Lulzim Basha: Kalendari i reformës në drejtësi në pikëpyetje. Standardi i Ramës është krimi

“3.4 milion euro të Toyota Yaris”, kreu i PD-së flet për VOA-n: Vendet partnere informojnë te opozita, pasi kanë gjetur një partner të besueshëm

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington, ku të enjten mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Instituti “Hudson”, lidhur me marrëdhëniet transatlantike. Në një intervistë që i dha të mërkurën Zërit të Amerikës, zoti Basha ndalet në problemet e fundit me të cilat ndeshet Shqipëria, si ngërçi lidhur me shkollën e magjistraturës, ligji për teatrin kombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Zoti Basha po ashtu iu përgjigj edhe pyetjeve lidhur me kontratat që Partia Demokratike ka nënshkruar me firma lobuese amerikane.

Një kontratë e mëparshme lobimi e Partisë Demokratike me firmën Muzin Capitol Partners ka ngjallur mjaft debate. Madje në Shqipëri Partia Demokratike është në hetim lidhur me këtë kontratë. Bëhet për një pagesë prej mbi gjysmë milionë dollarësh. Firma Muzin vet ka deklaruar tre pagesa; një prej tyre ju e keni pranuar tashmë pra, 25 mijë dollarësh. Janë edhe dy të tjera, por dua të ndalem tek shuma më e madhe prej 500 mijë dollarësh, për të cilën ju jeni shprehur në Shqipëri fillimisht se është bërë nga një grup shqiptaro-amerikanësh. Më pas duket sikur ju jeni tërhequr nga kjo thënie. Cila është e vërteta e kësaj pagese prej 500 mijë dollarësh?

E vërteta është se Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Ndryshe nga Partia Socialiste, e cila…

Partia Demokratike ka bërë një pagesë, siç thotë firma Muzin në deklaratën e saj, prej 500 mijë dollarësh.

Partia Demokratike ka bërë atë kontratë që ka bërë, që e ka publike, dhe ka bërë ato pagesa që ka bërë. Kjo është e vërteta…

Pra, firma Muzin nuk tregon të vërtetën? …

… E për çdo gjë tjetër ne i kemi kërkuar prokurorisë në Shqipëri dhe FBI-së të hetojnë. Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj, nuk ka asnjë para të pistë në këtë mes, ndryshe nga afera e famshme e thyerjes së ligjeve amerikane me foton me Obamën dhe me burimet e panjohura të parave, që paguan për këtë të tjerët. Partia Demokratike është tërësisht transparente, krejtësisht e hapur, kështu që kjo nuk është çështje.

Firma Muzin, sipas kësaj që po thoni ju, duket se ka përdorur emrin e partisë tuaj për çfarëdo problemi që ka patur vetë. Pra, iu ka prishur juve imazhin. Pse nuk e denonconi ju këtë firmë për të pastruar emrin tuaj, sepse del emri i partisë tuaj gjithmonë?

Aspak. Partia Demokratike i ka deklaruar gjithmonë në mënyrë transparente marrëdhëniet e saj dhe financat e saj, ndryshe nga Partia Socialiste në të kaluarën dhe në të sotmen. Por kjo është një çështje, e cila besoj se do të diskutohet dhe do të bëhet transparente më vonë. Këtu nuk ka asnjë çështje. Është një non-issue, siç i thonë në Amerikë. Partia Demokratike është e angazhuar në denoncimin e lidhjeve të krimit të organizuar me partinë në pushtet, duke përfshirë edhe pastrimin e parave dhe gjithçka për të cilën Partia Demokratike akuzohet është një manovër e dobët diversioni për të tërhequr vëmendjen dhe për të kaluar Partinë Demokratike në pozita mbrojtëse, çka nuk ka për të ndodhur.

