Maaloula qytezë e vogël ku përdoret ende aramaishtja, gjuha të cilën fliste Jezu Krishti i Nazaretit!

Maaloula është qytezë e vogël në verilindje të Damaskut në Siri. Bashkë me fshatrat e vogla Jubb’adin dhe Bakhah, është i treti vend ku ende flitet aramaishtja perëndimore. Gjuha aramaike ka dominuar Lindjen deri në kohën e pushtimeve arabe.

Aramaishtja perëndimore flitej në Levantin e lashtë, që përfshin këto rajone të sotme: Qipron, Izraelin, Irakun, Jordaninë, Libanin, Palestinën, Sirinë dhe Turqinë. Kjo është gjuhë semite dhe alfabeti që përdorej për ta shkruar është adaptuar më vonë nga izraelitët dhe arabët.

Kjo gjuhë vjen nga arameanët të cilët jetonin në Aram (ku gjendet Aleppo). Ata kurrë nuk formuan një shtet unik, por shtete të vogla në rajonin e Levantit; kurrë nuk patën forcë të madhe politike e ushtarake, por me shpërndarja në rrugët e tregtisë mes popujve më të fuqishëm, bën që gjuha e tyre të jetë gjuhë komunikimi mes popujve të ndryshëm. Nga shekulli VIII ajo bëhet gjuhë zyrtare e Asirisë që kishte pushtuar pjesën më të madhe të Lindjes se Afërt dhe Lindjes së Largët

Pas pushtimit arab, arameanët të cilët ndër të parët kishin përqafuar krishterimin, bëhen pakicë dhe pothuajse shuhen si popull.

Në kohën kur ka jetuar Jezu Krishti, në Jude flitej aramaishtja. Pra, kjo ishte gjuha të cilën e fliste Jezu Krishti dhe apostujt e tij (gjuhë të cilën e përdor Mel Gibson për filmin “The Passion of the Christ). Aramaishten e flisnin hebrenjtë deri te kryengritja e Simon Bar Kokhbas, kundër Perandorisë Romake. Atëherë, gjuha hebraike që ishte gjuhë e klerikëve, rikthehet mes popullit.

Pas pushtimit arab dhe shpërnguljes së hebrenjve, hebraishtja sërish mbetet gjuhë e riteve fetare. Populli fliste gjuhën e vendit ku jetonte. Atëherë madje hebrenjtë mendonin se hebraishtja është gjuhë e shenjtë që nuk duhet të jetë pjesë e komunikimit të përditshëm. Gjërat ndryshojnë në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX. (Express)