi. Kjo ftesë nuk kishte sesi të refuzohej nga vajza e talentuar që vallëzon në fushën e futbollit.
Aktualisht Makela Bejleri luan në eliminatorët e Kampionatit Europian të futbollit që zhvillohet në Shqipëri. Por ambiciet e vajzës që zotëron në të gjitha cilësitë e një sportisteje profesioniste nuk ndalen me kaq. Ëndrra e saj është që të përfaqësojë Shqipërinë në rang kombëtar dhe të vesh fanellën e ekipit kuq e zi.
Markela ka ikur në moshë fare të vogël nga Shqipëria drejt Kanadasë. Por prindërit e saj, Fisnik dhe Diana i kanë ushqyer gjithmonë dashurinë për vendin e origjinës dhe e kanë mbështetur në karrierën e saj. Futbollistja e talentuar është vetëm 16 vjeçe dhe brenda një kohe të shkurtër ka arritur të shkëlqejë dhe të vlerësohet nga trajnerët në Kanada dhe në Shqipëri. Shumë shpejt, kombëtarja kuq e zi e futbollit për femra do të ketë një nga sportistet më cilësore me karrierë ndërkombëtare. Koha Jone