Lufta e Shkodrës, pleqtë e Shijakut rrëfejnë tradhtinë e Esad Pashë Toptani

Pleqtë e Shkodrës rrëfejnë rrethimin e Shkodrës e tradhtinë e Esadit. Fishta, si e shkroi marshin ushtarak sipas porosisë së Hasan Riza Pashës. Mustafa Kruja: Për Esadin, fjala e nderit në politikë s’kishte fe e kuptim.

Fill pas shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të Qeverisë së Përkohshme, u kërkua nga Evropa njohja e Pavarësisë. Këtë kërkesë të qeverisë e përkrahën menjëherë Austria dhe Italia, natyrisht për interesat e veta në Adriatik, por kjo u ra si bombë ballkanasve, të cilët pas armëpushimit të qeverisë turke të 3 dhjetorit 1912, shpallën se tokat e Perandorisë Otomane në gadishull u takonin atyre, si fitimtarë në luftën kundër Turqisë.

Ata nuk e vinin në hesap fare Shqipërinë, bile grekët arritën gjer atje sa të deklaronin me brutalitet se “është e pamundur me lejue shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”. Oreksi i fqinjve sa vinte e bëhej më i papërmbajtur. Mali i Zi, përveç Plavës e Gucisë, Hotit dhe Grudës, dëshironte edhe Shkodrën, me pretendimin se aty qenë varrosë paraardhësit. Edhe serbët, veç Kosovës, ëndërronin edhe Durrësin, si një skelë të tregtisë së tyre, për t’i shpëtuar monopolit tregtar të Austro Hungarisë.

Grekët, pasi kishin pushtuar Korçën e Gjirokastrën (madje kishin arritur gjer  Berat), lakmonin edhe Vlorën. Qeveria mori masa që në Janinë e Shkodër, ku vazhdonte akoma lufta e garnizoneve turke, qëndresa të bëhej në emër të Shqipërisë dhe jo të Turqisë.

Në ndarjen e kufijve, problem paraqiti ndarja e pjesës veriore dhe verilindore e Shqipërisë. Kërkesave ekonomike dhe historike që Mali i Zi dhe Serbia i paraqitën më 17 dhe 21 janar 1913 Konferencës së Ambasadorëve, sidomos për të marrë Shkodrën, ju tha një “jo” e plotë, madje edhe nga Franca e Rusia, që ishin përkrahësit dhe mbrojtësit më të mëdhenj të interesave sllave.

“Shkodra – tha në komunikatën e tij të 11 prillit 1913 ministri i jashtëm rus M. Sazonov – iu la Shqipërisë për me mbajt paqen. Një luftë e shkaktuar nga një veprim i tillë, do të ishte një absurditet, aq më tepër që Shkodra është një qytet thjesht shqiptar. Këtë e vërtetojnë edhe raportet e konsullit të lartë rus në Shkodër, ku dëshmohet me prova të gjalla, se malazezët nuk kanë qenë të zot të asimilonin disa mijëra shqiptarë katolikë e muhamedanë, brenda tridhjetë e sa vjetëve që i kishin në kufijtë e tyre. Po qe se Mali i Zi do të shtinte në dorë një pjesë të sanxhakut të Shkodrës, do të ligështohet dhe do të rrezikohej për t’u bërë një Shqipëri malazeze …”

Për t’iu kundërvënë kësaj akuze, Mali i Zi mburrej se do ta zgjidhte çështjen e asimilimit, duke vrarë meshkujt shqiptarë dhe duke i detyruar gratë të martoheshin me sllavë, duke i stërvitur fëmijët nëpër shkolla sllave si dhe duke persekutuar myslimanë e katolikë.

Të indinjuar nga ky deklarim, Mali i Zi dhe Serbia nuk deshën t’ia dijnë për vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, por vazhduan luftimet e filluara që më 9 tetor 1912, përgjatë kufirit turko-malazez. Kjo datë shënon dhe fillimin e Luftës së parë Ballkanike, ku kundër Turqisë hyjnë me radhë edhe Serbia, edhe Bullgaria edhe Greqia me Malin e Zi.

Ndërkohë që ushtria serbe kishte hyrë në Durrës, Shkodra qe rrethuar nga Mali i Zi. Forcat turke, që u bënin ballë malazezëve, udhëhiqeshin nga komandanti turk Hasan Riza Pasha.