Para se të niseshit nga Shqipëria, vendi juaj e gjeti veten në një ngërç tjetër, e kam fjalën për shkollën e magjistraturës. Nga reforma në drejtësi, siç dihet, shumë gjykatës po humbasin vendet e punës, por sistemi i drejtësisë do të ketë nevojë për zëvendësimin e tyre. Janë një grup studentësh, që kanë kryer Shkollën e Magjistraturës dhe një grup tjetër që pritet të shkojnë atje. Çfarë propozimi ofroni ju për të kapërcyer bllokimin me studentët e magjistraturës? Si dilet nga kjo gjendje?

Nga kjo gjendje dilet vetëm duke u rikthyer te konsensusi kushtetues dhe duke u rikthyer te Kushtetuta, e cila u miratua me 140 vota. Pasi ajo u miratua me 140 vota, Partia Socialiste miratoi 6 ligje, duke përjashtuar opozitën, pasi kishte dhënë fjalën se këto 6 ligje do të bëheshin me konsensus, pikërisht që të na sillte në këtë pikë; që të vonohej krijimi i organeve të reja të drejtësisë, që të emërohej prokurorja e përkohshme me votat vetëm të maxhorancës dhe jashtë parashikimeve kushtetuese dhe që të bllokoheshin hetime jashtëzakonisht të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Po këmbëngul te pyetja: Si mund të kapërcehet sot gjendja? Ç’do të thotë rikthim te Kushtetuta? Ato që kanë ndodhur, kanë kaluar tashmë. Ç’rrugë ka tani për ta kapërcyer këtë situatë?

Rruga është të zhbëhen ato komponentë të futur në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca pikërisht për të vonuar krijimin e organeve të reja të drejtësisë, për të vonuar krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, duke vonuar kështu krijimin e SPAK-ut dhe të BKH-së, dhe duke mos ia dhënë pushtetin e reformimit të drejtësisë vet organeve të drejtësisë, por Fatmir Xhafës dhe Arta Markut, të emëruar vetëm me votat e Edi Ramës dhe rezultatin po e shohim: Saimir Tahiri bredh i lirë, bandave të mëdha të trafikut të drogës nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, drogë dhe para të drogës dalin e hyjnë nëpër portet e Shqipërisë dhe Shqipërisë i mbeten të mbyllura dyert e negociatave me Bashkimin Europian për shka të krimit dhe të korrupsionit.

Një tjetër çështje e nxehtë javët e fundit në Shqipëri është edhe çështja e Teatrit Kombëtar. Shumica përdori numrat që ka në parlament dhe e votoi ligjin. Ju jeni shprehur se do ta bllokoni. Si mund ta bllokoni ju ligjin, kur Partia Socialiste i ka kartonat në parlament?

Ne nuk kemi mundësi të bllokojmë ligjin dhe këtë ua kemi bërë të qartë artistëve, qytetarëve dhe gjithë faktorëve shoqërorë të shqetësuar nga gjithë kjo aferë e tmerrshme korruptive. Çfarë po ndodh? Edi Rama ka një plan thuajse 20 vjeçar për të ndërtuar kulla në këtë zonë, që është në zemër të qytetit, është praktikisht prapa monumentit të Skënderbeut, është në mesin e sheshit të ministrive. Ai ka më shumë se një vit që harton një plan, i cili mbahet i fshehtë për të ndërtuar 6 kulla në zonën e Teatrit, e për këtë qëllim duhet grabitur Teatri, duhen grabitur afro 8 mijë metër katrorë tokë publike, nga të cilat afro 5 mijë i takojnë Teatrit. Kjo grabitje bëhet përmes një kompanie, e cila është pronare apo ka blerë 280 metër katrorë. Me 280 metër katrorë që ka në pronësi kjo kompani, tani bëhet një ligj special në emër të kësaj kompanie për t’i dhënë edhe 8 mijë metra të tjerë nga toka publike. Pra, është një aferë e pastër korruptive, për të bërë qindra milionë euro me ndërtimin e këtyre 6 kullave. Është një projekt betonizimi dhe po ashtu, është një projekt i pastrimit të parave të pista.

Zoti Basha, pak javë më parë bëri përshtypje deklarata juaj në parlament që i parapriu një aksioni të policisë për zbulimin e 3.4 milionë eurove në makina që vinin nga jashtë. Cili ishte burimi juaj i informacionit? Dhe a mendoni se ishte gjëja e duhur për ta nxjerrë këtë të dhënë në publik?

