Manjola Arizaj (Zeka) shembulli i kurajës, besimit dhe përkushtimit

Intervistoi: Albert Vataj

Është e vështirë për gratë të balancojnë karrierën me familjen. Bëhet gati e pamundur që të kenë ekuilibër kur aty shtohet edhe shoqëria. Por ç’mund të thuash nëse për një grua dëgjon se ajo mundet të harmonizojë në mënyrë të mrekullueshme jetën në karrierë, detyrimet në familje, angazhimet me shoqërinë e vjetër e të re, e mbi të gjitha dashurinë që ka për vendlindjen, të cilën nuk ia ka shuar Tirana e bukur, e zhurmshme dhe konsumuese. E pra, unë e njoh një grua të tillë. Quhet Manjola Arizaj (Zekaj) “një bijë e vërtetë e Malësisë së Madhe” siç e cilësojnë shpesh komentuesit e shumtë në profilin e saj të facebookut. Ndoshta nuk e di se jashtë Shqipërisë “reklamat” nuk bëhen falas. Këtë desha t’i them drejtoreshës së Marrëdhënieve me Publikun në Kuvendin e Shqipërisë, por ma preu shkurt: Për vendin tim vetëm paguaj. Le ta njohim më nga afër këtë grua të veçantë që rrjedh nga rrënjët më të thella të Malësisë së Madhe dhe që duket se nuk ka për t’u ndarë kurrë prej saj.

A mund të kemi një përkufizim telegrafisht se cila është Manjola (Arizaj)Zeka?
Jam e bindur se nuk kërkoni thjesht pasaportën time. Prandaj po e përmbledh veten me pak fjalë: mbroj me fanatizëm atë dhe ata që dua; jam mirënjohëse edhe për një “mirëmëngjes” të sinqertë; jam falënderuese ndaj Zotit dhe familjes për gjithçka kam dhe jam sot.

Diçka nga rrugëtimi juaj nga Kopliku, ky qytet periferik i Malësisë së Madhe, në Tiranën e zhurmshme dhe sfiduese?
Në fakt do të thosha se më shumë sfidë do të ishte qëndrimi dhe puna për qytetthin dhe Malësinë tonë, por ja që aty nuk kishte një shkollë për t’u bërë gazetare, ndaj prej vitit 1996 e deri më sot, jam një gazetare që jetoj dhe punoj në Tiranë, por bëj “tifo” për Veleçikun (qesh) dhe Malësinë e Madhe. Gjithë këta vite kanë rrjedhur herë butë, herë egër, herë me lot e herë me gaz, por asnjëherë nuk më ka reshtur dashuria për vendin tim, nuk ka rëndësi në isha në Tiranë, Koplik, apo Prishtinë. Kjo besoj është sfida më e madhe për ne shqiptarët dhe ne gazetarët në radhë të parë: të duam vendin.

Sa ka mbetur ende tek ju e lidhur me të shkuarën, me vendlindjen, me ato vite, të vend, ato njerëz?
Oo, është një pyetje që përveçse më mallëngjen, më fut në një botë tjetër, më bën fëmijë, më hedh në mes të lodrave, bujarisë, gëzimit, mallit dhe dhimbjes. Unë nuk jam shkëputur kurrë nga asgjë, as nga vendi im, as nga qytetthi im, as nga fshati im, as nga njerëzit, as nga era e pemëve dhe luleve, as nga maja e bjeshkëve tona, që aq përzemër i kam (Lepushë, Vermosh, Razëm) as nga era e misrit (kollomoqit) (qesh) të sapokëputur…Gjithçka është në mendjen dhe zemrën time dhe unë shfrytëzoj çdo rast, çdo mundësi të gjendem diku aty dhe të çmallem me vendim tim, me njerëzit e mi, të vdekur apo të gjallë, të njohur apo të panjohur. Emocionohem gjithmonë sa herë dëgjoj për një malësor që bëhet i dëgjuar në një fushë të caktuar. Ashtu si gëzoj për çdo punë të mirë që sjell progres dhe mirëqënie në Malësinë tonë.