Malazezët nga një majë e Taraboshit sipër Shirokës dhe prej Boksit, gjuanin pa kurrfarë mëshire me top shtëpitë e qytetarëve dhe tregun. Banorët, të ngushtuar për bukë, vdisnin nga uria.

Nëpër llogoret e luftëtarëve gjaku shkonte rrëkajë. Megjithatë, Shkodra nuk u braktis nga banorët e saj, përkundrazi populli vendosi të luftojë deri në fund, duke marrë parasysh të gjitha vuajtjet e rënda të luftës e të rrethimit. Siç e dëshmojnë të moshuarit, gjatë muajit shkurt shkollat vazhdonin mësimet, madje piktori i ri Kolë Idromeno, me një aparat të sjellë nga jashtë, shfaqte filma kinematografikë për popullin. Shpallja e pavarësisë kombëtare më 28 nëntor 1912 i dha shpirt e frymëzim qëndresës së popullit.

Luftimet e zhvilluara në kodrat e Beltojës e të Bërdicës, në Shtoj, Bardhaj, Tarabosh etj. nuk e mposhtën dot shpirtin luftarak të tyre. Ndër këto luftime hyri në histori beteja e Bërdicës, ku brenda katër orëve (sipas burimeve serbe, turke e italiane) serbët lanë 1.600 të vrarë dhe 300 robër, ndaj dhe u quajt “Kasaphana e Bërdicës”.

Mbrojtja ushtarake e Shkodrës ndjehej e sigurtë, pasi garnizonit të komanduar nga Hasan Riza Pasha iu shtua edhe një divizion rezervistësh të komanduar nga Esat Toptani, që dikur kishte qenë komandant ushtrie nën regjimin e xhonturqve.

Kur Eduard Greji (Edëard Grey) deklaroi në Dhomën e Komuneve se Britania e Madhe e fuqitë e tjera evropiane e kishin njohur një herë pavarësinë e Shqipërisë brenda kufijve të caktuar dhe ky vendim duhej respektuar, se “Lufta që bëhet sot në Shqipëri nuk është më një luftë çlirimtare dhe se operacionet e Malit të Zi kundër Shkodrës kanë tipare shoviniste”, atëherë komandanti i garnizonit turk, Hasan Riza Pasha, propozoi që Shkodra të shpallej qytet shqiptar dhe në ballkonin e Bashkisë të ngrihej flamuri kuq e zi.

Hasan Riza Pasha, duke parë vetmohimin e shkodranëve dhe të vullnetarëve nga e gjithë Shqipëria, qëndresën trimërore të tyre kundër armikut, që preferonin të vdisnin e të mos dorëzoheshin, edhe pse pa bukë e ushqime, njëkohësisht për të mos shkaktuar dhe ngatërresa mes dy ushtrive (turke dhe shqiptare), pranoi që Esad Pasha të bëhej zëvendës i Komandës së Përgjithshme.

Hasan Riza Pasha i nderonte shumë guximtarët, bile i adhuronte. I shtymë nga idetë e tij mbi të drejtat dhe liritë, që duhej të kishte çdo komb i territorit të osmanllinjve, me që ishte dhe ai vetë arab, përpiqej që shqiptarëve t’ua mbante të gjallë, bile dhe t’ua nxiste sa më tepër nacionalizmin.

Në librat e tij, Hamdi Bushati, shkruan se si: “Hasan Rizaja i propozoi At Gjergj Fishtës, të shkruante një marrsh ushtarak për tua mësuar ushtarëve shqiptarë që ta këndonin kur të shkonin në stërvitje. At Gjergj Fishta ia përgatiti marshin dhe ia dërgoi. Pasha ia shpërbleu njëqindfish, tue ia pague çdo strofë me lira ari turke *) … Shkodra ruan kujtime shumë të mira për Hasan Riza Pashën, i cili për fisnikërinë, shpirtmadhësinë e dhimbshurinë që tregoi për popullin e vuajtur shkodran në periudhën e luftës, mbetet i paharruem. Edhe sot mbahen mend, nga ata që e kanë jetue atë kohë.

Esad Pashë Toptani , që komandonte forcat rezerviste dhe luftonte nën flamurin turk edhe pse kishte udhëzim nga qeveria e Vlorës së Ismail Qemalit të luftonte nën flamurin shqiptar, u shqetësua shumë nga ky deklarim i komandantit Hasan Riza Pasha, pasi i binte ndesh planeve të tij djallëzore. Armik i betuar i pavarësisë kombëtare, ai fliste e shpifte vazhdimisht kundër tij, veçanërisht në radhët e divizionit të rezervistëve shqiptarë, duke synuar gjithnjë që të bëhej në të ardhmen kryetar qeverie.

