Luçiana Gjuraj, “pantera” e ringut të “Mix Martial Arts”, malsorja Kampione e Europës

Nga Albert Vataj

Ajo quhet Luçiana Gjuraj dhe është vetëm 17 vjeç. Jeta e saj tashmë ka hyrë në një rrjedhë rrapëllitëse, ndryshimesh dhe transformimesh të fuqishme. Çfarë sjell e sotmja nuk e beson e nesërmja. Shpirti luftarak e merr me krahë të furishëm dhe e flakë tej në arenat e kacafytjeve të ashpra dhe përballjesh sfiduese, për të ngjitur në altarin e nderit dhe lavdisë së fitores. Ajo nuk ka pranuar të jetë vajza delikate që shtyn orë të tëra në llangosje, tualetra dhe trukime, ajo ka zgjedhur të jetë “pantera” e ringut të “Mix Martial Arts”, sepse është kjo zgjedhja e saj, sepse kjo është yllësia e fatit të saj. Vetëm në më pak se tre vite ajo ka arritur dhe mund të quhet malësorja Kampione e Europës.

Prolog

Keni dëgjuar për Norën e Kelmendit, vazën malsore që vrau pashain turk për të shpëtuar fshatin dhe lartësuar nderin e malsores? Po për “Zhan d’Arkën” e Grudës, Tringë Smajli, gruan që udhëhoqi luftën e klanit katolik kundër Perandorisë Osmane? Patjetër që historia e atyre grave, bëmat e atyre sokoleshave, fama e veprës së tyre trimërore, ka lindur në ato troje, e është mbrujtur në ato shkrepa, për të pushtuar botën me vezullimin krenues të lavdisë. Sepse ishte një vullnet i paepur i shpirtit të tyre prej zjarri, që gatoi tek ata trimëreshën e paepur, vajzën e dinjitetshme, gruan e përbetuar, nënën vetmohuese. Këto gra dhe vajza, i ka mëvetësuar kujtesa historike, i ka shndërruar në yje adhurimi i brezave, i ka përjetësuar gjaku që u flakëriu dejeve. E ndërsa qytetërimi rrok të tjera aspirata dhe gruaja malsore është në të tjera përballje; ku sfidon me urtësi, trimëri dhe bukuri, një vajzë e kësaj toke, një amanet i këtij pragu lirie, vjen në të sotmen shqiptare si një dëshmi e asaj kurajoje dhe besimi për të qenë vazhduese e atyre malsoreve, atyre vajzave dhe grave që kanë ardhur të shkruajnë historinë. Ajo është sportistja e arteve marciale në disiplinën, “Mix Martial Arts”, Luçiana Gjuraj, 17-vjeçarja që në fare pak kohë ka arritur të ngjisë një e nga një shkallët e suksesit për të treguar se rruga e saj është e gjatë.

Kush është Luçiana Gjuraj (Lulgjuraj)

Luçiana Gjuraj (Lulgjuraj) është vajza Primo dhe Floresha Gjuraj me origjinë shqiptare, nga Gruda e Malit të Zi, nga ajo trevë e pasur me histori, e mbrujtur në flakën e luftrave për liri, dhe e pasuruar me emrat dhe kontributorët që i dhanë historisë së Shqipërisë, faqe të ndritura, të lara me gjak e blatuara me jetë.

Sot Luçiana Gjuraj është 17 vjeç dhe studion në gjimnazin me orientim gjuhesor, “Asim Vokshi” Tiranë. Bisedat e Luçiana me shoqet dhe miqtë nuk janë thjeshtë biseda për mësimet dhe të zakontën e moshës së tyre, ajo ka lidhur ditën dhe jetën e saj me sportin. Dhe është sporti që ajo po i jep gjithë energjinë e saj, për të marrë çfarë meriton. Ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, shumica e të cilave janë dedikuar veç shkollës, fushave dhe konkurueshmërisë që janë më afër femrës, Luçiana ka zgjedhur artin e luftës, si pasion dhe përkushtim. Një tërheqje gati mistike ajo e sporteve të forcës për të.

Që në vogli ajo është marrë me aktivitete të ndryshme sportive, duke treguar talent dhe shpirt sportiv. Prej një periudhë mbi 2-vjeçare ajo ushtro sportin e MMA(Mix Martial Arts). Është fjala për artet marciale të përziera, një sport luftarak i lirë, që lejon goditjen dhe luftimin, si në këmbë ashtu edhe në tokë, duke përdorur teknika nga sportet e ndryshme luftarake dhe artet marciale. Brenda kësaj periudhë kaq të shkurtër ajo ka arritur të jetë një emër triumfuesesh, një zë i fuqishëm përfaqësimi i shqiptarëve në këtë sport sa të vështirë aq dhe sfidues.

