Lorenc Vangjeli: Dy javë përgjysëm mes Bashës e Selamit

Ndodh shpesh që në kohë morti humori të bëhet i papërballueshëm. Ndodh që e qeshura nuk tmerron dynjanë që qan sidomos në funerale. E qeshura është mike e pandashme sidomos në rastin kur ngjarjet përsëriten si variant komik i një skenari më të hershëm me nota, imazh dhe thelb dramatik. Kundërshtarët e zotit Lulzim Basha në PD janë në të drejtën e tyre legjitime të ngrefin një çadër të bardhë në oborrin e selisë blu duke kërkuar në korrik nga Basha gjithë çfarë Basha vetë kërkonte nga Rama që prej shkurtit e deri në maj. Domethënë garantimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira në parti, të cilat mund të realizoheshin vetëm me dorëheqjen dhe jo ngrirjen e Bashës nga funksioni i kryetarit. Dhe do të ishte shumë qesharake nëse Basha do ta refuzonte çadrën, kërkesat dhe protestën e saj, sa kohë që ai vetë besoi, shpresoi dhe pothuaj ja arriti të bëhet politikan çadre, siç e tallte shpesh seriozisht dhe e paralajmëronte me dhembje një tjetër kundërshtar i tij, Ilir Meta.

Në fakt, “armiqtë” e zotit Basha nuk kanë ndërmend të protestojnë me çadër në selinë e partisë që pak nga pak është gjithmonë e më pak partia e tyre.

As zoti Basha nuk ka ndërmend të afrojë në korrik atë që i kërkoi me ngulm Ramës duke nisur nga shkurti: garantimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, por me kusht të parë dhe të panegociueshëm, largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë gjatë procesit të garës dhe shtyrjen e vetë kohës së mbajtjes së garës. Kush kujton se çfarë thuhej gjatë atyre tre muajve edhe dramatikë, edhe komikë të qëndrimit të opozitës në çadër, kush sjell në mend se çfarë deklaronte atëherë kryetari i opozitës, kupton lehtë se diferenca mes të thënës dhe të bërës në rastin e zotit Basha, është si dallimi mes breshkës që tenton të dhunojë seksualisht Deda dhe Julit që flet seriozisht edhe kur bën humor me dhembjen e tij shumë XXXL si demokrat Bio. Me më shumë karat demokrati sesa shumë antarë kryesie apo thjesht militantë partie.

Lulzim Basha nisi turin e tij për një mandat të dytë në krye të PD-së nga Kavaja, qyteti që demokratët e rimorën me një grusht votash më shumë. Në errësirën e humbjes në të gjithë vendin, Kavaja është qiriu që Basha e quan diell. Sfidanti i tij, Eduard Selami startoi në Lezhë një garë të paragjykuar që në nisje, duke u konsideruar padrejtësisht si një kandidat i paragjykuar në një proces me legjitimitet të paragjykuar. I rikthyer nga një mërgim i gjatë fizik dhe politik, në katër vitet e tij si deputet i opozitës, zoti Selami kuptoi fare pak sesa shumë kishte ndryshuar Shqipëria dhe personazhet e saj në 20 vjet. I parë gjerësisht me simpati më tepër për atë që nuk kishte bërë dhe jo për atë që kishte bërë në të shkuarën dhe të tashmen e tij, zoti Selami e ka në kufinjtë e të pamundurës të shndërrojë në garë votimin e pritshëm. “Sfida” e tij ndaj Bashës është njëlloj si legjitimiteti që Rama pretendonte se merrnin zgjedhjet e qershorit me një numër partish të vogla që do të stiseshin si opozitë në mungesë të PD-së. Ai do të jetë vetëm kronikë në këto dy javë, jo për fajin e tij, por sepse është tërësisht e pakuptimtë vendosmëria e zotit Basha për të mos pranuar një garë reale në PD. Në një garë të vërtetë, ndryshe nga kjo që po projekton, për shumë e shumë arsye, edhe me humbjen e tij poshtëruese në zgjedhjet e përgjithshme, Basha do të hynte si favorit kryesor. Ka vetëm një shpjegim për ngutin e tij për të rimarrë vulën e PD-së në dorë, pavarësisht legjitimitetit të munguar të garës, pavarësisht riskut për ndarjen reale të partisë dhe pavarësisht se gjithçka që po ndodh me bekimin e tij, nesër do të jetë mallkimi kryesor për të. Basha mund të pranonte çdo kusht që i vënë kritikët e tij në parti me përjashtim të shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Bashës i duhet posti i kryetarit përpara shtatorit, momentin kur Edi Rama do të shpallë kabinetin e tij të dytë. Dhe kritikët e tij duhet të kuptojnë pikërisht këtë gjë.

Me të gjitha gjasat, Basha, që sipas Ramës ka ditur të zgjedhë Shqipërinë përpara partisë, ka bërë zgjedhjen e dytë të tij: ka zgjedhur qeverinë dhe jo opozitën. Me të gjitha gjasat Basha është i gatshëm të marrë kthesën spektakolare politike nga e djathta në të majtë dhe si një Zhuljetë e Bindur, thjesht do të hidhet në krahët e Romeos së saj. Si e vetmja mënyrë për të mbetur më gjatë në lojë dhe për të mos i mbetur me nder të cënuar, babait në derë. Përballë “nderit” të humbur, babait nuk ka shumë zgjedhje. Thjesht do të bekojë dhe do ta pranojë si fakt që atë që ka ndodhur në errësirë dhe do ta legalizojë atë. Në këtë rast nuk quhet përdhunim. Ka një këshillë të vjetër kineze që thotë se në rastin kur ndjen në shpatulla frymën e nxehtë dhe të nxituar të armikut, duhet qëndruar në heshtje. Dhe mbi të gjitha nuk duhet lëvizur. “Nuk duhet lëvizur për asnjë arsye. Prit që armiku të mërzitet dhe të ikë vetë. Ndryshe, çdo lëvizje, thjesht i bën qejfin armikut”, thotë këshilla që vjen nga Kina. Aq më tepër që krijuesi gjenial nga Tirana i sloganit të hershëm “Përtej të majtës dhe të djathtës”, nuk është as armik i të djathtës dhe as mik i të majtës në këtë rast. Eshtë thjesht fituesi që po mbushet thellë, thellë, thellë me frymë mbas shpinës së zonjushës delikate PD. (Javanews)