Që ta gëzonte vetë nderin e ngritjes së flamurit kuq e zi në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës dhe për t’i zënë vendin si komandant i përgjithshëm Hasan Riza Pashës, në bashkëpunim me disa oficerë turq, më 30 janar 1913, e thërriti për darkë në shtëpinë e tij dhe natën, tek kthehej në banesën e vet, e vret pabesisht. Flitet se e vrau njeriu besnik i Esadit, Osman Bali.

“Opinioni publik shkodran, pat përshtypjen dhe bindjen se Esad Toptani e kishte kurdisë planin e vrasjes së Hasan Riza Pashës me dorën e kriminelëve Osman Bali, nga rrethet e Tiranës, të Mahmutit nga Kavaja dhe të një të quejtunit Teofik nga Shqipnia e Mesme” – shpjegon Hamdi Bushati.

Edhe Miss Durhami, të njëjtën gjë nënvizon, kur shkruan: “Hasan Riza Pasha, kur pa se s’po vinte asnjë ndihmë nga Turqia, i vendosur për të mos ua lënë Shkodrën sllavëve (malazezve), mendoi që t’ua lërë shqiptarëve. Në fund të fundit, nga mëma ishte gjak shqiptari. Plani i tij ishte të merrej vesh me të gjithë fiset e malësive, që këta t’u binin në shpinë ushtrive rrethuese, kurse ai me ushtrinë e tij, të bënte po në të njëjtën kohë një sulm nga mbrenda. Në këtë mënyrë, ai shpresonte ta këpuste në dysh ushtrinë malazeze dhe të shpëtonte qytetin ).

Informacion shumë interesant, shumë të gjallë e të mbushur me mundimet e luftës, jep në librin esaj: “Rrethimi i Shkodrës” (10 tetor 1912 – 24 prill 1913) të shkruar në formë ditari, e shoqja e konsullit austriak në Shkodër, zonja Hortense von Zambaur.

Që në fillim të vjeshtës së dytë 1912, kur forcat malazeze mësyen Shkodrën dhe tërë shqiptarëve iu bë thirrje për të shkuar në ndihmë, edhe shijakasit, të inkuadruar në batalionin e sanxhakut të Durrësit, qenë nisur drejt Shkodrës. I tërë populli e kishte mendjen, sytë dhe zemrën tek vëllezërit e tyre, që qëndronin të rrethuar dhe luftonin për jetë a vdekje. Rrethimi i Shkodrës i vitit 1912-1913, ndër më të ashprit që përmend historia, u tregoi Fuqive të Mëdha dhe mbarë botës se ç’është në gjendje të bëjë një popull, kur udhëhiqet nga idealet e larta të lirisë e pavarësisë. Dhe ishte pikë-risht koha kur po gatuhej indipendenca e kombit.

Në përgjigje të telegramit të 17 nëntorit 1912: “Lutemi me na tregue numrin e fuqisë ushtarake që gjindet në Shëjak e Durrës”, prefektura e Durrësit njoftonte: “Fuqija ushtarake që ndodhet në Shëjak e Durrës përbahet prej batalionit mustahfës të Durrësit. Sa për numrin e këtij batalioni të shpërndarë aty-këtu, ka 450 ushtarë”- dhe më poshtë vazhdonte: “… vijat telegrafike kanë mbetun si dejet pa gjak e nuk po munden me punue …” (18 nëntor 1912). Po atë ditë, me një telegram tjetër, po kjo prefekturë njoftonte komandën e Fuqive të përgjithshme: “Batalioni mustahfëz i Durrësit asht i armatosun me mauzerë dhe zyrës së depos iu dha urdhëritë çojë nesër në Peqin 130 martina, që ndodhen këtu”.

