Malësia e katolikëve dhe myslimanëve, “…FEJA E SHQIPTARIT, SHQIPTARIA…”

Gjatë kohës kur po kryhej pozicionimi i popullit shqiptar, sipas dokumenteve të asaj kohe, dhe konkretisht atyre austro-hungareze. Përkatësisht gjatë viteve 1878-1913 gjendja e përkatësisë myslimane në territorin ku shtrihej Malësia e Madhe, me logjiken kokëfortë të shifrave kemi këtë të dhënë, Kelmendi ne vitin 1901 kishte të islamizuar 3-4% të popullsisë së saj. Gruda në vitin 1900 kishte të konvertuar në myslimanë plot 60 për qind. Kastrati, gjatë periudhës 1878-1901, banorët e saj kishin përvetësuar besimin islam në masën 14-20 për qind. Shkreli, në vitin 1904 kishte të besimit islam 16 për qind të popullsisë së saj, ndërsa Hoti, pjesa e Traboinit, ne vitin 1901 kishte vetëm 50 persona të besimit mysliman. Rapsha, kishte vetëm 3 për qind të islamizuar, ndërkohë që aktualisht përbërja fetare ose përkatësia religjioze e 60 mijë banorëve të Malësisë së Madhe, së bashku me ata që kanë mbetur në Tuz dhe rrethinat e saj, në shtetin e Malit të Zi është pothuajse e barabartë 50 për qind janë katolikë dhe kaq janë myslimanë. Por me një veçori, 50 përqindëshi i popullsisë myslimane është me tendencë të dukshme rritjeje, kryesisht për shkak të emigrimit. Një numër i konsiderueshëm i banorëve që i përkasin besimit katolik e shohin gjithnjë e të pamundur jetën në këto zona. Situatat gjithnjë e më të pavaforshme ekonomike dhe vështirësitë që sa vijnë e pësojnë rëndim, i ka detyruar ata të braktisin vendin e tyre, për të kërkuar të ikin ku jetohet më mirë.  Myslimanët me shumicë popullsie jetojnë në Rranxat e Malësisë, siç janë; Reçi, Kopliku, Grizha, Gruemira, Gruda në Malin e Zi. Kjo përqindje në rritje e banorëve me përkatësi myslimane e dëshmon më së miri ekzistencën e 30 xhamive në këtë zonë. Duke ndjekur logjikën e përllogaritjes i bie që një xhami t’i përkasë njëmijë banorëve. Por ajo që e bën më interesant këtë panoramë të përkatësisë fetare, shpërndarjes dhe shifrave, është se në territorin e Malësisë së Madhe, ka gjithashtu edhe 30 kisha, nga të cilat 29 janë kisha katolike, dhe një është kishë ortodokse. Faktet me gjuhën e tyre, dhe situata me logjikën e ftohtë të reales dëshmon këtë gjendje, jep këto tregues, ravijëzon këtë panoramë të përkatësisë fetare në Malësinë e Madhe. Ballafaqimi i fakteve në rrafshin historik, përmbysja numerike janë dëshmi e një erozioni human dhe religjioz. Ata që ikin dhe ata që rrinë, janë ata që vendosin mbi fatin e shifrave dhe fakteve.