Cila është Manjola Arizaj ( Zeka) nënë?
As më shumë e as më pak se gjithë nënat e botës. Vetë fjala “nënë” na bën njësoj të gjithave, janë veç mundësitë apo pamundësitë që na ndajnë. Besoj se krijimi më i madh, i bukur, e i fortë i Zotit ka qenë nëna. Dy fëmijtë e mi, Edma dhe Erdeti më bëjnë çdo minutë që kalon falënderuese dhe mirënjohëse. Veç prania dhe ndjesia se ata janë, më bën të duroj lodhjet, zhgënjimet, tensionet, sëmundjet, vështirësitë.

A është e vështirë për një grua në karrierë, nënë në angazhim prindëror dhe bashkëshorte, të ofrojë atë buzëqeshje të çiltër dhe plot dritë, si e juaja?
Ju falënderoj. Ndihem e privilegjuar që i dëgjoj këto fjalë. Të mos gënjej, edhe pak e përkëdhelur në sedër. Të qënit nënë dhe bashkëshorte ma kanë ndriçuar buzëqeshjen. Karriera pastaj, ka pasur dritëhijet e saj, por profesioni kurrë nuk më ka bërë të humbas optimizmin. Vështirësitë shumëzohen me zero kur sheh një buzëqeshje, kur merr një përqafim, a falënderim. E ke shpirtin e mbushur. Prandaj dhe buzëqeshja ime është falënderimi dhe mirënjohja për ato bulëza lumturie.

Bashkëshorti juaj, një personalitet në gazetarinë shqiptare, a ju ka ndihmuar që karriera dhe angazhimi juaj të mos detyrohej të kalonte përmes një terreni të ashpër dhe refuzues?
Për diçka i jam mirënjohëse bashkëshortit Mondit : asnjëherë nuk më ka kundërshtuar me arrogancën mashkullore në zgjedhjet e mia. Gjithçka e kemi diskutuar, debatuar pse jo, duke përfituar që jemi në një profesion dhe e njohim botën e gazetarisë mjaft mirë. Nuk e mohoj që i kam kërkuar ndihmë, dhe mund të them që është një këshilltar shumë i keq (qesh) ta thotë të vërtetën pa asnjë zbukurim, dhe ndonjëherë e vërteta është si një dru që të bie në kokë. Mund të them që kemi ecur krah për krah në këto vjet profesionialisht. Kam marrë, dhe shpresoj edhe të kem dhenë prej tij.

Gjatë karrierës suaj a keni ndeshur në barriera, të cilat i ka “ngritur” prejardhja juaj, ajo që mund të quhet diferencim krahinor?
Të them të vërtetën jo aq shumë. Më shumë barriera ka pasur nga njerëz të paaftë e egoistë që kërkonin të shfaqeshin si talente të paarritshëm. Por besoj që kjo egziston në çdo profesion. Mund të ketë pasur prapamendime, nënvlerësime padyshim, madje edhe debate sidomos për termin e turpshëm “malok”. Por gjithsesi asgjë nga këto nuk më ka stepur, apo trembur. Fundja jam Malësorë (qesh)

Tani që ka kaq shumë vite që jetoni dhe punoni në Tiranë, sa ka mbetur nga ju e lidhur ende me vendlindjen dhe çfarë do të kujtonit me nostalgji?
U përgjigja dhe pak më lartë. Mund t’i hyj pak në hakë Tiranës dhe duhet ta pranoj që jam në borxh të pashlyeshëm me të. Por jo se ka mbetur diçka e lidhur me vendlindjen, unë nuk jam shkëputur kurrë prej saj. Sapo kaloj lagjen Rus në Shkodër dhe makina merr rrugën e Malësisë së Madhe, sa kaloj urën e Vrakës, kaloj në Grizhë (Ktosh) ku kam kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë time, Kopliku (ku jam lindur dhe rritur) Vermoshit (ku kam veruar për vite me radhë)…menjëherë një dorë e padukshme më shndërron në fëmijën e dikurshëm më të voglën e familjes, që babai e merrte me vete dhe i fliste e i tregonte çdo gur, çdo pemë, çdo mal, e çdo histori a lëgjendë të vendit tonë. Malësia jonë është aq e bukur, njerëzit e saj janë aq të mirë, të bukur e bujarë, sa edhe kur fryn erë duket sikur fërshëllen: mos harro. E si mund të harrojmë qoftë edhe një minutë të shkuarën dhe vendin tonë?! Kënaqem pa fund kur shkëmbejmë biseda edhe me malësorë të tjerë që kanë po të njëjtat ndjenja e kujtime për Malësinë. Dhe jam e bindur se një ditë, me këta djem e vajza që rrit Malësia jonë do të jetë dhe do të ketë jo vetëm bukurinë e natyrës, por edhe atë të dorës, zemrës dhe mendjes së njerëzve të saj.