Në librin “Lufta Ballkanike. Mbrojtja e Shkodrës”, Stamboll 1933, të dy autorëve turq, Abdurrahman Nazif e Kirametin, jepet një hartë e Shkodrës me vijat e mbrojtjes dhe forcat e vendosura në të. Në vijën e mbrojtjes të zonës fushore, duke filluar nga liqeni në Shtoj, Golem e deri te Ura e Mesit, autorët turq përmendin dhe forcat e batalionit të rezervistëve shqiptarë “Erzeni” të Shijakut. Në një hartë tjetër, batalioni “Erzeni” është i vendosur në T’planë të Lezhës me rreth 550 vetë. Më vonë, komanda e garnizonit të Shkodrës dha urdhër që ky batalion të vendoset në fushën e Shtoit një nga frontet më të vështira, përballë një divizioni malazez. Duke folur për forcat e vendosura në zonë fushore Shtoj e Golem, krahas batalioneve të rezervistëve të Tiranës, Dibrës, etj., autorët turq përmendin edhe batalionin e rezervistëve “Erzeni” të Shijakut (Erzen redif tabur), ndërsa në skicën 3, ku jepet organika e rezervistëve shqiptarë të Elbasanit thuhej se ky divizion përbëhej nga katër regjimente: i Tiranës, i Elbasanit, i Beratit dhe i Durrësit. Vetë regjimenti i Tiranës përbëhej nga tre batalione: i Tiranës, i Shijakut dhe i Krujës.

Shtypi dhe historiografia serbo-malazeze e paraqitnin marrjen e Shkodrës si një gjë tepër të ligjshme. Që në memorandumet e 17 dhe 21 janarit 1913, drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, ata nënvizonin se “Kombi serb nuk mund ta lëshojë “vendin e shenjtë” ku ndodhet Shkodra, kryeqyteti i moçëm i të parës mbretëri serbe; Pejën – selinë e patrikanës serbe, Deçanin e Gjakovën”. Por ata i kishin bërë hesapet pa hanxhinë, ndaj siç thotë dhe shkrimtarja angleze Edith Durham, “Malezezët luftën e pandehnin një fushatë të shkurtër, që do të zgjaste vetëm disa javë, dhe në spitale kishin ngritur vetëm 150 shtretër”.

Kur filluan luftimet dhe rreziku u shtua shumë, si kudo, edhe në Shijak u lëshua kushtrimi: “O burra, kush asht vatanli (atdhetar) të shkruhet gjonli (vullnetar) e të shkojmë drejt Shkodrës e ta përzejmë Karadaku (Mali i Zi)!

E atëherë, jo një për shtëpi, por edhe nga dy e tre dolën vullnetarë dhe kush me pushkë, e kush pa pushkë, të udhëhequr nga komandanti Hasan Deliallisi, Hafiz Maliq Jakova dhe Ramë Kasa, mbi 800-850 vetë nga krahina e Shijkut morën rrugën drejt “Shkodërloces”, siç e thërriste populli, ku luftuan me heroizëm të pashoq. Në fushën e nderit mbetën të vrarë mbi 70 luftëtarë. Vetëm nga qyteti i Shijakut morën pjesë si rezervistë e vullnetarë rreth 50 burra, si: Sure Keçi, Ahmet Deliallisi, Ahmet Kalleshi, Shaqir Dashi, Halil Domi, Beshir Sabli, Sulë Dervishi, Ismail Kasa, Abdulla Çelbeqiri, Sali Zuriqi, Jusuf Shahini, Veli Abazi, etj.

“Babë Surja, siç i thonim ne Sure Keçit – dëfton një i moshuar – u kthye prej Shkodre me kambën copë e çikë, se ia kishte damtue nji gjyle në luftën e Bërdicës, që u ba në shkurt të vitit 1913 Në atë luftë atij ju vra dhe i biri 22-vjeçar, Zeneli. Ai na ka pas tregue gjana të pabesueshme për rrethimin e Shkodrës. Gjujshin malezezët me gjyle topash pa pikë dhimbsunije mu midis grumbullit të shtëpive e mu midis grumbullit të njerëzve. Istikame aq të forta, me hendeklidhje, brezash tela me gjema, me llogore të fshehuna nën tokë e të ndërtueme me beton, me mure të fortë prej guri, si në Shkodër nuk kam pa – kujtonte gjithnjë Babë Surja.

