Mandati i deputetit Saimir Tahiri, diskuton këshilli për të dytën ditë

Këshilli i mandateve dhe Imuniteteve në parlamentin shqiptar dëgjoi sot për disa orë mbrojtjen e avokatit dhe deputetit socialist Saimir Tahiri, ndaj të cilit prokuroria ka kërkuar t’i hiqet mandati për t’u hetuar nën akuzat e trafikimit të drogës, duke mbështetur një grup trafikantësh të arrestuar në Itali.

“Në mbi 400 faqe nuk ka asnjë fakt dhe asnjë sinjal, qoftë edhe të tërthortë apo aksidental, asnjë telefonatë apo komunikim, se deputeti Tahiri ka ndonjë lidhje me personat e arrestuar në Itali” tha avokati Artan Hajdari.

Një ditë më parë këshilli dëgjoi përfaqësuesit e prokurorisë dhe ish-ministrin e brendshëm mbi akuzat që bazohen mbi të dhëna nga hetuesi italiane, ndërsa sot ai avokati I tij tha se në materialet e paraqitura nga hetuesit shqiptarë dhe italianë nuk ka asnjë fakt që implikon zotin Tahiri, përvec motiveve politike kundër tij.

“Jam i gatshëm të hetohem për të gjitha elementet, që dyshohem, por nuk mund të pranoj politizimin dhe as abuzimet e opozitës kundër meje” – tha deputeti Saimir Tahiri.

Avokati mbrojtës I kërkoi parlamentit të rrëzojë kërkesën e prokurorisë dhe të mos miratojë autorizimin për të arrestuar deputetin Saimir Tahiri, pork jo solli reagimin e deputetëve të opozitës.

Pjesa e fundit e mbledhjes së këshillit të mandateve u zhvilua pa praninë e mediave.

Opozita protestoi por socialistët thanë se kështu ka ndodhur përherë në raste të ngjashme.

Raporti i këtij këshilli, sipas socialistëve, pritet t’i paraqitet parlamentit ditën e mërkurë.