Për atë çfarë juve keni arritur, a do të kishit dikën, të cilit do t’i ishit mirënjohës, nëse po, cili dhe për çfarë?
Ka pak njerëz ndaj të cilëve jam përjetësisht mirënjohëse, ua them përditë madje (qesh). Dhe me qenë se e kam mundësinë t’ua them, për përgjigjen tuaj do të them një emër të cilit nuk pata mundësinë kurrë t’i them se sa mirënjohëse i jam për çka jam. Ai është babai im Ramadan Zekaj. Eshtë ndarë nga jeta prej vitesh, por këshillat e tij i kam të renditura çdo moment. Mbështetjen e tij e ndjej në shpatulla çdo çast. Më kujtohet dikur kur humba konkursin e parë për gazetarinë fytyra e tij e mërzitur, por gjithsesi vazhdonte të më ngrinte moralin dhe të më jepte kurajo dhe kam thërritur e thërras sa herë dhe dua ta përsëris dhe tash: Bab, ia dolëm!

Sa është femra shqiptare e penguar në sfidat e saj dhe sa ka mundur ta çlirojë nga këto vargonj e ashtuquajtura politike e barazisë gjinore?
Eh sa pak hapa kemi bërë për këtë! Vetëm në Tiranë dhe pak qendra qytetesh gruaja shqiptare ka disa liri. Disa ë. Unë nuk besoj tek barazia gjinore, por jam ekstremiste për respektin gjinor. Fillimisht duhet të kultivojmë respektin për vajzën, për gruan, pastaj tek barazia. Çdo burri të këtij vendi do i thosha: Çdo mendim a veprim që bëni ndaj një gruaje, dijeni se dikush tjetër si ty mund t’ia bëjë, gruas, motrës a vajzës tënde. Duhet kulturë, shumë kulturë, në çdo skaj të Shqipërisë. Nuk mund të flasim për barazi gjinore, kur vajzat ende shiten si 300 vjet më parë. Për çfarë barazie mund të flasim kur ende gratë përdoren si kafshë ngarkese. E si mund të flasim për barazi kur denoncimet për dhunë në familje janë në shifra të frikshme dhe të mendosh se shumica nuk denoncon. Duhet të kulturohemi, këtë mendoj. Është rrugë e gjatë, por duhet ta marrin gratë në dorë, jo të presin burrat që të bëjnë ligje diskrimues “30 përqindëshi”.

Manjola Arizaj( Zeka) njihet nga të gjithë si një gazetare, ndoshta do të kishit diçka për marrëdhënien tuaj me këtë profesion dhe gazetarinë në përgjithësi?
Në Shqipëri është një profesion sa i lehtë aq dhe i vështirë. I lehtë, sepse kushdo mund t’i hynte gazetarisë, madje edhe sot po ke shkruar diçka, të cilësojnë gazetar. Harrojnë një gjë, këtë e kam huazuar nga bashkëshorti im: Gazetar është titull, si inxhinier, doktor etj. Duhet shkollë, punë e mund ta meritosh. Por sot është kaq inflancionist përdorimi i këtij titulli, sa e ka ulur fare vlerën e gazetarit. Dhe kjo është vështirësia dhe sfida e ardhshme për gazetarët shqiptarë: t’i kthejnë vlerën që meriton fjalës, gazetarit. Më vjen keq që gazetarët i ka hedhur politika prej kohësh në ingranazhet e përballjes, përbaltjes dhe fyerjes. Eshtë e vështirë sot të qëmtosh sadopak gazetari, vërtetësi dhe ndershmëri. Besoj është problem i përgjithshëm, jo vetëm i profeeionit tonë. Sigurisht që edhe gazetarët kanë mëkatet e tyre. Por jam e sigurtë që më shumë janë bërë mëkate mbi ta.