“Shumë punë na bajshin topat e vendosun në kala dhe në faqen e Taraboshit të anës tonë. Vdisnin njerëzit prej urie, ama për tu dorëzue, nuk dorëzoheshin. Të gjithë i kishin marrë vesh zullumet që kishin ba malezezët e serbët nëpër katundet, ku kishin kalue tue i plaçkit e tue i vrame pleq e plaka, me gra, nuse e deri dhe kalamajt e djepit, që i shponin me bajonetat e pushkëve. Edhe pse kemi vuejt shumë prej të ftohtit, se s’kishim kapota, prej urisë se s’kishim bukë, aq sa kemi mbërritë me hangër edhe peksime të prishuna dhe mish kolsh, ne as na shkonte në mendje me e dorëzue Shkodrën, por ç’t’i bajsh Esat qenit, që na preu në besë, tue shkelë mbi gjakun e vllazënve tanë, të motrave e të çunave tanë. Megjithëse edhe prej nesh janë vra, por në ushtrinë e anmikut asht ba kërdia. Merrni me mend, se kur sulmojshim, shkelnim cipër kufomave të ushtarëve serbë e malazezë; gjimonte toka prej topave, aq e madhe bahej lufta …”.

“Kam qenë vetë në Luftën e Shkodrës – tregonte Ramadan Kajmaku nga Ishmi. – Serbi na preu rrugën në Lesh e s’kishte kah na vinte buka e ne për mos me dekë, hajshim mish kolsh …”.

“Jemi nisë në kambë drejt Shkodrës, për të mbrojt kufijt e Shqipnisë nga serbo-malezezët. Dhjetë ditë rrugë kemi ba, tue ec edhe natën pa pushue – tregojnë të moshuarit.

Aty kemi ndenjë jo pak, por nja dy muej e gjysëm. Maj men se prej Shijaku kanë qenë: Haxhi Vrioni, Shaban Jevgu me Ramazan Jevgun, Ali Hoxha, Omer Dervishi, Man Kuçi, etj. Oficer që na drejtonte, ka qenë Murat Muka.

Këto pasazhe kaq interesante i gjejmë tek kënga popullore shijakase “Në Shijak foli tellalli”

Në Shijak foli tellalli

E ndigjoi i vogli e i madhi

“Kush asht trim n’fushë t’mejdanit.

Sot t’i dalim zot vatanit,

Për në Shkodër turra-vrap,

Të luftojm’ me Karadak.

Ta përzajmë prej Shqipnisë,

Shumadijen e Serbisë,

Krajl Nikoll’n e Malit t’Zi,

Se s’jem m’sue me ndej n’robni,

e na shkel i huej n’shpi,

Me na vra me v’lla e motër,

Me na u ul kamb’kryq në votër!

N’kambë, o trimat e Shijakut,

T’ shkojm t’i bijmë, ne, Karadakut

E t’luftojm’ së bashku sot.

Tokës tonë t’i dalim zot!

 

Tetëqind burra n’kambë jan çue

E drejt Shkodrës se ç’kan’ shkue,

Burra, pleq e djem të rinj,

Jo veç nji, por tre për shpi;

Kush me pushkë, kush me allti,

Për me i ra njatij Malit t’Zi.

 

Në Bërdicë se ç’asht ba nami,

S’luen Shkodra nga istikami.

Seç gjëmon në Tarabosh,

Dridhu Krajl, ore kodosh,

Se k’tu i thonë Shkodër-loce,

Brima e miut pes’qind grosh,

Nuk asht leht me hy ke ne,

Për pa t’hangër goja dhe.

S’e jep kurrë Shqipnin’ shqiptari

Se e ka trash’gim nga i pari.

“Në Shkodër luftuan me trimëri dhe rezervistët shqiptarë që ndodheshin apo erdhën nga Dibra, Durrësi, Tirana, Elbasani, Peqini, Berati, Shijaku, Devolli, Kruja, Lushnja, Gramshi, deri te Korça e Gjirokastra. Kjo i jepte qëndresës së Shkodrës një karakter gjithëkombëtar”- shkruajnë dy autorë shkodranë, në një kumtesë të tyre.

Duke folur për komandantin e tyre, Hasan Deliallisin (Dushkaziun), të vjetrit më pas do të dëftonin se ai, me nagant në dorë, lëvizte nga një llogore në tjetrën, duke këshilluar të rinjtë dhe duke u dhënë zemër të plagosurve, duke organizuar sulme të njëpasnjëshme dhe duke furnizuar me municion luftëtarët, që shpesh zvarriteshin drejt armiqve të vrarë, për t’u marrë armët. Atyre nuk u shlyhej nga mendja një ditë e ftohtë me shi e erë, që të shkulte nga vendi e nuk të linte me ecë. “Edhe pse të uritun e të paveshun, me thonj i mbajshim istikamet.

