Margarita Xhepa e Tinka Kurti luajnë në një film spanjoll të regjisorit Marco Lledó

Një imazh video, rrëqethës e i vjetërsuar, i shfaqet çdo natë si një makth Julienit duke e zgjuar prej gjumit. Pas gati njëzet vjetësh nga vrasja e gruas së tij Anxhelinës, Julieni kthehet në Shqipëri i vendosur të hetojë mbi vdekjen e saj mes një deti regjistrimesh të pabesueshme, dosjesh policore e vizionesh të Botës së Përtejme. Kjo është historia e filmit „Zgjimi i Enver Simakut”, produksioni i parë spanjoll në histori i xhiruar në Shqipëri. Nën regjinë e Marco Lledó, në këtë film intepretjnë aktorët, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Lulzim Guhelli, Viktor Zhusti, Ema Andrea, Laert Vasili, Piro Milkani, Julien Blaschke. Filmi rrëfen hetimin e një gazetari (Julien Blaschke), gruaja e të cilit është vrarë para 20 vjetëve, i cili kthehet në Shqipëri për të hetuar për vdekjen e saj misterioze në përpjekje për të kuptuar atë që ka ndodhur realisht. I përshkruar nga vetë kineasti si një përzierje e realitetit dhe trillimit, ky “thriller”, emocionues që zgjat 106 minuta. “Gjithçka zë fill me një udhëtim të tim eti në vitin 1978 kur ishte pjesë e një delegacioni të Partisë Komuniste Marksiste Leniniste, linja e fortë e të majtës antifrankiste. Ai udhëtim i la një mbresë të pashlyer. Një mbresë që ma ka transmetuar përgjatë viteve dhe që më ka frymëzuar si rrallëherë. Në vitin 2005 munda të bëj udhëtimin tim të parë në Shqipëri, me atë që më pas do të ishte gruaja ime dhe drejtoreshë e fotografisë e filmit. Çuditërisht edhe marrëdhënia jonë lindi prej atij udhëtimi, kur jetonim në Gjermani për studime. E kështu nisa të tjerr mbi këtë vend një lloj mistike të veçantë që më lidh me të. Është një vend ku më pëlqen të kthehem. Kam bërë plot miq. Ndjehem thjesht në shtëpi.”, tregon regjisori Marco Lledó. Për të Shqipëria ka qenë një mahnitje për mikpritjen që gjeti. “Gjëja e parë dhe më e habitshme është të mbërrish në një vend kaq të panjohur e të t’i hapin dyert tej e tej. Të gjesh kaq shumë mbështetje e kaq shumë pasion edhe pse bëhet fjalë për një projekt të vogël si ky i yni. Ndonjëherë nuk jam në gjendje të dalloj nëse është Shqipëria apo Elsa Bakshevani, producentja ime e asociuar dhe Anastasi Prodani, mbështetja tjetër e imja atje. Me këtë dua të them që nuk e di nëse përvoja do të kish qenë e njëjtë me persona të tjerë. Sinqerisht dyshoj. Por është gjithashtu e vërtetë se ka një frymë të përgjithshme në Shqipëri, që ndryshe nga Spanja, bën që gjërat të ndodhin më shpejt. Në një mënyrë më të improvizuar ndoshta. Më të shpejtë, më pak burokratike”, thotë ai. Ritmet e xhirimit në një vend si Shqipëria, kanë qenë krejt të pazakonta për punën e tij.