Sfidat dhe triumfet e sportistes

Por Luçiana Gjuraj, me punë të vazhdueshme, me përkushtim dhe angazhim të paepur, me djersë dhe vetmohim, ku patjetër duhet nënvizuar edhe roli i trajnerëve të saj, ka arritur të rrëmbejë tituj e të dëshmojë një vlerë të shtuar të përfaqësimit tonë në ringun botëror të “Mix Martial Arts”.

Paradën e rezultateve konkuruese dhe titujve Luçiana Gjuraj e ka filluar në majin e vitit 2017 me çmimin e parë si “Kampione Ballkani”, në Bullgari. Për të vijuar më çmimin e dytë me të njëjtin titull, “Kampione Ballkani” më 20 tetor 2017 në Pallatin e Sportit, “Asllan Rusi”, Tiranë. Për të ngulmuar më “Kampione Europe” më 21 tetor 2018 në Shumën të Bullgarisë. Titulli i radhës është ai “Kampiones Mbarëkombëtare” më 26 maj 2019 në Pallatin e Sportit, “Fetie Borova” në Tiranë. Të tjera gara e presin Luçiana Gjuraj, të tjera përballje do t’i synojë asaj për titull.

Shpirti luftarak i një vajze malsore

Artet marciale, që 17-vjeçarja Luçiana Gjuraj ushtron, dhe brenda një periudhë relativisht të shkurtër është vlerësuar me tituj dhe medalje, është natyrisht një sport mashkullor, një sport që kërkon përgatitje të gjithanshme, fizike dhe psikologjike. Për një vajzë, lufta natyrshëm ka një kuptim më distancues, por për Luçiana Gjuraj, artet marciale janë gjaku dhe temperamenti i saj, është vitaliteti dhe energjia që asaj i vërshon. Veç ta shohësh se si ajo lufton në ring, si si shpirti i saj luftarak zbret përballë kundërshtarit e vendosur dhe pamposhtur. Ajo është një “panterë” në ring. Shpejtësia e lëvizjeve dhe e goditjeve, me të cilat ajo i vërsulet kundërshtarit, janë të rrufeshme dhe shkatërruese. Ajo hyn në ring me një besim të palëkundur në fitore dhe nuk ka asnjë kundërshtare që mund ta vërë në dyshim dhe të rrezikojë synimin e saj për fitore. Për të arritur këtë, ajo ka punuar dhe në ring tregon aftësitë e një profesionisteje dhe një talenti premtues.

Në kaq pak kohë dhe në një moshë fare të re, ajo dëshmon në ring, se çfarë është në gjëndje të bëjë, se çfarë mund të japë ajo këtij sporti, se si ajo po e skalit me shkronja të arta emirin e saj në tabelën e sportistëve të “Mix Martial Arts”.

Synimet e Luçianaës

Për një vajzë 17-vjeçare, me një talent të tillë, me të dhëna të spikatura për një luftëtare të lindur, natyrshëm synimet janë ambicioze. Ajo punon shumë dhe vendosmërisht, për të kërkuar gjithnjë e më shumë nga vetja mundësi dhe kapacitete që do të shndërrohen në energji sfiduese. Si për çdo sportiste edhe për Luçianën, synimet janë të qarta dhe ambicia e saj prej malësoreje është të luftojë e të fitojë, të vlerësohet për punën dhe përkushtimin dhe të nderojë flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ajo po dëshmon me angazhimin e saj, se vajza shqiptare ka aftësi dhe kapacitete të pashfrytëzuara, ka atë shpirt të etur për lavdi dhe për t’ia arritur kësaj përpiqet dhe këmbëngul. Krahas programit mësimor, Luçiana Gjuraj ka po kaq prioritare edhe programin stërvitor. Duke patur një mbështetje dhe inkurajim nga familja ajo do ta ketë më të lehtë të shpalosë aftësitë dhe talentin e saj prej amazone në artet marciale dhe ambicien për të mbajtur të pakontestuar epitetin “Malsorja Kampione”.

Epilogu

Kjo ishte Luçiana Gjuraj, vajza që ka gërshetuar shpirtin sportiv me atë luftarak, talentin me guximin, pasionin me besimin, për të arritur atje ku e çon zemra, atje ku e thërrët gjaku prej malsoreje. Kjo vajzë luftëtare, ky vullnet i etur për sfidë, është një sprovë e asaj kurajoje dhe atij përkushtimi, i cili gjithnjë kërkon mundësi të reja, synon arritje dhe kapacitete që janë gjithëçfarë ajo arrin të japë dhe të shpërblehet.