Komandant Hasani na tha se do të banim nji sulm të beftë, prandaj u çue në kambë dhe u sul i pari. Mbas tij u sulëm edhe ne. Në sulm e sipër, mbasi vrau disa serb e malazez, u godit randë në gjoks dhe u shemb. Kur e tërhoqëm trupin e tij, ai jepte e s’merrte, megjithatë me shenjë na tregoi xhepin, ku kishte nji bllok të vogël, në të cilin kishte shkrue amanetet. Vrasja e komandant Hasanit na pikëlloi të gjithëve, prandaj pasi e varrosëm, po atë natë, ashtu së bashku siç qemë, të gjithë shijakas, sulmuem çadrat e anmiqve e bamë kërdinë, për t’marrë hakun komandantit.

Po atë ditë që u vra Hasan Meu, u vranë edhe Shaqir Dashi, Musa Gjepali e Halil Domi. Po atë ditë ne na u plagosën randë edhe zavendëskomandanti, Hafiz Maliq Jakova me Abdulla Keçin, Sure Keçin, Ramë Kasën etj. Hafiz Maliqi qe burrë i ndershëm, shumë i mençëm e trim i madh. Kur bajshim ndonji pushim, ai na thonte: “Ene ndigjoni këtu: me hasmin nuk ka shumë muhabete; me hasmin vetëm kjo di me fol!” – dhe i binte më pëllamb kobures, që nuk e ndante prej brezi. Ju nuk e besoni, por me fuqinë e tij, si hafiz që ishte, kur na sulmuen serbët e malazest, për të na kapë të gjallë, se na gjetën tue pushue, ai ka shemb nji shkamb nga mali i Taraboshit e gjithë gurët e shkambit i zunë përfund ushtarët. E kemi pa vetë, me këta dy sy, ani se ju nuk e besoni. Ose nuk mund të harrohet ajo që bani Ibrahim Molla prej katundit Koxhas. Kur po sulmonim, nji gjyle topi ia këput fare njenën kambë. Ai grisi këmishën dhe i tha shokut, që kishte në krah: “Lidhe dreqin sa të mos dali gjaku!” dhe duke u mbështetur mbi pushkën e tij, bërtiti me sa pat në kaptinë: “O burra, përpara mbi dushmanin!”.

Duke mbyllur kujtimet, më plaku foli: “Eh, sa ka vuejt Shkodra, por i lumt dora atij Avni Rustemit, se Esat Pashë qeni, qysh në Shkodër e pat ba hak plumbin!” Dhe vërtetë, Shkodrën heroike nuk e mposhti as rrethimi i gjatë i 70.000 ushtarëve armiq, as mungesa e ilaçeve e as të ftohtit, që i sollën kaq të vdekur; nuk e mposhtën as edhe 72.000 predhat e hedhura nga serbo-malazezët, por vetëm tradhëtia e Esad Pashë Toptanit, i cili, duke qenë kundër shpalljes së Pavarësisë dhe duke mbajtur një qëndrim armiqësor kundër qeverisë së Ismail Qemalit, më 23 prill të vitit 1913 ia dorëzoi qytetin e Shkodrës Princ Danilit të Malit të Zi, pas shtatë muaj luftimesh të përgjakshme.

“Mbas vdekjes së Hasan Riza Pashës, komandantët e zonave vendosën si zëvendës Esat Toptanin, mbasi ky përveç se kishte gradën “pashë”, e lypnin edhe rrethanat që ai të ishte i tillë – vazhdon të tregojë Hamdi Bushati. – Mbasi siguroi postin e zëvendësvaliut dhe komandant i Shkodrës, Esat Toptani përnjëherë nisi  bisedimet me malazeztë … Shkodra vazhdoi të mbetej e rrethueme edhe tre muaj të tjerë. … Esat Toptani, i marrun vesh me malazeztë, më një mënyrë o me një tjetër, pavarësisht nga qëndrimi zyrtar, personalisht përpiqej t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi. … Ai për me sigurue postin e naltë të sundimit të Shqipnisë, duhej t’i kënaqte serbo-malazezët me tokat shqiptare, për me pasë mandej përkrahjen politike … Më 21 prill 1913 malazezët hynë në qytet. Më 25 prill 1913, princ Danili erdh në Shkodër dhe doli në kala. Malazezët shprazën 21 topa. Në kështjellë takohej me Esat Toptanin. Ky përcillej me të shtime topi dhe prej një batalioni nderi.”