Juve keni një kohë relativisht të gjatë të punës së afërt me politikanë, si është të punosh me ta, sa e vështirë është të ndërtohet ajo marrëdhënie që nga ju është shndërruar në atribut suksesi.
Po është e vërtetë. Prej afro 12 vitesh punoj në Parlamëntin e Shqipërisë. Politikanët janë njerëz, si unë e si ti, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Ai njeri që i bën ballë pushtetit dhe fuqisë që ai të jep, duke qëndruar me të njëjtin karakter, ai është njeri nga i cili duhet mësuar dhe duhet ta dëgjosh e respektosh. Njoh disa të tillë, sidomos gra. Çdokush deputet ka huqet dhe egon e tij, por gjithsesi pa përjashtim të gjithë janë të komunikueshëm dhe njerëzorë. Gjithsesi, po flas për marrëdhëniet e komunikimit jo zyrtar, pasi Kuvendi i Shqipërisë ka ligje strikte dhe të qarta dhe që zbatohen me rigorozitet. Për këtë duhen falënderuar të gjithë, politikanë dhe administratë.

Manjola Arizaj (Zeka) a ka menduar se në një të ardhme të jetë pjesë aktive e politikbërjes?
Vjen një moment, pas një karriere, pas njohjes së administratës, njerëzve, profesioneve të ndryshme, vendit, që synon të bësh dhe të japësh më shumë. Të jesh pjesë e ndryshimit.

Nëse do të vinte një ditë që ju të kandidonit në vendlindjen tuaj, çfarë do të ishte ajo që do të premtonit dhe do të punonit me mish e me shpirt që ta realizonit?
Oo, ëndrrat e mia për Malësinë e Madhe. Nuk dalin faqet e gazetës (qesh). Por synimi dhe ambicia më e madhe do të ishte që Malësinë e Madhe ta vizitonin aq shumë njerëz, të cilët do të donin të riktheheshin sërish, sërish e sërish. Do të doja që kushdo që hynte në Malësi të largohej prej saj me pak “bukë e kripë e zemër” dhe këtë ta çonte në vendin e tij. Në hyrje të Malësisë dhe në dalje të saj do ndërtoja bazorelievin “bukë, kripë e zemër”.

Cila është koha e lirë e Manjola Zekës dhe kush janë hobet e saja?
Profesioni ynë është vështirë të ketë kohë të lirë. Shumë e vështirë. Megjithatë, jam e dhënë pas gatimit, lexoj, më pak se dikur sigurisht. Jam e dhënë pas filmave aksion, mbase gjaku, origjina(qesh). Aaaa po, kam dëshirë përherë t’i bëj “reklamë” Malësisë.

A ka diçka që ju ka mbetur peng që mundësitë nuk u’a realizojnë dot?
E përsëris jam falënderuese dhe mirënjohëse ndaj Zotit dhe familjes për çka kam. Nuk kënaqem me pak, por kurrë nuk harroj të gëzoj dhe kënaqem me ato që kam. Nuk kam për të qenë kurrë peng i diçkaje.

A ka patur në rrugën tuaj një idhull, një udhëheqës shpirtëror, një model sfidues që ju ka frymëzuar dhe motivuar në synimet dhe arritjet tuaja.
Im atë do të jetë përherë idhulli im, frymëzuesi dhe ai ku jap llogari çdo ditë. Në çdo veprim, fjalë madje dhe mendim më duket se kam sytë e tij përballë që më miratojnë apo kundërshtojnë. Kushdo që më njeh e di këtë lidhje timen që vazhdon edhe përtej kësaj jete.