Partia Demokratike ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të cilët lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të drogës dhe korrupsionit është një prioritet absolut… Këtë prioritet absolut e kam diskutuar edhe këtu në Uashington. Në konferencë ku mora pjesë, kam pasur takime me përfaqësues të administratës amerikane dhe natyrisht përfaqësues të Kongresit dhe të Senatit amerikan. Problemi është i mprehtë, akut dhe një shqetësim i madh për partnerët tanë. Natyrisht, këta partnerë, të cilët veprojnë në forma dhe në mënyra të ndryshme, kur shohin që nuk ka përgjigje, apo kur shohin që nuk ka veprim sa u përket çështjeve të veçanta të luftës kundër krimit, qoftë edhe çështje të strategjisë apo edhe të operacioneve kundër krimit, kanë gjetur dhe gjejnë te opozita një partner të besueshëm për të shërbyer si një instrument më shumë presioni, në mënyrë që lufta ndaj krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës apo pastrimit të parave të drogës të intensifikohet e jo të dobësohet. Padyshim, ne kemi qenë dhe jemi partnerë të devotshëm e të besueshëm të partnerëve tanë strategjikë, SHBA-ve dhe vendeve europiane, për të cilët, siç e thashë, krimi i organizuar, pastrimi i parave të pista të krimit, trafiku i drogave të forta si heroina e kokaina, përbëjnë probleme kryesore sa i përket qeverisjes aktuale.

Kjo përgjigje mund të jetë për çdolloj pyetje. Por, pyetja ime ishte konkrete: Cili ishte burimi juaj i informacionit? A ishin partnerët e huaj apo ishte nga brenda vendit?

Burimi i informacionit nuk mund të jetë subjekt i një zbulimi mediatik. Ajo që iu them është se ne kemi një bashkëpunim shumë të fortë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita ka kryer detyrën e saj, unë kam kryer detyrën time si kryetar i opozitës, pikërisht për të pamundësuar që një qeveri që ka humbur besimin e partnerëve në luftën kundër krimit të mos abortojë operacione të rëndësishme, siç ka qenë rasti me Maminasin apo me Toyta Yaris-in dhe paratë e drogës, që po futeshin përmes tyre.

Ju akuzuat se me këto automjete Toyta ishte i lidhur një deputet i Partisë Socialiste. Ai u kthye me akuza kundër jush për një fotografi, që ju keni bërë me vëllain e njërit prej të arrestuarve me ju në zyrën tuaj. Në ç’rrethana është bërë ajo foto?

Nuk kam asnjë kujtesë për rrethanat e fotos, sepse unë kam fotografi me mijëra qytetarë. E rëndësishme është të kuptojmë dy gjëra: e para të kuptojmë hipokrizinë e pretendimit, sepse nëse ky person, që nuk e njoh, është i dyshuar, kanë kaluar më shumë se tre javë dhe ky person mund të ishte arrestuar, mund të ishte marrë në pyetje. Por kjo nuk ka ndodhur dhe ka një hipokrizi këtu dhe një përdorim të qartë politik të një fotoje, për të cilën nuk kam asnjë informacion përtej asaj që kam bërë publike. E dyta është standarti moral. Unë akuzohem se paskam dalë në foto me dikë, i cili dyshohet se është vëllai i disave që dyshohen se janë prapa këtyre parave. Ndërkohë që informacioni im është fare i qartë: këto para janë para të drogës të një klani të fuqishëm kriminal me qendër në Elbasan dhe numri dy i Partisë Socialiste, jo një deputet çfarëdo, është garanti i marrëveshjes për kalimin e këtyre parave përmes këtij instrumenti, makinave të sjella në Tiranë. Po kështu, për të qëndruar te standarti moral; kryeministri, vet ky person dhe shumë të tjerë janë ditë për ditë në krah të vëllait të një krimineli të dënuar droge, siç është ministri aktual i brendshëm Fatmir Xhafa.