Sipas disa qarqeve politike, Esati e dorëzoi Shkodrën për mungesë të bukës dhe të ushqimeve, duke i parashtruar Malit të Zi disa kondita. Esad Pasha, gjithnjë mbahej si komandant ushtrie, me uniformën turke, duke u kapardisur si fitimtar nëpër Durrës, Tiranë dhe çiflikun e vet, në katundin Rreth të Shijakut. Madje oficerave turq u shtroi edhe një darkë madhështore me rastin e largimit.

Nga një shënim i Mustafa Krujës i datës 12 maj 1913, pas atij akti të shëmtuar të nënshkrimit të marrëveshjes, që u nënshkrua atë mesnatë që Esadi i dha në duar Princ Danilit çelsat e Shkodrës, lexojmë: “Mbas ujdisë së fshehtë, që ishte bamë midis Esad Pashë Toptanit dhe serbëve në Shkodër, këta të fundit e kishin lirue Shqipnin e Mesme, kur ai po i dorëzonte Malit të Zi, Shkodrën. Pasha e kishte lypun këtë lirim të ngutshëm prej miqvet të vet, për me përgaditun atje sendertimin e planeve të tija. Viset e lirueme ishin të tana nën influencën e Esadit dhe pritshin urdhnat e tij se ç’me bamë … Esadi shpresonte se me rrethanat politike të mbrendshme e të jashtme do t’ishin pjekun për me shpallë mbretnin e vet mbi Shqipnin …”

Duke analizuar figurën e tij, gjithnjë Mustafa Kruja shkruan: “… në politikë për Esad Pashën fjala e nderit s’kishte fe kuptimi. Qe ç’ka pas thanë njiherë, përpara meje e të tjerëve, e kujtoj si tashti: “S’ka gja ma të lehtë se me rrejtun nji diplomat t’Evropës; mjafton nji “Parole d’honneur” (Për fjalë të nderit).

Ndërkohë që Krajl Nikolla dhe Princ Danili deklaronin në mes të një entuziazmi të papërmbajtur se “do të nguleshin në Shkodër e gjallë nuk do të dilnin prej andej”, nën insistimin e qeverisë austriake në Konferencën e Londrës, Fuqitë e Mëdha, në mënyrë të prerë urdhëruan qeverinë mbretërore malazeze, që brenda një kohë sa më të shkurtër, Shkodra të lirohej e t’u dorëzohej Fuqive të Mëdha, të përfaqësuara prej komandantëve të fuqive navale (detare) ndërkombëtare.

Çështja e Shkodrës dhe kryeneçësia e Krajl Nikollës sollën një pështjellim tepër të vështirë, në gjendjen kritike ku kishte mbërrijtë Evropa. Të gjithë i frikësoheshin plasjes së ndonjë lufte të përgjakshme botërore. Kjo është arsyeja që Austro-Hungaria ja ngjeshi ushtrinë e vet Malit të Zi përgjatë kufijve veriorë dhe ministrat e jashtëm të Italisë e Anglisë, gjer dhe cari i Rusisë ia prenë shkurt drutë Knjaz Nikollës, duke i dhënë ultimatum. Dhe vërtet, më 14 maj 1913, serbo-malazezët ua dorëzuan qytetin e Shkodrës Fuqive të Mëdha Ndërkombëtare, të cilat pasi hynë në Shkodër, shpallën një proklamatë të firmosur nga pesë personalitete të lartë të Flotës Ndërkombëtare. Proklamata nënvizonte faktin që Fuqitë e Mëdha të Evropës do të ushtronin pushtetin e tyre në qytet, gjer në vendosjen e një autonomie në Shqipëri.

Pas këtij akti, ndërsa serbët e malazezët filluan tërheqjen për në tokat e tyre në Serbi e Mal të Zi, edhe turqit u nisën drejt Turqisë. Pas katër shekuj e gjysëm invazion, ata largoheshin përfundimisht nga Shqipëria. Vendi i tyre, dikur Perandori e Ballkanit dhe posedues i tij, prej kohësh i quajtur “I sëmuri i Ballkanit”, dukej ishte në agoni dhe bënte katarsisin e vet. Domosdo, se fillonte shekulli i ri. Edhe pse turqit tëhiqeshin për të mos u kthyer kurrë më, populli nuk dinte se qysh ta shprehte ballgamin disa shekullor që kishte për ta, për gjithë ato të këqija e fatkeqësi, që u kishin sjellë.

 

“Gurzi e Bregu i Matës – dëftonte Muharrem Mirdita nga Ishmi – e grinë ushtrinë turke, në kohën e luftës së Shkodrës më 1913, kur po iknin prej Shkodre në Durrës e masanaj në Turqi. Dulën vajzat të veshuna si djem e i sulmuen më pushkë. Burrat kishin qanë në mal me bag’ti. Për fat duël edhe lumi me shumë ujë e shumëushtarë turq u mbytën.”

“Kam qenë i ri, kështu që i maj men mirë kur janë kthye prej Shkodre ushtarët turq – kujtonte plaku Sulë Dedja prej Xhafzotje. – Erdhën nga Shilorja e kaluën përmidis pazarit të Shijakut. Kur panë në ballkonin e kazasë flamurin shqiptar, u vinte me plas prej marazit. Domosdo, se kishin me qindra vjet që ishin ke ne edhe bajshin me Shqipninë tonë si t’u donte qejfi …”

Në përfundim të saj, Lufta e Shkodrës, me betejat e saj të ashpra, të zhvilluara në malin e Taraboshit, kodrat e Beltojës, Bërdicës, Bardhanjorit, Shtoit, Golemit etj., sipas statistikave të armikut rezultoi që serbo-malazezët të kishin lënë 18.000 të vrarë (disa të tjerë japin shifrën 20.000 vetë), ndërsa forcat tona 2.000 të vrarë dhe 2.500 të plagosur. Pra, raporti është 1 me 10 në favor të forcave mbrojtëse.

Thonë se kur Esad Pasha erdhi në Shijak, shijakasit iu grumbulluan  dhe e pyetën përse e dorëzoi Shkodrën dhe sa vetë u vranë atje. Kur ai u tha  se në një përpjekje, ndodhte të vriteshin edhe shtatë-tetë vetë, ata duke qeshur, pasi ia kishin mësuar tradhëtinë i kishin thënë: Mos more Pashë, po ke ne në Shijak, kaq vriten në një dasëm o burrë i dheut! Ndonëse me përmasat e një hiperbole, anekdota ka shumë domethënie.

Në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazezë, nga qyteti i Shijakut dhe katundet përreth, që ishin ndën administratën e tij, dhanë jetën në fushën e nderit dhanë jetën 73 luftëtarë dhe trupat e tyre, poulli i Shkodrës i futi në gjirin e ngrohtë të tokës së vet, duke i nderuar me respekt dhe duke i mbuluar me dashuri. Është shumë kuptimplote dhe shumë prekëse, ajo ç’ka të moshuarit e tregonin për familjen e Babë Sures. Kur e shoqja, pasi qe kthyer pa djalin, i kishte thënë: “Po trupin e Zenelit, o burrë, nuk do ta marrim nga Shkodra për ta varros ke vorret tona?”, ai iu përgjigj: “Jo moj grue, jo se haku i tokës jemi , e tokë e jona asht e gjithë Shqipnia. Kur t’na marri malli, do të shkojmë atje për ta takue!”

Ndaj aq i vërtetë e bindës shkrimi i At Nikollë Markut: “Prifti serb dhe Janullatos – aleanca e djallit” ****), ku nënvizohej se prifti serb Amofllohije Radoviç, i dërguar nga Patriakana e Beogradit, ashtu si Janullatosi grek, ka nisur të kërkojë eshtrat e ushtarëve pushtues serbëtë cilët duke dashur t’i bëjnë varrin Shkodrës, lanë kockat në tokat e saj, duke u bërë mish për top të padronëve të tyre cmirëzinj e të pangopur.

“Shqiptarët nuk kanë varre në dhe të huaj, sepse kurrë nuk kanë vrarë, grabitur e çfarosur popuj të tjerë – shkruan At Marku. – Historia na mëson shumë për të kaluarën tonë në shekuj, por sidomos për vitet 1912 – 1913, kur Atdheu ynë u bë kurban për fqinjët tanë, që në ato vite treguan natyrën e tyre të vërtetë kundër kombit shqiptar …”

*“Piktor i Merituar”

(Shkrimi u botua sot në gazetën “Shqiptarja.com” (print), e diel, 30 qershor 2013)

(ar.sh/shqiptarja.com)